Edmond Spaho largohet nga Komisioni i inceneratorëve: Mazhoranca e vendosur që hetimi të dështojë

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka dhënë dorëheqjen nga posti i anëtarit të Komisionit Hetimor për Inceneratorët.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar mëngjesin e sotëm, Spaho deklaroi se mazhoranca është e vendosur që ky komision të dështojë.

Kur unë kam drejtuar Komisionin Hetimor, kam lejuar të vijnë të dëshmojnë persona që unë i kam çuar për ndjekje penale, e jo për shpifje. Ndjej keqardhje për median e cila nuk ka shkruar asnjë rresht dje që nuk u lejua të fliste gazetari. Me përjashtim të një portali që shkroi për zotin Olldashi, asnjë shkrim tjetër nuk kam parë që ta trajtojë këtë çështje. Në këto kushte, unë mendoj që ky komision do të ketë fatin e komisioneve të tjera hetimore, që nuk prodhon rezultat pavarësisht përpjekjeve tuaja dhe opozitës për të nxjerrë faktet në dritë dhe për të informuar opinionin publik mbi vjedhjet skandaloze në këto 3 kontrata.

Të marrësh në mbrojtje Klodian Zoton që paska konflikt interesi me gazetarin që ka bërë shkrimet, dhe që e ka akuzuar për shkelje, dhe personi në fjalë është arratisur, dhe penalizojmë Zoton. Raste të tilla nuk e nderojnë këtë komision. Pavarësisht përpjekjeve të admirueshme që po bën opozita, mazhoranca është e vendosur që ky komision të dështojë si komisionet e tjera. Prandaj unë nuk do të jem më pjesë e këtij komisioni” – tha Spaho.

Gjithashtu Spaho njofton se nuk do të votojë më në Kuvend për ngritjen e komisioneve hetimore derisa të jepet një zgjidhje për kuadrin ligjor të saj.

SHKARKO APP