Edi Rama uron mirëmëngjes nga Aeroporti “Nënë Tereza”, ku thyhen rekorde pasagjerësh

“Mirëmëngjes dhe me aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, ku vetëm muajin korrik numri i hyrjeve në Shqipëri i kaloi 1 milionë dhe hynë më shumë pasagjerë se sa erdhën në të gjithë vitin 2013, duke na dhënë një tregues kuptimplotë të transformimit epokal të Shqipërisë turistike në harkun e një dekade, ju uroj të diel të bukur”, shkruan Kryeministri Rama në rjetet sociale.

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas mirëpriti në muajin korrik një numër të lartë pasagjerësh duke thyer rekorde.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se rreth 1.2 milionë pasagjerë kanë ardhur në këtë aeroport ose 350 mijë më shumë se vitin e kaluar”.

Shifra është ndjeshëm më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si një qendër lidhëse rajonale.

“Aeroporti Nënë Tereza ofron një mirëseardhje të ngrohtë për bashkatdhetarët tanë dhe vizitorët e huaj  e njëkohësisht vazhdon të thyejë rekorde të paimagjinueshme deri pak kohë më parë”, tha Kumbaro.

Në shtatë muajt e parë të vitit shifrat nga TIA tregojnë se janë gati 6 milionë pasagjerë që kanë mbërritur në vend, ndërsa numri i të huajve që kanë vizituar Shqipërinë është rritur me 157% në këtë periudhë.

Krahas rritjes së numrit të pasagjerëve, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës arriti një moment historik të ri operacional në korrik, duke procesuar 126 fluturime në mbërritje dhe 126 në nisje brenda një dite, duke numëruar gjithsej 252 fluturime – numri më i lartë i regjistruar deri më sot.

Gjatë këtij viti pritet që numri i pasagjerëve të shkojë 8.4 milionë.

Në janar të këtij viti ka nisur puna për zgjerimin e pistës në aeroportin e Rinasit, për të mundësuar fluturime transoqeanike. Parashikohet që në 3-mujorin e parë të vitit 2025 të nisin fluturimet Tiranë – Nju-Jork.

SHKARKO APP