Edi Rama dhe “Ata ishin 5”, një gjest simbolik me Zyliha Milotin, ikonën e qytetarisë dhe artit shkodran
Në përmbyllje të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Kryeministri dhe njëherësh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, zgjodhi të largohej nga Shkodra me një gjest simbolik që ngërthen në vetvete më shumë se një numër në fletën e votimit. Në një postim të fundit në rrjetet sociale, ai ndau një fotografi ku shfaqet me pesë gra – “Ata ishin 5” – një aludim i drejtpërdrejtë me numrin 5, pozicioni i Partisë Socialiste në fletën e votimit.
Por ajo që e bën këtë imazh të mbetet në kujtesë nuk është vetëm simbolika politike, por prania e një figure që përfaqëson në mënyrë të denjë shpirtin e Shkodrës: Zyliha Miloti, aktorja legjendare, ikona e humorit, e dramës, e qytetarisë dhe përkushtimit artistik.
Zyliha Miloti, e cila vijon të jetë e pranishme në skenën e Teatrit “Migjeni” edhe sot, mbetet një emër që nuk zbehet në kujtesën kulturore të qytetit. Ajo është një frymëzim për brezat e rinj, si ato katër vajza të reja që e shoqëronin në këtë foto simbolike – ndoshta votuese për herë të parë, ndoshta zëri i një Shkodre që kërkon të dëgjohet përmes angazhimit të vet demokratik.
“Ata ishin 5”, shkruan Rama, me një nënkuptim që shkon përtej numrit dhe përshkon një horizont më të gjerë: të një vullneti që kërkon të shndërrojë Shkodrën, të rizgjojë potencialin e saj qytetar dhe të kontribuojë në projektin e madh të evropianizimit të Shqipërisë.
Në këtë mesazh të heshtur, por të qartë, përzihen politika, arti dhe trashëgimia e një qyteti që, ndonëse shpesh i lënë në margjinat e zhvillimit, vijon të jetë një nga gurët e çmuar të identitetit shqiptar. Dhe kur për këtë flasin duart, shikimet dhe prania e një gruaje si Zyliha Miloti, gjithçka merr më shumë kuptim.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

