Ekskluzive/Ulqinaku: Degradimi i situatës në Shkodër nga Rama. Janë dy pika kufitare që…
Ish-deputetja e PD-së, Izmira Ulqinaku: Qeveritë e majta çdo herë e kanë aneksuar Shkodrën! Edhe për Edi Ramën, Shkodra nuk bën pjesë në hartën e tij të qeverisjes
Intervistoi: Redjon Shtylla
Shkodra është e prekur nga pandemia e Covid-19 por nga ana tjetër, debatet politike nuk mungojnë. E fundit është shkarkimi i prefektit të Shkodrës dhe për ish-deputeten e PD-së, Izmira Ulqinaku, problemi kryesor i kësaj situate është neglizhenca dhe papërgjegjshmëria e Edi Ramës. Në një intervistë për ”Koha Jonë”, ajo thotë edhe se ”Shkodra nuk bën pjesë në hartën e tij të qeverisjes. Që nga 2013, nuk njohim ndonjë financim apo investim në qytetin tonë. Pavarsisht persekutimit në këto 7 vite, tani qasja duhet të ndryshonte pasi kemi të bëjmë me jetën e qytetarëve dhe kjo nuk duhet të kishte ndasi. Kam konstatuar mungesë vëmendje me dëshirë nga Edi Rama”.
Qeveria shkarkoi nga detyra prefektin e Shkodrës me arsyetimin se Covid-19 u përhap nga masat e pamjaftueshme për të zbatuar rregullat e karantinës nga të prekurit. Si qytetare dhe si ish deputete e Shkodrës si e argumentoni?
Dje ishte shfaqja e radhës e Rilindjes. U njohëm nga Ministri Lleshaj për shkarkimin e prefektit, i cili rezulton kurbani i radhës i kësaj qeverie. Arsyetimi që u dha nuk qëndronte, pasi problemi kryesor i kësaj situate ku po përballemi me një numër të madh të rasteve të shtuara, është neglizhenca dhe papërgjegjshmëria e Edi Ramës dhe e kabinetit të tij. Ka vetëm një shpjegim degradimi i situatës për përhapjen e Covid-19 në Shkodër, e cila është mungesa e kiteve të testimit e për pasojë mungesa e gjurmimit kontaktieve të të infektuarve. Në Shkodër janë dy pika kufitare dhe pavarësisht thirrjeve tona bazuar në deklaratat e OBSH-së për testim masiv, Rilindja nuk mori asnjë masë për t’i testuar të ardhurit nga vendet e infektuara apo për t’i karantinuar, në mënyrë që të kufizohej sa më shumë përhapja e virusit.
Nga ana tjetër, po e ndihmon qeveria Shkodrën? Çfarë keni konstatuar ju si ish-deputete e këtij qarku të madh?
Qeveritë e majta çdo herë e kanë aneksuar Shkodrën! Edhe për Edi Ramën, Shkodra nuk bën pjesë në hartën e tij të qeverisjes. Që nga 2013, nuk njohim ndonjë financim apo investim në qytetin tonë. Pavarsisht persekutimit në këto 7 vite, tani qasja duhet të ndryshonte pasi kemi të bëjmë me jetën e qytetarëve dhe kjo nuk duhet të kishte ndasi. Kam konstatuar mungesë vëmendje me deshirë nga Edi Rama. Të ardhurit nga pikat kufitare të Shkodrës u lanë pas dore. Mungesë e theksuar e testimeve në qarkun tonë. Mungesë e gjurmimit të kontakteve të të infektuarve. Neglizhencë kontrolli për personat me shenjat e Covid-19. Mungesë vëmendje ndaj stafit të spitalit të Shkodrës, të cilët u lanë pa u furnizuar me mjete mbrojtëse (maska, doreza, etj), si dhe nuk u përfshinë në skemën e shpërblimeve. Këto janë veprimet që çuan në rritjen e numrit të të infektuarve në qarkun Shkoder.
Nëse kryeministri Edi Rama thotë se nuk do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të radhës, me justifikimin se “vijon pandemia e Covid-19”, çfarë do bëjë opozita? I druheni një skenari të tillë?
Sigurisht që nuk është rasti të diskutohet diçka e tillë, pasi tani ne po luftojmë për mbijetesë. Jemi përballë një virusi të panjohur për fushën e mjekësisë, kështu që kujdesi ndaj vetes dhe familjarëve duhet të jetë maksimal. Shqipëria ka mungesë të mjeteve mbrojtese për stafin mjekesor, ka mungesë të kiteve e të pajisjeve testuese, ka mungesë ilaçesh dhe numër shumë të paktë të respiratorëve. Kësaj papërgjegjshmërie totale i druhem, pasi po vihet në lojë jeta e gjithsecilit prej nesh. Në këto ditë të vështira jeta e shqiptarëve është në fije të perit, prandaj qytetarët e vendit nuk do t’ia harrojnë kurrë kësaj qeverie mungesën e dëshirës për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe braktisjen nga detyrimi për mbështetje financiare të të gjitha familjeve në nevojë dhe biznesit të cilin po e çon drejt falimentimit dhe ku më pas do të përballemi me pasojat e mëdha ekonomike.