Edi Rama: Ja pse qeveria nuk është në TV

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave të PD lidhur me përmbytjet. Në një postim në Facebook, Rama jep dhe arsyet pse qeveria nuk është në ekranet e televizioneve si zakonisht.

Ja postimi i plotë i Edi Ramës:

JA PSE QEVERIA NUK ËSHTË NË TELEVIZOR MË SHUMË SE ZAKONISHT

Nuk dua të merrem me trupën e vjetër të cirkut mediatik, dje në pushtet sot në opozitë. Të njëjtat numra me shpifje, fyerje dhe akuza histerike si gjithnjë. Pa minimumin e dinjitetit në raport me vendin e me njerëzit dhe as të seriozitetit në raport me problemin e radhës.

 

Por këtë herë problemi është më i veçantë sepse lufta që bëhet me natyrën, me erozionin dhe me pasojat e tjera të rrënimit shumëvjeçar, kërcënon drejtëpërdrejtë jetën e njerëzve e të gjësë së gjalle, shtëpitë dhe prodhimet e mundit të tyre. Jo se mund të presësh ndonjë gjë tjetër prej atyre që e katandisën vendin në një derexhe të pashembullt në çdo drejtim, dhe sot bëjnë pehlivanin duke dhënë shfaqje mbi plagët që hapën vetë. Por është e pashmangshme, që perveçse me natyrën e me plagët e shkaktuara në vite, të cilat në këto raste fatkeqësie natyrore dalin edhe më dhimbshëm në pah, të luftosh edhe për të shpërndarë tymin e kësaj propagande të ulët. Këto përmbytje janë deri sot dhe për fat, në përmasa më të vogla se sa ato të viteve të shkuara.

Le të shpresojmë që parashikimet për një stuhi të dyte deri në fundjavë të mos vërtetohen. Sidoqoftë, deri tani, edhe nëse ndodh çka parashikohet, strukturat shtetërore kanë qenë e do të jenë gati në krye të detyrës. Ashtu sikundër kanë bërë dhe po bëjnë punën e tyre papushim, qoftë ministrat që janë në krye të këtyre strukturave e qoftë ministri i jashtëm dhe i integrimit, të cilët kanë ngritur të gjitha urat e komunikimit me partnerët ndërkombëtarë për të marrë ndihmë në përballimin e dëmeve të shkaktuara. I gjithë volumi i jashtëzakonshëm i kësaj pune është përballuar dhe do të përballohet deri në fund me organizim, koordinim e përkushtim dinjitoz.

E tregojnë këtë operacionet e shpejta dhe të suksesshme në shpëtimin e jo pak njerëzve të rrezikuar; evakuimet e njerëzve dhe kujdesi për çdo të sëmurë; shpërndarja e ushqimeve dhe ndihma e drejtëpërdrejtë e shumë forcave për të lehtësuar gjendjen në shumë shtëpi të përmbytura. E tregon këtë edhe puna e bërë për të mbrojtur digat e argjinaturat e degraduara në vite të tëra rrumpallë qeverisëse.

Dalja e kursyer para kamerave dhe shmangia e çdo shfaqjeje të tepërt "heroizmi" mediatik të qeveritarëve, siç u mësuam t'i shohim me neveri vitet e shkuara, është vendosur që ditën e parë të përballjes me këtë emergjencë. Sepse ne nuk mund ta përdorim këtë hall të madh që u ka rënë në kokë njerëzve të prekur nga përmbytjet, për të shtuar praninë tonë në ekrane dhe bërë garën e shëmtuar të dhembshurisë për popullin. Detyra e qeverisë është krejt e qartë dhe ne e dimë e po e kryejmë atë me përkushtimin e seriozitetin më të madh.

Kur të kalojë kjo e keqe, do të kemi kohë edhe për bilancin e këtyre dy sjelljeve krejt të ndryshme; sjelljes së re të qeverisë me detyrën edhe në rast fatkeqësie natyrore dhe sjelljes së vjetër në detyrë të atyre që, si në opozitë si në pushtet, janë po ai qamet që thërret!

SHKARKO APP