Ekspertët: Ja cilat pika prek reforma në drejtësi

 

Reforma në drejtësi është kryefjalë e punës së qeverisë shqiptare në kuadër të çeljes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.

Kjo reformë pritet të prekë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë, prokurorinë, Gjykatën Kushtetuese, Gjyqësorin, si dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Për realizimin e kësaj reforme është ngritur një grup ekspertësh të nivelit të lartë, që fillimisht kanë analizuar problematikat e sistemit të drejtësisë. Më tej, kanë propozuar alternativa për të zgjidhur problematikat e identifikuara, teksa aktualisht alternativat e vlerësuara si më të mirat po analizohen në tryeza të shumta për drejtësinë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Lidhur me kualifikimin e gjyqtarëve, një nga propozimet e Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL) është pikërisht prova trevjeçare që duhet të kalojnë magjistratët e rinj përpara se të emërohen si gjyqtarë. Lidhur me këtë Agnes Bernhard, eksperte e nivelit të lartë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë, është shprehur se kjo është një metodë e ndjekur dhe nga vende të tjera, të cilat vlerësojnë se rritja profesionale e magjistratëve të rinj, duhet të kalojë përmes praktikës. 

Swiss Digital Mobile Reklama

“Komisioni i Venecias në opinionet e tij, për një vend tjetër, ka vlerësuar te arsyeshme “propozimin që gjyqtarët e rinj të sapoemëruar të jenë të moshës 30-vjeçare, dhe të kenë pesë vjet dhe jo tre vjet përvojë”. Komisioni i Venecias vlerëson se caktimi i periudhave të provës mund të cënojë pavarësinë e gjyqtarëve, për shkak se ata mund të ndihen nën presion për të vendosur lidhur me çështjet në një mënyrë të caktuar. Kjo nuk duhet interpretuar si një përjashtim i të gjitha mundësive për caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm”.

“Në vende me sisteme relativisht të reja drejtësie, në fillim mund të ekzistojë një nevojë praktike për të përcaktuar nëse një gjyqtar është me të vërtetë në gjendje të ushtrojë funksionin në mënyrë efektive përpara emërimit të përhershëm. Por në këto raste, vendimi për të mos konfirmuar gjyqtarin në detyrë duhet marrë në bazë të kritereve objektive dhe me të njëjtat garanci që aplikohen kur gjyqtari shkarkohet”, sqaron Bernhard.

Sipas saj, duke pasur parasysh këto rekomandime ekziston një mendim mbizotërues, se pranimi në Shkollën e Magjistraturës duhet të parashikojë një minimum të përvojës profesionale paraprake prej tre vitesh. “Formimi fillestar në Shkollën e Magjistraturës duhet forcuar duke përcaktuar më qartë formimin gjatë vitit të tretë të praktikës, përmes gjyqtarëve udhëheqës të përgatitur. Pas diplomimit, gjyqtarët e ardhshëm emërohen menjëherë si gjyqtarë. Megjithatë, parashikohet mundësia që gjyqtarët e emëruar të caktohen me dëshirën e tyre si ndihmës-gjyqtarë në gjykatat e nivelit më të lartë”, thekson Bernhard.

Reforma në drejtësi do të prekë edhe Gjykatën e Lartë. Sipas kreut të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL), Gent Ibrahimit, një nga amendamentet e propozuara kushtetuese synon t’a integrojë Gjykatën e Lartë në sistemin gjyqësor, duke krijuar kështu kushtet për pavarësinë, profesionalizmin dhe integritetin e saj.

“Më konkretisht pavarësia, profesionalizmi dhe integriteti i Gjykatës së Lartë mendohet të arrihen përmes Përfshirjes së Gjykatës së Lartë në gjyqësor në të gjitha aspektet, duke synuar pasjen e një sistemi të unifikuar për emërimin, shkarkimin dhe llogaridhënien në gjyqësor, si dhe parashikimin e përgjegjësisë disiplinore edhe për anëtarët e kësaj gjykate”, sqaron Ibrahimi.

Lidhur me çështjen e tarifave, që lidhet drej përdrejt me aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë, eksperti Ilir Panda thekson se plani i veprimit ka kaluar disa etapa. “Në etapën e parë kishim fotografimin e situatës dhe evidentimin e problematikave në lidhje me tarifat gjyqësore dhe të drejtës për akses në drejtësi, ku u konstatua që kemi një situatë të paqartë ligjore në përcaktimin e tarifave gjyqësore”, tha ai.

Sipas ekspertit Panda, nuk ka hierarki të tarifave të pagesave të lidhura me shkallët gjyqësore dhe nuk ka diferencim tarifash midis llojeve të mosmarrëveshjeve (të tilla si mosmarrëveshje mbi pronësinë, mosmarrëveshje për markën, etj.). “Tarifa për t’iu drejtuar Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë që aktualisht është mjaft e ulët (200 Lekë), mund të përshtatet dhe të ndryshohet duke përfshirë një përqindje tjetër për çdo shkallë për çështjet tregtare”, tha Panda.

Po ashtu, eksperti në fjalë vuri në dukje se aktualisht ka një mungesë totale të aplikimit të tarifave në Gjykatën Kushtetuese. “Vitet e fundit vihet re se janë shtuar mjaft kërkesat që depozitohen para kësaj Gjykate, duke shtuar volumin e punës së saj sidomos në fazën e seleksionimit të kërkesave. Kjo gjë ka rritur edhe shpenzimet administrative të saj. Përveç kësaj, në mjaft raste vihen re edhe abuzime me mjetin e ankimit duke paraqitur kërkesa të cilat nuk plotësojnë kriteret në mënyrë të përsëritur”, bëri të ditur Panda, i cili theksoi se në kuadër të garantimit të aksesit në drejtësi për të gjithë, reforma në drejtësi do të synojë dhe përcaktimin në mënyrë të qartë të të gjitha tarifave.

“Konkretisht strategjia dhe planveprimi kanë parashikuar rregullimin e sistemit të tarifave, duke synuar vendosjen e tarifave të arsyeshme dhe proporcionale për shërbimet që ofron pushteti gjyqësor, në funksion të kategorizimit të tyre sipas llojeve të mosmarrëveshjeve dhe duke parashikuar përjashtime mbi bazën e kritereve objektive dhe të matshëm, të cilat synojnë të rrisin aksesin në gjykatë të individëve që nuk kanë mundësi financiare, por nga ana tjetër e bëjnë me të logjikshme përdorimin e të drejtës për ankimimin”, tha Panda.

Eksperti Panda gjithashtu ka sqaruar dhe çështjen e infrastrukturës në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, plani i veprimit i hartuar nga grupi i ekspertëve të lartë parashikon dhe mbështetjen financiare për infrastrukturën dhe teknologjinë në Gjykatat e vendit tonë. Objektivi i parë në këtë drejtim është mbështetja e nevojshme financiare dhe infrastrukturore të sistemit të drejtësisë, duke synuar rritjen e pavarësisë, efiçencës dhe profesionalizmit të tij. Kjo, parashikon “hartimin nga qeveria të një masterplani efikas të zhvillimit infrastrukturor të sistemit të drejtësisë, të shoqëruar me një plan veprimi masash ligjore, institucionale dhe administrative, i cili do të adresojë nevojat e tij për mbështetje financiare, materiale e logjistike si dhe zhvillimin e teknologjisë bashkëkohore”, thekson Panda. Po ashtu parashikohet krijimi i ambienteve të përshtatshme të punës për gjyqtarët e prokurorët dhe një sistem efiçent shërbimi, komunikimi dhe monitorimi të veprimeve të përfaqësuesve të palëve në proces dhe veçanërisht avokatëve.

Në planin e paraqitur nga grupi i ekspertëve parashikohet dhe vënia në përdorim e burimeve financiare për automatizimin dhe kompjuterizimin e veprimtarisë së të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë, duke realizuar një lidhje elektronike të tyre në nivel kombëtar në funksion të lëvizjes së shpejtë të informacionit, dixhitalizimit të të gjithë sistemit arkivor dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të tij, rritjes së efektivitetit dhe transparencës së veprimtarisë si dhe krijimit të një baze të unifikuar të dhënash për të gjithë informacionin mbi çështjet e drejtësisë”.

Modernizimin e sistemit përmes zbatimit të teknologjive të reja, me vëmendje të posaçme ndaj vendosjes së teknologjisë së informacionit në çdo zyrë dhe në çdo proces të hetimit e gjykimit, vendosjen e komunikimit online të institucioneve të sistemit, forcimin e sistemit të mbrojtjes së të dhënave, realizimin e një arkivi unik kombëtar të vendimeve gjyqësore, krijimin e një regjistri të unifikuar kombëtar statistikor me të dhënat e sistemit etj. Po ashtu synohet vendosja e një sistemi komunikimi elektronik në funksion të qytetarit, lehtësisht të aksesueshëm dhe që do të realizojë uljen e ndjeshme të shpenzimeve prej publikut. Informatizimi i shërbimit të sistemit të drejtësisë do t’i shërbejë shpejtësisë së informacionit për oraret e seancave, uljes së kostove për tërheqjen e vendimeve gjyqësore të gjykatave të rretheve apo gjykatave të apelit përmes aplikimit në zyrën më të afërt të shërbimeve të sistemit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?