Edi Rama: Shqipëria është përfshirë koalicion kundër ISIS, sepse është e rrezikuar.

Ilva Tare: Të flasim për përfshirjen e Shqipërisë në koalicionin kundër Shtetit Islamik. Shqipëria është përfshirë në atë koalicion dhe edhe këto ditët e fundit ka pasur reagime nga dy ministrat tanë, Bushati dhe Kodheli, se Shqipëria nuk është e përjashtuar nga fakti se është e rrezikuar nga terrorizmi, edhe për shkak të përfshirjes në këtë koalicion, por edhe për shqiptarët që janë përfshirë në luftën në Siri. A ka vend për alarm, realisht?

Edi Rama: Shqipëria nuk është e rrezikuar se është përfshirë në këtë koalicion. Shqipëria është përfshirë në këtë koalicion, sepse është e rrezikuar. Janë dy gjëra të ndryshme dhe s’ka vend për alarm, por ka vend për një vetëdije të plotë se bota sot është e rrezikuar nga terrorizmi dhe Shqipëria nuk është jashtë botës; përkundrazi është pjesë e pjesës më të rrezikuar të botës demokratike.

Ilva Tare: A e kemi vendimin e posaçëm për ngritjen e Njesisë Antiterror? Është marrë tashmë? A do të kemi përforcim të kësaj njesie? A jemi ne nën mbrojtjen e një aleati më të fortë se Shqipëria, për shkak të këtij rreziku?

Edi Rama: Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe s’besoj se ka ndonjë forcë më të madhe mbrojtëse sesa NATO që të mund ta aspirojmë; jemi pjesë e forcës më të madhe mbrojtëse dhe si të tillë, sigurisht, nuk kemi asnjë rrezik special.

SHKARKO APP