Edi Rama uron një diel të paqtë nga bardhësitë dehëse të Majes së Jezercës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zgjedhur Maja e Jezercës, pika më e lartë e Parkut Kombëtar të Alpeve, për të përcjellë urimin e tij të mëngjesit për qytetarët. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka ndarë një fotogaleri që sjell peizazhe mahnitëse dimërore, alpinistë dhe të apasionuar pas natyrës së egër, të cilët eksplorojnë këto lartësi unike në zemër të Alpeve Shqiptare.

“Mirëmëngjes dhe një të diel të paqtë nga Maja e Jezercës, më e larta e Parkut Kombëtar të Alpeve, që çdo ditë po eksplorohet nga të apasionuarit pas eksperiencave unike mes natyrës së egër në zemër të alpeve,” shkruan kryeministri në mesazhin e tij.

Pamjet e ndara nga Rama pasqyrojnë bardhësinë e pafund të dëborës dhe bukuritë e paprekura të natyrës shqiptare, që çdo vit tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë dhe alpinistë vendas e të huaj. Maja e Jezercës, e njohur për lartësinë dhe vështirësinë e saj, është një nga destinacionet më të pëlqyera për të apasionuarit pas aventurës dhe natyrës.

Urimi i kryeministrit vjen si një thirrje për të vlerësuar dhe eksploruar thesaret natyrore të vendit, duke i dhënë vëmendje të veçantë turizmit malor dhe bukurive të pazbuluara të Alpeve Shqiptare.

Albert Vataj

SHKARKO APP