Edmond Spaho, Gazment Bardhit: Çfarë borxhi i kemi Lulit? Eja me ne në 11 dhjetor

Nga Edmond Spaho

Nuk dua të bëj debat me kolegë, përfshirë kolegun Gazment Bardhi, të cilin deri vonë e kam mbështetur. Shumë militante sot mund të më mallkojnë për këtë.
Gazi si mund të mohosh që nuk janë mbledhur firmat. Vetëm ti mund ta bësh këtë. Verifikimi është shumë i thjeshtë: lista që ke publikuar ti në Korrik 2021 me ata që kanë firmosur sot. Më thjeshtë, më transparente, më e saktë se kaq nuk ka.
Gazi çfarë pasurie kam vënë unë dhe plot si unë, ku kemi abuzuar, çfarë kemi vjedhur duke qenë në opozitë jo vetëm në vitet e opozitës por edhe kur qeverisi PD?
Gazi çfarë borxhi i kemi Lulit? Na akuzojnë se përse nuk kemi folur më parë? Kemi folur direkt me Lulin dhe ia kemi thënë mendimet tona. Nuk e kemi kundërshtuar në publik sepse kemi menduar se ai do na çojë në fitore.
Nuk na çoi në fitore Gazi, jo vetëm kaq por bashkë bëtë një analizë të ndyrë për të goditur ata që punuan dhe promovuar humbësit.
Më shumë se kaq, me një plan të paramenduar, sulmuat si qen të egër Berishën.
Përse afruat zgjedhjet për Kryetar të PD kur në ju kundërshtuam, përse analiza ishte e përciptë, për të mbështetur disa dhe rrëzuar të tjerë, përse zgjodhët të gjithë drejtuesit e PD, përfshirë kryesinë dhe sekretarët në kundërshtim me statutin që propozove ti Gazi?
Kush i ka lënë pa punë dhe pa shpresë demokratët për 8 vjet Gazi? Të gjithëve na dhemb zemra për ta. Ne e marrim një rrogë Gazi, edhe ti e merr. Luli merr shumë e më shumë sidomos kur ka zgjedhje.
Lëreni demagogjinë, anëtarët e PD nuk ju duan. Jeni kapur pas karriges si ai athinasi që mbronte vendin e tij në betejen e Salaminës. Ndryshimi është qe ju luftoni për karrige. Kur t’ju presin njërin krah ju do kapni karrigen me krahun tjetër, kur t’ju presin krahun e dytë do e mbërtheni karrigen me dhëmbë. Pastaj vetëm prerja e kokës ju ndan nga karrigia.
Gazi, ti flet për demokratët e varfër, pa bukë, por a nuk të bën përshtypje drejtuesit e lartë të PD që kapardisen si modelet e Armanit?
Shikoji Gazi zëvendëset e Lulit si dalin në publik? Më fal por nuk ju plas fare për popullin. Po talleni me njerëzit Gazi.
Nuk mund të vazhdohet kështu.
Eja me ne në 11 Dhjetor. Nuk luftojmë për vehte, por për ata të mjerë që i kemi gënjyer që nga viti 2013 se do i sjellim në pushtet.
Luli nuk i sjell dot në pushtet, s’ka formim, s’ka ide, nuk pyet, nuk dëgjon, nuk do dhe nuk njeh partinë, është mendjemadh, kujton që di gjithçka kur nuk di asgjë.
Mjafon lufta që hapi me liderin historik të PD për të kuptuar sa i cekët është. Nuk e bëri nga padia por thjesht për interesat e tij dhe problemet personale që ka në SHBA dhe që të gjithë ne i dimë.
Gazi, të premten mbahet foltorja në Devoll, të ftoj të vish.
Kur të dëgjosh demokratët e vërtetë do e kuptosh në çfarë qenefi je përfshirë.
Gazi hajde në Devoll. Do shpëtosh veten.

SHKARKO APP