Edi Rama rendit të vërtetat për ”Open Balkan”: Në Beograd kam kërkuar në shqip njohjen e Kosovës nga Serbia
Në një kohë që në Bulevardin ”Dëshmorët e Atdheut” u mbajt protesta e parë e thirrur nga Sali Berisha, kryeministri Edi Rama nuk ka qëndruar në heshtje.
Ai i është përgjigjur një komenti në facebook, ku thotë se në Beograd ai i ka kërkuar në shqip presidentit serb Aleksandër Vuçiç, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe se atje mbron gjithmonë interesat e vendit.
”E vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë”,-shkruan Rama në facebook.
Postimi i plotë i Edi Ramës
E vërteta është se ditën që unë vizitova Beogradin, kryeqyteti i Serbisë ishte i mbushur me flamuj shqiptarë dhe huliganët që e dogjën një flamur u arrestuan nga policia.
E vërteta është se në Beograd unë flas shqip dhe mbroj interesat e të gjithë shqiptarëve dhe të Shqipërisë natyrisht.
E vërteta është se në Beograd unë kam kërkuar shqip njohjen e Kosovës nga Serbia, mu në Pallatin Presidencial të Serbisë dhe atëherë ju më bëtë hero, por nuk isha hero atëherë e nuk jam tradhëtar tani, thjesht isha e jam kryeministri i Shqipërisë.
E vërteta është se Ballkani i Hapur është jo vetëm e ardhmja e fëmijëve të krejt rajonit, po edhe interes strategjik i Shqipërisë e i krejt kombit shqiptar.
E vërteta është se e vërteta vonon po nuk harron dhe nesër edhe ti do mendosh si unë sot, ndërsa turpin do ta mbajnë ata që e kanë, jo unë e qeveria ime, që kemi mbështetjen e shqiptarëve për të punuar, zhvilluar e për të duruar edhe baltën e lopatave të vjetra të politikës shqiptare.