Edi Rama:Investime në Pogradec, turizëm, siguri dhe shërbime për qytetarët
Një shëtitore 17.3 kilometra bregut të liqenit të Ohrit, e gjelbëruar në të dyja anët e saj dhe një korsi për lëvizjen me biçikletë dhe një rrugë e standardeve europiane do të jetë së shpejti, pamja e re e hyrjes në qytetin e Pogradecit. Përgjatë segmentit Lin-Pogradec po zbatohen projektet për rindërtimin e rrugës dhe rehabilitimin e gjelbërimin e bregut të liqenit të Ohrit, të financuara nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe kryetari i Bashkisë Pogradec Artan Shkëmbi, inspektoi sot, punimet tërësore që po kryhen në këtë segment.
Drejtues të Autoritetit Rrugor informuan se po punohet për përfundimin e rikonstruksionit të rrugës, për ta bërë të shfrytëzueshme për sezonin turistik, ndërkohë që ka nisur edhe projekti për shëtitoren. Ky projekt parashikon gjithashtu, pastrimin nga inertet dhe rehabilitimin e zonave të ndërtimeve të prishura, sistemimin e terrenit dhe gjelbërimin e tyre.
Kryeministri veçoi të rëndësishme, respektimin e objektivit që rruga të jetë gati para nisjes së sezonit turistik. Ndërsa theksoi se të gjitha këto ndërhyrje do ta kthejnë bregun e liqenit të Ohrit në një nga aset e çmuara turistike të vendit.
“Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet. Të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peizazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes. Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash.” – u shpreh Kryeministri Rama.
Ndërhyrjet urbane në Pogradec janë pjesë e projektit të qeverisë për rilindjen e qyteteve.
Në Pogradec, Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përuruan Zyrën e Shërbimit Unik për qytetarët. Kjo zyrë përmbledh në një sportel të vetëm të gjitha shërbimet që policia e Shtetit u ofron qytetarëve.
Në ambientet e saj, Kryeministri u shoh me shërbimet që sporteli unik ofron. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë të Qarkut Korçë Edmond Targaj bëri një përshkrim të aktivitetit të zyrës. “Aktualisht shërben në dy fusha; ankesat dhe krimet administrative, por edhe për çështjet penale, kallëzimet. Deri më sot është bërë në kushte jo të përshtatshme.”
Ministri Tahiri u shpreh se Zyra e Shërbimit Unik garanton një shërbim cilësor ndaj qytetarëve, por edhe eliminon praktikat abuzimeve dhe korruptive të punonjësve të policisë. Viti 2015, tha Tahiri, është viti i modernizimit teknologjik, modernizimit infrastrukturor, por edhe i ndryshimit të mentalitetit të punonjësve të Policisë së Shtetit në shërbimin ndaj qytetarëve.
“Zyrat e shërbimit qytetar janë një prioritet yni për të garantuar shërbime cilësore ndaj qytetarëve. Kjo nuk është e vetmja, gjatë vitit 2014 kemi hapur një sërë zyrash të tilla në disa qytete të Shqipërisë, por ne do të vijojmë me modernizimin teknologjik, me modernizimin infrastrukturor dhe me modernizimin e shërbimeve të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve, si e vetmja rrugë për të dhënë shërbime cilësore ndaj qytetarëve, por edhe për të luftuar bashkë korrupsionin brenda policisë së shtetit dhe kriminalitetin e paligjshmërinë në tërësi,” – u shpreh ministri Tahiri.
Shërbimi cilësor ndaj qytetarëve, nënvizoi ministri i Brendshëm, është e vetmja rrugë për të rritur besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit.
***
Në Pogradec janë mbyllur galeritë e rrezikshme të minierave të vjetra, cila ndër vite kanë marrë jetë njerëzish. Kryeministri Edi Rama ishte sot në një prej këtyre galerive të braktisura, e cila pas ndërhyrjeve teknike është bërë e paaksesueshme për njerëzit.
Drejtori i Repartit të Inspektimit dhe të Shpëtimit të Minierave Rrapush Tola informoi se gjatë këtij viti me fonde të qeverisë, në të gjithë territorin e Shqipërisë, janë mbyllur 119 gryka galerish që paraqisnin rrezikshmëri të lartë për banorët e zonave të tyre. “Nisur nga situatat që kanë ndodhur në minierat e vjetra të braktisura në vite, ku dhjetëra njerëz kanë humbur jetën në këto punime, me fondet të qeverisë u bë e mundur që gjatë këtij vit u mbyllen 119 gryka galerish në të gjithë territorin e Shqipërisë. Janë mbyllur 53 galerinë rrethin e Korçës, 40 në Pogradec, 13 në Librazhd, 9 në Tiranë dhe 4 në Tepelenë. Një galeri nga më të rrezikshmet ku mund të ndodhnin aksidente është dhe kjo galeri që kemi përballë, mbylljet janë bërë me mur betoni, janë mbushur me dhe ose janë bërë shembje me mina”, – shpjegoi ai.
Gjithashtu, Drejtori Tola bëri të ditur se në buxhet janë parashikuar, edhe 40 milion lekë të reja, për të vijuar me fazën tjetër të mbylljes së galerive, të cilat paraqesin rrezikshmëri më të ulët. “Janë dhe 500 gryka galerish që janë më të vogla, më të cekëta, por që e mira është që dhe këto të mbyllen hap pas hapi pasi paraqesin rrezik. Situatë është nën kontroll sepse janë mbyllur pikat më të rrezikshme që ka pasur në territorin shqiptar. Për vitin që vjen, në buxhet janë parashikuar gjithashtu edhe 40 milion lekë të reja të tjera për mbylljen e fazës tjetër të galerive”. – përfundoj drejtori Tola