Elbasan – Vonesa dhe ngatërresa në disa qendra votimi për shkak të mungesës së komisionerëve
Sot në Shqipëri po mbahen zgjedhjet parlamentare, ku qytetarët në të 12 qarqet e vendit po ushtrojnë të drejtën e votës. Në Qarkun e Elbasanit janë raportuar disa problematika me natyrë teknike dhe organizative.
Në Librazhd është shënuar një incident me ngatërrimin e kapakut të kutisë së votimit mes dy qendrave, gjë që ka sjellë ndërprerje të përkohshme të procesit zgjedhor.
Edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit janë hapur qendra të posaçme votimi:
Në burgun e Kosovës, votimi po zhvillohet në Qendrën nr. 2556.01, që i përket KZAZ nr. 46 në Bashkinë Belsh.
Në IEVP Peqin, nga 106 të burgosur të parashikuar për të votuar, 85 kanë ushtruar të drejtën e votës. Më shumë se 100 persona të dënuar janë të përjashtuar nga procesi për shkak të veprave të rënda penale.
Në IEVP Elbasan, janë regjistruar 141 votues.
Ndërkohë, problematika janë raportuar edhe në disa qendra votimi në qytetin e Peqinit, ku ka pasur vonesa në hapje për shkak të mbërritjes së vonuar të komisionerëve.
Në Gramsh, deri në orën 08:00, nuk ishin paraqitur komisionerët e subjektit politik PSD, situatë që është përsëritur edhe në lagjen “Skënderbej” të Elbasanit, ku mungesa e përfaqësuesve të të njëjtit subjekt ka krijuar boshllëk në përbërjen e disa komisioneve zgjedhore.
KOHA JONË SONDAZH

