Edicioni i “PriFest” i kushtohet këtë vit Vjosa Berishës, Veliaj: I premtova që do të merrja pjesë!
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Prishtina International Film Festival” (PriFest) ka hapur mbrëmjen e djeshme edicionin e 14-të të tij në Kino Armata në Prishtinë. Hapjes së këtij edicioni i parapriu një performancë artistike dedikuar themelueses dhe drejtoreshës së këtij festivali, Vjosa Berisha, e cila u nda nga jeta në qershor të këtij viti.
Në çeljen e këtij festivali, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi kontributin e themelueses së “PriFest”-it Vjosa Berisha.
“Unë besoj që sot është një ditë e madhe reflektimi për ne. Mbaj mend vjet në edicionin e fundit, isha rastësisht në Prishtinë, kur shoqja ime e ngushtë Vlora Çitaku më thotë, “do t’i bëjmë një surprizë Vjosës, sepse është festivali”, edhe i premtova: “Vjosë, – i thashë, – një gjë kaq e bukur, nuk mund të ndodhë pa u përfshirë Tirana. Kështu që sot jam këtu që të mbaj fjalën që i dhashë Vjosës, që ne do të përfshiheshim në edicionin e radhës dhe besoj që në vitin kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë nuk mund të mos mungonim, sepse unë besoj fort që ajo që është një histori suksesi në Prishtinë, është edhe suksesi ynë në Tiranë dhe ajo që është një gjë e bukur në Tiranë, është edhe suksesi i Prishtinës,” u shpreh Veliaj.
Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe një program special i festivalit të filmit të Odesës (Odesa International Film Festival).
“Vjosa do ishte shumë krenare sot që Ukraina është prezente, që Odesa është këtu prezente. Ndonjëherë e marrim njëri – tjetrin për të mirëqenë. Ne i marrim fqinjët për të mirëqenë dhe ndonjëherë harrojmë që fqinjët jemi po ne vetë, Shqipëria dhe Kosova, jemi ne vetë. Pyesni dikë në Ukrainë: A mund t’i marrësh “for granted” fqinjët?” Ata kanë fqinj Rusinë që një ditë zgjohet dhe i pushton. Nuk duhet ta marrim njëri – tjetrin për të mirëqenë, sikur edhe ky leksion që ndodhi në Ukrainë, duhet ta çmojmë shumë njëri – tjetrin dhe ta duam shumë njëri – tjetrin, mos të gjemë arsye për t’u përçarë, por të gjejmë arsye për t’u bashkuar,” nënvizoi Veliaj.