Edi Rama fut në “lojë” Arben Ndokën, e angazhon në fushatën e Dibrës
Politikë E Premte, 30 Prill 2021 08:08
I ikur nga politika, ish-deputeti Arben Ndoka, është rishfaqur përsëri në skenë. Këtë herë ai do të jetë pjesë e ekipit të PS-së, për zgjedhjet në Dibër, të cilat priten të shndërrohen në një arenë përplasjesh të ashpra mes palëve politike në vend.
Ndoka, i angazhuar nga Kryeministri Rama, edhe pse ka lënë mandatin pas presionit të opozitës dhe SHBA, pasi u zbulua se ishte dënuar për prostitucion, do të jetë zyrtarisht pjesë e ekipit të PS-së.
Opozita nga ana e saj ka reaguar, me këtë rikthim të tij dhe e ka cilësuar si rikthim të krimit. Ndoka ka nisur bashkë me kandidatin e koalicionit të majtë, Muaharrem Rama, takimet me qytetarët e Dibrës.
Arben Ndoka e dorëzoi mandatin e deputetit në shtator 2015, pak muaj para miratimit të ligjit për dekriminalizimin, duke shmangur kështu largimin e detyruar nga parlamenti. Ai mbetet ende aktiv në PS-në e Lezhës.
Nga opozita Arben Ndoka u akuzua në zgjedhjet e 2013-ës se ushtroi presion ndaj komisionerëve. Ai nuk u zgjodh deputet direkt, por u fut pas lënies së mandatit nga Mimi Kodheli. Arben Ndoka nuk mban zyrtarisht asnjë detyrë në PS. As në atë të Lezhës.
PD ka bërë të ditur se ka ngritur një strukturë me ish-policë e të rinj të Akademisë Azem Hajdari për të mbrojtur votën nga grupet kriminale që sipas saj Rama ka dërguar në Dibër.
KOHA JONË SONDAZH