Edmod Spaho shpjegon përse u largua nga Komisioni Hetimor: Maxhoranca po pengon me të gjitha mjetet hetimin e aferës së inceneratorëve
Deputeti Edmond Spaho nuk do të jetë më pjesë e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve.
Në një postim në Facebook, Spaho ka shpjeguar të gjitha arsyet e këtij vendimi
Reagimi i plotë i Edmond Spahos
Të nderuar qytetarë,
Me keqardhje sot vendosa t’i jap fund pjesëmarrjes sime ne Komisionin hetimor për hetimin e vjedhjes më të madhe në historine e shtetit shqiptar, aferës së inceneratorëve. Megjithë perpjekjet e mëdha qe kam bërë për të kryer detyrën time në këtë komision, si dhe përpjekjet e gjithë kolegëve të opozitës, vë re se:
1. Maxhoranca po pengon me të gjitha mjetet hetimin e aferës së inceneratorëve.
· Institucionet shtetërore nuk përmbushin detyrimin për dhënien e informacionit sipas përcaktimeve ligjore. Tre muaj në dispozicion për të hetuar këtë aferë u shpenzuan vetëm për mbledhje materialesh dhe të dhënash. Aktualisht një numër institucionesh shtetërore dhe private ende nuk i kanë sjellë ato sipas kërkesave.
· Maxhoranca po pengon me pretekste absurde dëgjimin e dëshmitarëve për të cilët Komisioni me votë ka marre vendim për t’i dëgjuar. Dje nuk u dëgjuan dy gazetarë të cilët kanë kryer investigime thelbësore për abuzimet në ndërtimin dhe shfrytëzimin e inceneratorit të Elbasanit.
Së pari: kanë investiguar procedurën e dhënies së koncensionit e cila është në shkelje të ligjit për koncesionet. Në Elbasan nuk ka pasur emergjencë mjedisore pasi autoriteti përkatës në Ministrinë e Mjedisit nuk ka marrë asnjëherë vendim për shpalljen e Elbasanit emergjencë mjedisore. Për rrjedhojë, dhënia e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit me negociim direkt kompanisë së Klodian Zotos dhe Stela Gugalles është bërë në shkelje të ligjit.
Së dyti: Kanë investiguar që Qeveria Shqiptare me VKM ka autorizuar Ministrinë e Mjedisit të lidhë një kontratë të dytë me firmën e Kiodian Zotos për prodhimin e energjisë elektrike nga impianti elektrik i inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet. Kontrata e parë e lidhur me Ministrinë e Mjedisit parashikon që inceneratori së bashku me impiantin e energjisë t’i rikthehen shtetit shqiptar pas 7 vitesh shfrytëzimi. Përse dy vendime qeverie dhe dy kontrata të ndryshme?
Preteksti që u paraqit per mosdëgjimin e gazetarëve ishte që Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugalla kanë hedhur gazetarët ne gjyq. Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugalla janë në arrati për akuzat që kanë ngritur gazetarët vite përpara. Maxhoranca në mbrojtje të këtyre abuzuesve nuk lejoi dëgjimin e gazetarëve.
· Stafi i Kuvendit, i vënë në dispozicion të Komisionit, është nën presionin politik të maxhorancës dhe interpreton ligjet dhe rregulloren e Komisioneve hetimore sipas orekseve të maxhorancës.
Dje juristja e Komisionit konfirmoi që gazetarët kanë konflikt interesi prandaj nuk duhen dëgjuar. Kjo nuk është e vërtetë pasi nuk ka hetim apo gjyq të filluar për gazetarët për shpifje. Në arrati nuk janë gazetarët por ata që pretendojnë për shpifje.
Në praktikën e punës së Komisioneve hetimore parlamentare janë marrë në pyetje dëshmitarë ndaj të cilëve ka pasur padi për shpifje. Të dy Komisionet hetimore të ngritura për privatizimin e CEZ kanë praktika të tilla. Për më tepër, Kuvendi ka një praktikë zyrtare te interpretimit të kësaj çështje dhe ka konfirmuar me shkrim nga Kryetari i Kuvendit që kjo marrëdhenie nuk përbën konflikt interesi.
2. Në radhët e deputetëve të maxhorancës në komisionin hetimor, sipas mendimit tim, ka konflikt interesi dhe nuk duhet të jenë pjesë e tij. Nënkryetarja e komisionit ka marrë pjesë në procedurat e dhënies së koncesionit te inceneratorit te Elbasanit ne funksionin qe ka pasur në atë kohë si ministre.
Nje deputet i dyte ne komision, sipas informacioneve te mia, ka lidhje të afërta familjare me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit. Bashkia e Elbasanit hetohet nga komisioni hetimor për inseneratorët.
3. Gazetarët të cilët u ndaluan dje të dëshmonin, me punën e tyre kanë mbrojtur interesin publik. Maxhoranca, me objektivin për të sabotuar punën e Komisionit, nuk lejoi që ata të deshmojnë. Shpreh keqardhjen që rastit të moslejimit të deshmisë së dy gazetarëve nuk ju bë jehonë në media.
Për sa më sipër si dhe nga eksperienca e Komisioneve hetimore parlamentare deri më sot, kam vendosur që për të ndërgjegjësuar opinionin publik për këtë çështje kaq të rëndësishme:
Të terhiqem nga Komisioni hetimor në shenjë proteste për mosdëgjimin e dy gazetarëve dhe të përpjekjeve të maxhorances për të sabotuar punën e Komisionit.
Nuk do të marr pjesë në asnjë Komision hetimor parlamentar dhe nuk do të votoj ngritjen e asnjë Komisioni të tillë derisa të mos korrigjohet ligji për Komisionet hetimore parlamentare i cili në formën që është nuk lejon hetim të vërtetë parlamentar.
Do të ndermarr inisiativën ligjvënëse për ndryshim në ligjin për Komisionet hetimore parlamentare, që t’i garantojë kërkuesit të ngritjes së Komisionit hetimor maxhorancën dhe kryesimin e komisionit.
Ju faleminderit!