Edi Rama nderohet me medalje presidenciale nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog (Video)

“Dhe me mbrëmjen e nderimit me Medaljen Presidenciale të Nderit akorduar nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e cila është një nderim shumë i posaçëm për personalitete të nivelit më të lartë, por që në rastin tim e konsideroj nderimin e duhur për shembullin që shqiptarët i lanë botës duke mos dorëzuar asnjë hebre të vetëm tek nazistët, si edhe për faktin domethënës se në Shqipëri s’ka vend për asnjë formë të urrejtjes fetare apo etnike, përfshirë edhe antisemitizmin, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë”, shkruan Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Në një ceremoni të veçantë, presidenti izraelit, Isaac Herzog, theksoi se Shqipëria ka një histori të veçantë të mbrojtjes së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përmendur Besën, një traditë e thellë e shqiptarëve që mbrojti jetën e shumë izraelitëve.

Ai e falënderoi kryeministrin Rama dhe qeverinë shqiptare për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për mbështetje në luftën kundër antisemitizmit. Herzog shprehu gjithashtu shqetësimin për situatën aktuale, duke u kujdesur për ata që janë ende të burgosur dhe të rrezikuar në Izrael.

Isaac Herzog tha: Më lejoni kryeministri Rama që t’ju jap Medaljen Presidenciale të Nderit. Besa ka udhëhequr popullin shqiptar. Shqiptarët ditën të mbrojnë izraelitët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ju keni bërë një punë tepër të madhe në luftën kundër antisemitizmit. Dua të përgëzoj qeverinë shqiptare për të gjitha urat bashkëpunuese mes Shqipërisë dhe Izraelit. Faleminderit që na keni pritur ngrohtësisht. Është kënaqësia më e madhe e imja që t’ju nderoj me Medaljen presidenciale të Izraelit. Ndërsa ne jemi këtu, shumë izraelitë mbahen pengje dhe po luftojnë me jetën.

 

SHKARKO APP