Edi Rama tek Ilva Tare në “Ora News”: Më duhen 4 vjet për premtimet
Ilva Tare: Edi Rama mirëseredhe
Edi Rama: Nuk është bërë akoma një vit e gjysmë
Ilva Tare: Po bëhen shumë shpejt
Ilva Tare: I keni ndjekur reagimet pas daljes me deputeten Xhuvani ?
Edi Rama : Jo nuk i kam dëgjuar
Ilva Tare: Po ju them unë, e quajnë spektakël të shëmtuar
Edi Rama: S’kam asnjë koment. Kam bërë gjënë e duhur dhe do ta bëja prapë. Është e domosdoshme që ky opinion publik të mësojë të ndajë një kriminel nga familja e vet dhe nga nëna e vet, është e domosdoshme që ky opinion të mësojë të gjykojë ata që duhen gjykuar dhe të mos vazhdojë në inercinë e kohës së shkuar kur për fajet e djalit apo të babait e pësonte gjithë familja. Por unë jam i bindur që shumica dërmuese e opinionit publik është me mua.
Ilva Tare: A duhet ta kishit kandiduar për deputete përsëri zonjën Xhuvani, pas ngjarjes që ka pasur me të 3 vjet më parë?
Edi Rama: Arsyeja pse Luiza dje vendosi që të tërhiqej është e thënë shumë qartë në të gjitha fjalët e saj.
Ilva Tare: Jo po ju pyes ju pse e vutë në listë për deputete, duke pasur parasysh problemin që ka pasur?
Edi Rama: Unë e dëgjova pyetjen tuaj dhe do kisha dëshirë të dëgjoje edhe përgjigjen time. Arsyeja se pse ajo dha dje dorëheqjen është shumë e qartë në të gjitha ato që tha, ndërkohë që nuk shoh asnjë lidhje mes Luiza Xhuvanit si deputete dhe djalit të saj si një person që ka pasur probleme me drejtësinë në rastin e caktuar.
Ilva Tare: Dakord, por rishikoni lidhjen me faktin që drejtësia nuk ka vepruar në rastin e Konstandin Xhuvanit?
Edi Rama: Unë shikoj mosfunksionim të drejtësisë prej shumë kohësh dhe nuk e shikoj mosfunksionimin e drejtësisë sipas interesit, por sipas faktit që kjo drejtësi e korruptuar dhe e inkriminuar ka një rol të posaçëm në kriminalizimin e shoqërisë dhe nuk kam pasur nevojë që të ndryshoj mendim në asnjë rast dhe këtë e kam thënë edhe dje.
Në kohën kur është bërë gjykimi i parë për djalin e deputetes ka pasur një përfundim të caktuar dhe në pushtet ka qenë PD, president ka qenë kandidati i PD dhe prokuroria ka qenë ajo që vazhdon të jetë, pra krejtësisht jashtë ndikimit të PS, pra nuk shikoj ku qëndron lidhja në këtë rast, ashtu sikundër dëshiroj të vë fort theksin tek fakti se dje ishte një arsye për të qenë krenar për Policinë e Shtetit dhe krenar për Aleancën e Shqipërisë Europiane.
Ilva Tare: Për çfarë të ishit krenarë dhe kujt ja bëni këtë thirrje që të jenë krenarë?
Edi Rama: Unë nuk bëj thirrje për të qenë krenarë, unë shpreh krenari për policinë e Shtetit dhe për Aleancën e Shqipërisë Europiane.
Ilva Tare: Për policinë që kapi autorin, apo për policinë që duhet ta parandalonte?
Edi Rama: Për policinë që arriti të jetë në vendngjarje dhe të realizojë operacionin në pak minuta, si nuk ka qenë rasti në të shkuarën ndonjëherë dhe për deputeten e Aleancës së Shqipërisë Europiane që dha një shembull shumë dinjitoz duke u tërhequr nga angazhimi politik për të mos lejuar që të ketë asnjë hije mbi procesin gjyqësor dhe duke nënvizuar ajo vetë që drejtësia duhet të bëjë drejtësi dhe për këto jam legjitimisht krenar.
Ilva Tare: Zoti Rama deri kur do të vazhdoni të mateni me të shkuarën e këtij vendi e cila është në opozitë dhe ju jeni kryeministri i Shqipërisë. Cili është standardi juaj dhe me kë mateni se që policia kap autorin e një vrasje, besoj se në vendet europiane, ku ne aspirojmë të jemi pjesë ndodh normalisht. Me kë po e masni ju veten, do vazhdoni të mateni me qeveritë e mëparshme?
Edi Rama: Së pari më duhen katër vjet që të matemi me ambicjen tonë dhe me gjithë zotimet tona dhe kjo është e natyrshme, dhe së dyti është po kështu e natyrshme që këtij opinioni që sot nën shembullin dhe udhëheqjen e gojëve të ulët të jetës politike vë ulurimën, t’i kujtohen disa gjëra, psh që një balerinë 19 vjeç është vrarë live nga nipi i nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, të cilit nuk i hyri asnjë gjemb nën këmbë, as nipit as nëndrejtorit. Të kujtohet që një kamarier është qëlluar me plumb dhe është plagosur nga truproja i djalit të kryeministrit dhe nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë truprojës, ndërkohë që kamarieri u kërcënua që të tërheqë dëshminë.
Këto janë gjëra që kanë ndodhur në Shqipërinë tonë të dashur dhe nuk kanë ndodhur 20 vjet më parë, por janë gjëra që kanë ndodhur vetëm pak kohë më parë. Ashtu sikundër, vetëm pak kohë më parë kanë ndodhur dhe shumë gjëra të tjera që sot nuk ndodhin më, apo që sot ndodhin krejt ndryshe dhe sigusisht kjo shënon progres dhe fatmirësisht njerëzit, opinioni publik në shumicë dërmuese ka vetëdijen e plotë të këtij progresi që po shënohet dita ditës.
Ilva Tare: Ka gjëra të reja që po ndodhin, drejtori i Policisë së Shteti shkon në Vlorë për të falenderuar, apo për të dhënë fletë lavdërimi për policët që kapën grabitësit e një banke. Çfarë do të thotë kjo?
Edi Rama: As nuk e di çfarë është kjo dhe…
Ilva Tare: Ka qenë sot, Zoti Didi ka qenë në Vlorë për të përgëzuar policët që në fund të fundit bënë detyrën.
Edi Rama: Është puna e tij që të përgëzojë policët dhe nëse e ka bërë, ka bërë shumë mirë, sepse fakti që policët bëjnë detyrën është një gjë e re në Shqipëri, nuk është një gjë me të cilën ishim mësuar dhe fakti që policia është në krye të detyrës, nuk është një lajm i vjetër, është një lajm i ri në Shqipëri.
Kritika nga Mero Baze
Ilva Tare: Kam dhe një zë tjetër që vitet e fundit nuk ka qënë kritik me ju, është Mero Baze, që flet për klientelizëm në aksionet e qeverisë: “Forcimi i Kodit Rrugor në disa pika është i nevojshëm, – thotë Baze, – por fushatat plaçkitëse me gjoba hanë diskutim. Fjala vjen, fushata për kontrollin e kutive të ndihmës së shpejtës, bie pak erë klientelizmi, pasi policia duket sikur është orientuar tek disa kuti.” A ka klientelizëm në këtë fushatë, z.Rama?
Edi Rama: Jo, nuk ka klientelizëm! Kutinë e ndihmës së shpejtë nuk e kemi vënë ne në ligj. Ne nuk kemi vënë në ligj pothuajse asgjë nga ato që kërkojmë. Ligjet kanë qënë aty, të shkruara, por s’i ka zbatuar kush dhe tani ne kemi përgjegjësinë t’i zbatojmë, por ne nuk mund të marrim fajin psepo i zbatojmë. Kutia e ndihmës së shpejtë është në ligj. Nuk e kemi vënë ne në ligj dhe Policia, e cila ka marrë urdhër të zbatojë me përpikmëri ligjin, ka kërkuar edhe këtë. Jemi tërhequr përkohësisht nga kjo pikërisht për shkak të sensibilitetit, që u krijua dhe për t’i dhënë kohë dhe njerëzve ta mësojnë dhe këtë dhe t’i adaptohen ligjit. Ne jemi kandidatë për në BE. Ne po përpiqemi në një rrugë, ku shumë shpejt do të ketë dhe negociata me BE-në dhe këto gjëra për të cilat ne diskutojmë sot dhe këto çështje për të cilat ne humbasim kohën e njeri – tjetrit, shtet policor, shtet jopolicor, janë elementare. Me sa duket, shumëkush nga minoranca e zhurmshme, se shumica e heshtur është shumë më e qartë, nuk e kanë idenë fare se në çfarë do të përballet Shqipëria në kuptimin e zbatimit të ligjit kur vjen puna tek standartet e BE-së. Këto nuk janë standarte…
Ilva Tare: Njerëzit kanë udhëtuar jashtë, i kanë parë besoj…
Edi Rama: Jo, jo! Kërkesat që ka Bashkimi Europian për të kaluar nga një vend kandidat, në një vend anëtar, se çfarë detajesh; kutia e ndihmës së shpejtë, për shembull, është një element nga më elementarët dhe më qesharakët dhe…
Ilva Tare: Besoj se kërkesa e tyre më e rëndësishme është të luftohet korrupsioni në nivelet më të larta, apo jo?
Edi Rama: Dakord, dakort!
Ilva Tare: Nuk është kjo kërkesa e Bashkimit Europian për të hapur negociatat?! Kutia e ndihmës së shpejtë ka qënë problemi?
Edi Rama: Unë nuk e kuptoj përsëri bisedën! Sinqerisht.
Ilva Tare: Sepse duket sikur merremi me vogëlsira përballë problemeve shumë të mëdha që janë para syve dhe tuajve dhe të shqiptarëve.
Edi Rama: Zonjë, ne merremi me detyrat tona, nga më të mëdhatë deri tek më të voglat dhe…
Ilva Tare: Dakord. Në opinionin publik, jo vetëm në minorancë, lini përshtypjen se ka klientelizëm.
Edi Rama: …dhe ne nuk mund t’i themi Policisë së Shtetit, shiko, gjërat e mëdha janë këto e këto janë ca gjëra të vogla, ju mos i zbatoni. Ndërkohë që, sigurisht, nëse identifikojmë opinionin publik me disa kritikë, që nuk marrin mundimin fare as të lexojnë ligjin, as të verifikojnë sa e vërtetë është kjo që themi ne, sa e vërtetë është ajo që thuhet, atëherë patjetër që duket sikur përplasemi për dy të vërteta. Por nuk ka dy të vërteta, ka një të vërtetë në këtë rast dhe e vëreta në këtë rast është kjo që po ju them unë.
(Vijon pasi është duke folur në emision)