Edi Rama tek Ilva Tare në “Ora News”: Kemi dy qeveri, një të votuar e një në mërgim
Klikoni këtu për të ndjekur intervistën LIVE
Ilva Tare: Edi Rama mirëseredhe
Edi Rama: Nuk është bërë akoma një vit e gjysmë
Ilva Tare: Po bëhen shumë shpejt
Ilva Tare: I keni ndjekur reagimet pas daljes me deputeten Xhuvani ?
Edi Rama : Jo nuk i kam dëgjuar
Ilva Tare: Po ju them unë, e quajnë spektakël të shëmtuar
Edi Rama: S’kam asnjë koment. Kam bërë gjënë e duhur dhe do ta bëja prapë. Është e domosdoshme që ky opinion publik të mësojë të ndajë një kriminel nga familja e vet dhe nga nëna e vet, është e domosdoshme që ky opinion të mësojë të gjykojë ata që duhen gjykuar dhe të mos vazhdojë në inercinë e kohës së shkuar kur për fajet e djalit apo të babait e pësonte gjithë familja. Por unë jam i bindur që shumica dërmuese e opinionit publik është me mua.
Ilva Tare: A duhet ta kishit kandiduar për deputete përsëri zonjën Xhuvani, pas ngjarjes që ka pasur me të 3 vjet më parë?
Edi Rama: Arsyeja pse Luiza dje vendosi që të tërhiqej është e thënë shumë qartë në të gjitha fjalët e saj.
Ilva Tare: Jo po ju pyes ju pse e vutë në listë për deputete, duke pasur parasysh problemin që ka pasur?
Edi Rama: Unë e dëgjova pyetjen tuaj dhe do kisha dëshirë të dëgjoje edhe përgjigjen time. Arsyeja se pse ajo dha dje dorëheqjen është shumë e qartë në të gjitha ato që tha, ndërkohë që nuk shoh asnjë lidhje mes Luiza Xhuvanit si deputete dhe djalit të saj si një person që ka pasur probleme me drejtësinë në rastin e caktuar.
Ilva Tare: Dakord, por rishikoni lidhjen me faktin që drejtësia nuk ka vepruar në rastin e Konstandin Xhuvanit?
Edi Rama: Unë shikoj mosfunksionim të drejtësisë prej shumë kohësh dhe nuk e shikoj mosfunksionimin e drejtësisë sipas interesit, por sipas faktit që kjo drejtësi e korruptuar dhe e inkriminuar ka një rol të posaçëm në kriminalizimin e shoqërisë dhe nuk kam pasur nevojë që të ndryshoj mendim në asnjë rast dhe këtë e kam thënë edhe dje.
Në kohën kur është bërë gjykimi i parë për djalin e deputetes ka pasur një përfundim të caktuar dhe në pushtet ka qenë PD, president ka qenë kandidati i PD dhe prokuroria ka qenë ajo që vazhdon të jetë, pra krejtësisht jashtë ndikimit të PS, pra nuk shikoj ku qëndron lidhja në këtë rast, ashtu sikundër dëshiroj të vë fort theksin tek fakti se dje ishte një arsye për të qenë krenar për Policinë e Shtetit dhe krenar për Aleancën e Shqipërisë Europiane.
Ilva Tare: Për çfarë të ishit krenarë dhe kujt ja bëni këtë thirrje që të jenë krenarë?
Edi Rama: Unë nuk bëj thirrje për të qenë krenarë, unë shpreh krenari për policinë e Shtetit dhe për Aleancën e Shqipërisë Europiane.
Ilva Tare: Për policinë që kapi autorin, apo për policinë që duhet ta parandalonte?
Edi Rama: Për policinë që arriti të jetë në vendngjarje dhe të realizojë operacionin në pak minuta, si nuk ka qenë rasti në të shkuarën ndonjëherë dhe për deputeten e Aleancës së Shqipërisë Europiane që dha një shembull shumë dinjitoz duke u tërhequr nga angazhimi politik për të mos lejuar që të ketë asnjë hije mbi procesin gjyqësor dhe duke nënvizuar ajo vetë që drejtësia duhet të bëjë drejtësi dhe për këto jam legjitimisht krenar.
Ilva Tare: Zoti Rama deri kur do të vazhdoni të mateni me të shkuarën e këtij vendi e cila është në opozitë dhe ju jeni kryeministri i Shqipërisë. Cili është standardi juaj dhe me kë mateni se që policia kap autorin e një vrasje, besoj se në vendet europiane, ku ne aspirojmë të jemi pjesë ndodh normalisht. Me kë po e masni ju veten, do vazhdoni të mateni me qeveritë e mëparshme?
Edi Rama: Së pari më duhen katër vjet që të matemi me ambicjen tonë dhe me gjithë zotimet tona dhe kjo është e natyrshme, dhe së dyti është po kështu e natyrshme që këtij opinioni që sot nën shembullin dhe udhëheqjen e gojëve të ulët të jetës politike vë ulurimën, t’i kujtohen disa gjëra, psh që një balerinë 19 vjeç është vrarë live nga nipi i nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, të cilit nuk i hyri asnjë gjemb nën këmbë, as nipit as nëndrejtorit. Të kujtohet që një kamarier është qëlluar me plumb dhe është plagosur nga truproja i djalit të kryeministrit dhe nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë truprojës, ndërkohë që kamarieri u kërcënua që të tërheqë dëshminë.
Këto janë gjëra që kanë ndodhur në Shqipërinë tonë të dashur dhe nuk kanë ndodhur 20 vjet më parë, por janë gjëra që kanë ndodhur vetëm pak kohë më parë. Ashtu sikundër, vetëm pak kohë më parë kanë ndodhur dhe shumë gjëra të tjera që sot nuk ndodhin më, apo që sot ndodhin krejt ndryshe dhe sigusisht kjo shënon progres dhe fatmirësisht njerëzit, opinioni publik në shumicë dërmuese ka vetëdijen e plotë të këtij progresi që po shënohet dita ditës.
Ilva Tare: Ka gjëra të reja që po ndodhin, drejtori i Policisë së Shteti shkon në Vlorë për të falenderuar, apo për të dhënë fletë lavdërimi për policët që kapën grabitësit e një banke. Çfarë do të thotë kjo?
Edi Rama: As nuk e di çfarë është kjo dhe…
Ilva Tare: Ka qenë sot, Zoti Didi ka qenë në Vlorë për të përgëzuar policët që në fund të fundit bënë detyrën.
Edi Rama: Është puna e tij që të përgëzojë policët dhe nëse e ka bërë, ka bërë shumë mirë, sepse fakti që policët bëjnë detyrën është një gjë e re në Shqipëri, nuk është një gjë me të cilën ishim mësuar dhe fakti që policia është në krye të detyrës, nuk është një lajm i vjetër, është një lajm i ri në Shqipëri.
Ilva Tare: Më dolët tamam aty ku doja të mbetesha pak. Ju besoj se i dini detyrat e policisë, por mua mu deshën t’i printoja se më duhej të hapja ligjin, por detyra parësore e policisë është të mbrojë jetën, shëndetin, pronën publike, pronën private, ruan rendin, sigurinë publike. Pse nuk e ruajti policia zotin Xhuvani i cili ka qenë dhe në kërkim në prill të 2014 kur nuk ishte në gjendje ta arrestonte, pse nuk e ruante si kontigjent që mund të bënte dhe një krim të mundshëm, por ai ishte dhe i armatosur, pse nuk bën këto detyra policia?
Edi Rama: Arsyeja pse ju bëni këto pyetje sepse parafytyroni dicka që nuk ndodh në asnjë vend të botës, dhe nga ana tjetër sepse…
Ilva Tare: Çfarë nuk ndodh në vend tjetër të botës që policia ruan kontigjentët që i mendon si..të mundshëm për të kryer krime?
Edi Rama: Sepse në çdo vend të botës ndodhin vrasje, edhe me makabre se kaq dhe është njësoj të thuash pse FBI nuk i ruante ata që futen nëpër shkolla dhe vrasin nga 15 veta përnjeherë dhe është njësoj sikur të thuash se si ka mundësi që në këtë vend apo atë vend ndodhin…Krimi është aty dhe lufta me krimin nuk ka përfunduar dhe nuk përfundon kurrë as në Gjermani dhe as në Angli, as në cilindo vend që e ka rendi në shkallë sipërore dhe ligjin në shkallë sipërore dhe jo më të ndodhë në Shqipëri 14 muaj siç thatë ju, pasi krimi jo vetëm bënte çfarë të donte por e drejtonte Policinë e Shtetit. Kështu që thënë të gjitha këto ju keni edhe një gabim tjetër që nuk e dini që policia e shtetit.. dhe nuk është faji juaj që nuk e dini..
Ilva Tare: Jo s’ka problem nuk komleksohem unë nga fajet, por ma sqaroni çfarë është se unë lexova nenin.
Edi Rama: Policia e Shtetit e ka shpallur në kërkim rastin në fjalë.
Ilva Tare:…për një muaj dhe nuk e ka gjetur
Edi Rama: Jo nuk e ka gjetur dot.
Ilva Tare: Po pse nuk e..ndaloj?
Edi Rama: Sepse për të vepruar i duhet masa e Prokurorisë dhe sikundër sot Prokuroria deklaroi nuk e kishte parë të arsyeshme shpalljen në kërkim, sepse sipas hetimit të saj, subjekti nuk kishte qenë aty ku thoshte policia po kishte qenë diku tjetër. Kështu që është shumë e mirëpritur çdo kritikë, por njëkohëshisht duhet të jetë e mirëpritur edhe çdo e vërtetë dhe e vërteta është që koha kur kishte një shtet për disa dhe një shtet për disa të tjerë, kur kishte një polici për disa dhe një polici për disa të tjerë ka marrë fund. Ne nuk shohim kush del përpara, kush del përpara dhe është objekt i policisë së shtetit trajtohet si objekt i policisë së shtetit.
Kritika nga Mero Baze
Ilva Tare: Kam dhe një zë tjetër që vitet e fundit nuk ka qënë kritik me ju, është Mero Baze, që flet për klientelizëm në aksionet e qeverisë: “Forcimi i Kodit Rrugor në disa pika është i nevojshëm, – thotë Baze, – por fushatat plaçkitëse me gjoba hanë diskutim. Fjala vjen, fushata për kontrollin e kutive të ndihmës së shpejtës, bie pak erë klientelizmi, pasi policia duket sikur është orientuar tek disa kuti.” A ka klientelizëm në këtë fushatë, z.Rama?
Edi Rama: Jo, nuk ka klientelizëm! Kutinë e ndihmës së shpejtë nuk e kemi vënë ne në ligj. Ne nuk kemi vënë në ligj pothuajse asgjë nga ato që kërkojmë. Ligjet kanë qënë aty, të shkruara, por s’i ka zbatuar kush dhe tani ne kemi përgjegjësinë t’i zbatojmë, por ne nuk mund të marrim fajin psepo i zbatojmë. Kutia e ndihmës së shpejtë është në ligj. Nuk e kemi vënë ne në ligj dhe Policia, e cila ka marrë urdhër të zbatojë me përpikmëri ligjin, ka kërkuar edhe këtë. Jemi tërhequr përkohësisht nga kjo pikërisht për shkak të sensibilitetit, që u krijua dhe për t’i dhënë kohë dhe njerëzve ta mësojnë dhe këtë dhe t’i adaptohen ligjit. Ne jemi kandidatë për në BE. Ne po përpiqemi në një rrugë, ku shumë shpejt do të ketë dhe negociata me BE-në dhe këto gjëra për të cilat ne diskutojmë sot dhe këto çështje për të cilat ne humbasim kohën e njeri – tjetrit, shtet policor, shtet jopolicor, janë elementare. Me sa duket, shumëkush nga minoranca e zhurmshme, se shumica e heshtur është shumë më e qartë, nuk e kanë idenë fare se në çfarë do të përballet Shqipëria në kuptimin e zbatimit të ligjit kur vjen puna tek standartet e BE-së. Këto nuk janë standarte…
Ilva Tare: Njerëzit kanë udhëtuar jashtë, i kanë parë besoj…
Edi Rama: Jo, jo! Kërkesat që ka Bashkimi Europian për të kaluar nga një vend kandidat, në një vend anëtar, se çfarë detajesh; kutia e ndihmës së shpejtë, për shembull, është një element nga më elementarët dhe më qesharakët dhe…
Ilva Tare: Besoj se kërkesa e tyre më e rëndësishme është të luftohet korrupsioni në nivelet më të larta, apo jo?
Edi Rama: Dakord, dakort!
Ilva Tare: Nuk është kjo kërkesa e Bashkimit Europian për të hapur negociatat?! Kutia e ndihmës së shpejtë ka qënë problemi?
Edi Rama: Unë nuk e kuptoj përsëri bisedën! Sinqerisht.
Ilva Tare: Sepse duket sikur merremi me vogëlsira përballë problemeve shumë të mëdha që janë para syve dhe tuajve dhe të shqiptarëve.
Edi Rama: Zonjë, ne merremi me detyrat tona, nga më të mëdhatë deri tek më të voglat dhe…
Ilva Tare: Dakord. Në opinionin publik, jo vetëm në minorancë, lini përshtypjen se ka klientelizëm.
Edi Rama: …dhe ne nuk mund t’i themi Policisë së Shtetit, shiko, gjërat e mëdha janë këto e këto janë ca gjëra të vogla, ju mos i zbatoni. Ndërkohë që, sigurisht, nëse identifikojmë opinionin publik me disa kritikë, që nuk marrin mundimin fare as të lexojnë ligjin, as të verifikojnë sa e vërtetë është kjo që themi ne, sa e vërtetë është ajo që thuhet, atëherë patjetër që duket sikur përplasemi për dy të vërteta. Por nuk ka dy të vërteta, ka një të vërtetë në këtë rast dhe e vëreta në këtë rast është kjo që po ju them unë.
Ilva Tare: Të flasim për përfshirjen e Shqipërisë në koalicionin kundër Shtetit Islamik. Shqipëria është përfshirë në atë koalicion dhe edhe këto ditët e fundit ka pasur reagime nga dy ministrat tanë, Bushati dhe Kodheli, se Shqipëria nuk është e përjashtuar nga fakti se është e rrezikuar nga terrorizmi, edhe për shkak të përfshirjes në këtë koalicion, por edhe për shqiptarët që janë përfshirë në luftën në Siri. A ka vend për alarm, realisht?
Edi Rama: Shqipëria nuk është e rrezikuar se është përfshirë në këtë koalicion. Shqipëria është përfshirë në këtë koalicion, sepse është e rrezikuar. Janë dy gjëra të ndryshme dhe s’ka vend për alarm, por ka vend për një vetëdije të plotë se bota sot është e rrezikuar nga terrorizmi dhe Shqipëria nuk është jashtë botës; përkundrazi është pjesë e pjesës më të rrezikuar të botës demokratike.
Ilva Tare: A e kemi vendimin e posaçëm për ngritjen e Njesisë Antiterror? Është marrë tashmë? A do të kemi përforcim të kësaj njesie? A jemi ne nën mbrojtjen e një aleati më të fortë se Shqipëria, për shkak të këtij rreziku?
Edi Rama: Ne jemi anëtarë të NATO-s dhe s’besoj se ka ndonjë forcë më të madhe mbrojtëse sesa NATO që të mund ta aspirojmë; jemi pjesë e forcës më të madhe mbrojtëse dhe si të tillë, sigurisht, nuk kemi asnjë rrezik special.
Ilva Tare: Dakord, pra, nuk ka vend për panik dhe alarm në informacionet tuaja. Do të kthehemi në një çështje tjetër, që sot ishtë në lajmet kryesore të ditës, besoj se do ta keni ndjekur, kalimin nga Gjykata e Lartë vetëm për detyrim paraqitjeje për ish-Guvernatorin Fullani dhe ish-Kryeinspektoren Golemi. Drejtësia, po e heton mirë, grabitjen e Bankës së Shtetit, z.Kryeministër? Sipas jush.
Edi Rama: Nuk jam në brendi të hetimit, por di të them se përsa më takon jam shumë i angazhuar që Banka e Shqipërisë të dalë më e pavarur, më e sigurtë dhe pa as më të voglin dyshim, me më shumë integritet nga kjo krizë e rëndë që kaloi.
Ilva Tare: Ka rënë në sy megjithatë fakti se nga arrestime të bujshme dhe pranga që iu vunë Guvernatorit, sot në qeli është vëtëm Bitraj, i cili u vetëdorëzua në Polici. Mund të jetë drejtësia duke bërë sërish ato vendime që ju i thatë pak më parë – për drejtësinë e dikurshme të paktën – dhe të jetë me vendime, që nuk po zbardhin të vërtetën?
Edi Rama: Po më pyesni mua tani?
Ilva Tare: Po kë duhet të pyes?
Edi Rama: Jo, sepse unë kam gjysëm orë që po flas për një drejtësi, që nuk funksion në Shqipëri dhe nuk kam…
Ilva Tare: Edhe në këtë rast nuk po funksionon?
Edi Rama: …dhe nuk kam ndërmend të bie në kurthin që të bëj komente specifike për një rast apo për një rast tjetër, sepse kësaj i thonë “kur të intereson, duhet folur për këtë, kur s’të intereson, s’duhet folur për këtë.” Unë e përsëris se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është një kancer, që duhet pastruar. Nuk mund të pastrohet me kozmetikë, nuk mund të pastrohet me aspirina, nuk mund të pastrohet përveçse me terapi intensive dhe operacion radikal. Ne jemi në proces, reforma në drejtësi ka nisur, do ta çojmë atë përpara me vendosmëri, do të kërkojmë gjithpërfshirje, por nuk do të ndalojmë dhe nuk do të lejojmë që askush të na i lidhë këmbët me pretekstin e gjoja pavarësisë së sistemit. Kjo nuk është një drejtësi e pavarur, kjo është një drejtësi e kapur nga gjithfarëlloj interesash, përveç interesit kombëtar dhe interesit të popullit dhe qytetarit shqiptar.
Vijon..