Edmond Panariti: Edi Rama po përshpejton fundin e tij

Deputeti i LSI-së: Një shtet autokrat si Ramës i ka mjetet për të imponuar paligjshmërinë, por kjo vetëm përshpejton fundin e tij

Intervistoi: Herion Mesi

Në kohën kur të hënën opozita po prezantonte platformën e saj anti-mafia, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla do ti rikthehej akuzave ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Edmond Panaritin se kishte firmosur një kontratë qeraje toke për Balilët.

Për këto akuza, deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, në një intervistë për “Koha Jonë” thekson se zoti Balla dhe të tjerë para tij nuk thonë të vërtetën edhe pse e dinë fare mirë se si qëndron ajo. E vërteta, thotë Panariti, është se as Ministria dhe as ai personalisht nuk kanë lidhur asnjë kontratë qiraje në shkelje të dispozitave dhe kritereve ligjore. Gjithashtu, “nuk është lidhur asnjë kontratë me persona të dënuar, në proces hetimi ose në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe e hetueshme. E kam ftuar dhe e ftoj zotin Balla, zotin Braçe dhe këdo që kërkon ta instrumentalizojë këtë çështje politikisht t’u drejtohet organeve të drejtësisë. Atje do të marrin përgjigjen që ata e dinë se cila është dhe që i nxjerr bllof”- tha Panariti.

Por nga ana tjetër, deputeti i LSI-së vëren se problemi i qeverisë me koncesionet ka të bëjë me shkelje të praktikave të ndërtimit dhe të lidhjeve të këtyre kontratave. Lidhur me qëndrimet e opozitës, Edmond Panarit deklaron se Opozita do të kthehet në Kuvend, vetëm kur të rivendoset parlamentarizmi dhe kur ajo të mos privohet nga e drejta e fjalës dhe e të drejtave që ja njeh Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit. “Përndryshe do të bëhemi pjesë e farsës dhe do të zhgënjejmë zgjedhësit tanë”- thekson ligjvënësi i LSI-së në intervistën e tij për “Koha Jonë”.

Zoti Panariti, para pak ditësh Ministri Gjerman që erdhi në Tiranë, tha që nuk futeshim në mënyrë automatike në Bashkimin Europian? Si e shikoni situatën politike në vend, pasi duket se dy ka,mpet janë shumë larg një bashkëpunimi mes tyre për çështjen e integrimit?

Ministri Gjerman, konfirmoi ekzaktësisht atë që opozita, dhe në veçanti LSI-ja, deklaroi qershorin e këtij viti. Pra, nuk pati hapje të negociatave këtë vit dhe nuk do e ketë hapje automatike të tyre në vitin që vjen! Jo vetëm kaq, por procesi do të ndërlikohet edhe më shumë në të ardhmen, sepse BE-ja në vitin që vjen do të përfshihet në procese zgjedhore dhe përpos kësaj, ndryshe nga sa është vepruar deri më tani, do të kërkohet miratimi për hapje të bisedimeve edhe nga parlamentet e vendeve të cilat deri më tani nuk e kanë pasur praktike një diçka të tillë. Në një pjesë të këtyre parlamenteve mbizotërojnë forca të cilat janë kundër zgjerimit të BE-së, me anëtarë të rinj. Por, mbi të gjitha, nëse nuk ndryshon modeli autokrat qeverisës, modeli i ngushtimit të hapësirave të lirisë, modeli që nxit dëshpërimin dhe braktisjen masive të vendit, nuk ka avancim drejt Bashkimit Evropian

Kemi një opozitë shqiptare, e cila ka zbritur në emra konkret, ka renditur disa emra biznesmenëshë të cilët sipas saj, kanë marrë miliarda lekë nga buxheti i shtetit, përmes koncesioneve, PPP-ve. Ka të drejtë opozita që përmendi emra dhe që tha që do ti zhbëjë këto?

Së pari, dhënia e kontratave koncensionare nuk është çështje emrash të përveçëm individësh apo subjektesh, por mbi të gjitha shkelje të praktikave të ndërtimit dhe të lidhjeve të këtyre kontratave. Këtu përfshihen mungesa e transparencës, e studimeve të fizibilitetit, mënyrat dhe masat e financimit, shpërndarja dhe vlerësimi i rreziqeve dhe shpërdorimi i garancive sovrane në dem të shtetit dhe të taksapaguesve. Nëse këto kontrata rezultojnë të ndërtuara mbi kritere dhe praktika abuzive atëherë dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Ndër të tjera, ndryshe FMN i konsideron këto kontrata edhe rënduese të borxhit publik, i cili tashmë i ka kapërcyer 80% të PPB-së. Kjo është shkelje jo vetëm e objektivave për ulje të borxhit, por edhe shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit mbi borxhin publik.

Por në vazhdën e replikave në distancë, dy ditë më parë ju u akuzuat në Kuvend nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, z. Taulant Balla për favorizime të personave që përfliten si eksponentë të krimit gjatë ushtrimit të detyrës tuaj si ministër. Në fakt si qëndron e vërteta dhe pse një reagim i tillë nga mazhoranca?

Zoti Balla dhe të tjerë para tij nuk thonë të vërtetën edhe pse e dinë fare mirë se si qëndron ajo. E vërteta është se as Ministria dhe as unë personalisht nuk kemi lidhur asnjë kontratë qiraje në shkelje të dispozitave dhe kritereve ligjore. Gjithashtu, nuk është lidhur asnjë kontratë me persona të dënuar, në proces hetimi ose në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe e hetueshme. E kam ftuar dhe e ftoj zotin Balla, zotin Braçe dhe këdo që kërkon ta instrumentalizojë këtë çështje politikisht t’u drejtohet organeve të drejtësisë. Atje do të marrin përgjigjen që ata e dinë se cila është dhe që i nxjerr bllof.

Lidhur me ngërçin me Prokurorinë e vendit, një shqetësim i madh për ju, për opozitën, shqiptarët, por opozita a qenë ajo që ka akuzuar fort Arta Markun në lidhje me gjithçka po ndodh. 11 prokurorët, nisja  procedimit apo hetimit disiplinor ndaj tyre… Çfarë po ndodh?

Sa herë që politika, në këtë rast mazhoranca do të ndërhyjë në sistemin e drejtësisë, në prokurori dhe procedura hetimore të cilat rregullohen vetëm me ligj dhe jo me Maliq, duke kërkuar ti deformojë ato për qëllimet e saj, mjerisht do të kemi situata të tilla.

Duke iu referuar seancave plenare, kur do të ktheheni në Kuvend? Ishte ligji për Teatrin i cili kaloi pa asnjë pengesë nga opozita, pavarësisht “mbrojtjes” 3 mujore përmes deklaratave publike. Po ashtu kemi rivendosjen e pagesës së qarkullimit në Rrugën e Kombit. Duket sikur opozita po i braktis kauzat e saj, sesa po lufton realisht. Si e shikoni ju këtë, pasi na u premtua një aksion i fortë në shtator, por dhe ky muaj iku pa lënë gjurmë?

Opozita do të kthehet në Kuvend, vetëm kur të rivendoset parlamentarizmi dhe kur ajo të mos privohet nga e drejta e fjalës dhe e të drejtave që ja njeh Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit. Përndryshe do të bëhemi pjesë e farsës dhe do të zhgënjejmë zgjedhësit tanë.

Opozita pengoi me të gjitha mjetet ligjore, kalimin e ligjit për shembjen e Teatrit, i cili përmban shkelje të rënda kushtetuese, të cilat evidentohen qartë edhe në dekretin për kthim të Presidentit. Drama e kësaj situate është edhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese, e cila padyshim që do ta hidhte në kosh të plehrave, pa hezitim këtë ligj në flagrancë të qartë antikushtetuese. Fjalën tani e kanë qytetarët dhe shoqëria civile.

Një shtet autokrat i ka mjetet për të imponuar paligjshmërinë, por kjo vetëm përshpejton fundin. Opozita nuk i braktis kurrë kauzat e saj. Por do ti ndjekë ato deri në fund me çdo kusht edhe kosto.

Si do të largohet Edi Rama nga pushteti dhe kam parasysh zgjedhjet e ardhshme. A ka një linjë sesi do të shkojë në  këto zgjedhje Lëvizja Socialiste për Integrim?

Nëse zgjedhjet do të bëhen të lira dhe nuk do të deformohet vullneti i votuesve me para të pista dhe presion policor dhe ekzekutiv, opozita i fiton zgjedhjet bindshëm. Për sa kohë nuk do të garantohen kushtet për një proces zgjedhor të lirë, përfaqësues dhe të pa deformuar, opozita nuk do të bëhet pjesë e tij. Opozita po punon që këto kushte të plotësohen, me aktorë dhe faktorë të pa implikuar.

SHKARKO APP