Ekonomia në krizë/Fasonistët e bashkuar: 9 kërkesa për qeverinë
Ekonomia është në kolaps nga pandemia e Covid-19. Lidhur me këtë situatë të rëndë, fasonistët e bashkuar në një grupim të vetëm, kanë 9 kërkesa për qeverinë. ”Mbështetje financiare, pa ekuivoke, për sektorin e industrisë me material porositës (fason), te cilët janë në vështirësi financiare si pasojë e mbylljes së detyruar të veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore në vend dhe pandemisë COVID-19 në Europë e më tej”.
Deklarata e plotë
Fasonistët e Bashkuar në një Grupim të vetëm, i kerkojnë Qeverisë Shqiptare të ndërmarrë këto masa urgjente për situatën alarmante në të cilën ndodhet ky sektor sot:
Mbështetje financiare, pa ekuivoke, për sektorin e industrisë me material porositës (fason), te cilët janë në vështirësi financiare si pasojë e mbylljes së detyruar të veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore në vend dhe pandemisë COVID-19 në Europë e më tej, si më poshtë vijon:
• Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve të ndërmarrjeve të fasonit, në vlerën e njëzetegjashtë mijë (26.000 ALL) Lek, ose tetëdhjetë (80%) e pagës së deklaruar, bazuar në borderotë e kompanive, për muajin mars, prill dhe maj,
• Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e fasonit, për muajin mars, prill dhe maj.
• Mbulimi i plotë i vlerës së kontributeve shoqërore e shëndetsore mbi pagat, bazuar në masat e parapara me këtë kërkesë për muajin mars, prill dhe maj.
• Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej tetëdhjetë (80%) për punonjësit që humbin vëndin e tyre të punës për shkak të situates së fatkeqësisë natyrore në vend dhe pandemisë COVID-19 në Europë e më tej, për gjithë periudhën e ndërprerjes së aktivitetit të këtyre ndërmarrjeve.
• Mbështetje financiare e iniciativave dhe projekteve sociale, që synojnë përmirësimin e jetës së grup-punonjesve të fasonit, si grup-punonjesit më i madh të shoqerisë.
• Mbështetje financiare për eksportuesit dhe ri-eksportuesit shqiptar pas përfundimit të situatës së fatkeqësisë natyrore në vend dhe pandemisë COVID-19 në Europë e më tej, duke siguruar një financim direkt të kompanive fasoniste me % mbi faturimin, për të përballuar falimentimin e mundëshëm por edhe për ristartimin e punës.
• Mbështetje financiare direkte për kompanitë fasoniste që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së fatkeqësisë natyrore në vend dhe pandemisë COVID-19 në Europë e më tej, në vlerën e njëzetegjashtë mijë (26.000 ALL) Lek, per 6-mujorin e parë të punës.
• Kërkojmë rimbursimin e menjëhershëm dhe automatik të TVSH-së, pa ndjekur procedurat burokratike, për të gjithë subjektet e sektorit tonë, pasi është i vetmi burim të ardhurash në këtë moment.
• Për pagesat e prapambetura, nga debitorët Europian, të gjenden sa më parë mekanizma ndërqeveritare, që të paguhen faturat e prapambetura nga kontraktorët Europian, të cilët në këtë situatë janë duke përfituar benefice financiare nga qeveritë e tyre, bazuar në çdo faturë individuale, rast pas rasti.