Elmazi: Ju rrëfej opozitarët që “flirtojnë” me pushtetin, PD-ja ti largojë

Flet për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Liljana Elmazi

Intervistoi: Redjon Shtylla

Dje, një status i deputetes demokrate, Liljana Elmazi, në portale u cilësua si shpërthim. Kjo pasi, znj.Elmazi shprehu hapur mendimin se PD-ja jo vetëm nuk është në ditët e saj më të mira, por se brenda saj ka edhe deputetë që e shohin partinë për interesa personale. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e Qarkut të Vlorës, rrëfen se komenti i saj lidhet me pseudo-demokratët që i shërbejnë Rilindjes, sipas saj me veprime dhe vendime. “Mua, si deputete, më kanë ardhur edhe informacione të tilla nga zona, madje i kanë ngritur edhe në mbledhje. Këta e dëmtojnë Partinë”,-shprehet Elmazi. Ato shton edhe se ata, “Kali i Trojës” i Rilindjes në PD. Ajo si kolegët e saj kritikë, e pranon se në PD ka debate. “Debate do të ketë, mosdakordësime. Por për mua, ‘flirtimet’ me pushtetin janë të papranueshme, janë imoralitet politik”. Shqetësimi i saj nuk është krikë ndaj grupit të PD, por siç shprehet dhe vetë:”Është një thirrje për vëmendje, pse jo, edhe për reflektim, të çdo demokrati, që nga më i thjeshti deri në nivelet më të larta, për një PD më të fortë, më të mirë, për një PD si e vetmja shpresë për shqiptarët”.

Znj.Elmazi, keni hapur letrat dhe jeni shprehur me tone të ashpra lidhur me situatën në partinë tuaj. Pyetja që ju keni drejtuar është se: “Do të shpëtojë ndonjëherë PD nga ata pseudo-demokratë që e duan si” lopë” për ta mjelë kur është në pushtet? Kush janë këta pseudo-demokratë?

Së pari, ju falënderoj për intervistën. Nuk i kam hapur letrat, por në lidhje me këtë, kam shkruar edhe më parë, sepse edhe në fushatën e 2013, si kandidate për deputete e Qarkut Vlorë, ku ashtu me drejtësi e përkushtim si jam mësuar të punoj e të realizoj çdo detyrë. Kam shkelur në çdo cep të qarkut, sepse këtë detyrë më kishte ngarkuar edhe Kryeministri i kohës, Berisha. Në fushatën e 2015-ës, demokratët e thjeshtë apo dhe qytetarët pa parti, por që besonin te Kryetari Basha i ngrinin çështje të tilla, madje, edhe në mbledhje të strukturave edhe sot i ngrenë. Ka pasur drejtorë, kandidatë për deputetë apo të tjerë drejtues partie, që i janë afruar partisë, kur erdhi në pushtet dhe që një pjesë me humbjen e zgjedhjeve u larguan. Ka pasur dhe të rinj, që iu bashkuan PD-së, gjatë ristrukturimit të saj, kanë punuar e punojnë me shpirt, me devotshmëri e përkushtim, për ta ngritur e forcuar PD, sepse zgjedhjet po afrojnë dhe optimizmi për fitore është i madh, ashtu si ka dhe ish-drejtues, deputetë e ish-ministra që punojnë po me aq përkushtim e devotshmëri. Pa e zgjatur, komenti im kishte të bënte me ata pseudo-demokratë që i shërbejnë Rilindjes, me veprimet apo vendimet e tyre apo janë më afër saj edhe nga origjina apo veprimtaria e tyre. Mua, si deputete, më kanë ardhur edhe informacione të tilla nga zona, madje, i kanë ngritur edhe në mbledhje. Këta e dëmtojnë Partinë, sepse këta t’i largojnë demokratët e vërtetë, këta nuk tërheqin elektorat gri…këta janë nga ai lloji, që nuk bëjnë opozitë, mbase edhe “filtrojnë” me pushtetin, që mezi presin të përfitojnë nga pushteti, që ta konsumojnë pushtetin, që nuk sakrifikojnë, madje edhe mund të mos na kenë votuar fare as ata e as familjarë të tyre për PD. Shkurt, janë “Kali i Trojës” i Rilindjes në PD. Këta e dëmtojnë partinë e jo vetëm demokratët, por shumica e shqiptarëve që beson te Basha. Personalisht jam konsultuar nga Kryetari për problemet në qarkun, ku unë jam deputete. Kryetari e ka thënë qartë e saktë: “Këto vite opozitë, janë prova për këdo”.

Deklarata juaj se PD-ja është marrë peng, mund të hap një debat, i cili ka vite që fle. Për ju kush e ka marrë peng Partinë Demokratike, kush duhet të largohet nga radhët edhe të grupit parlamentar?

Nuk ka pengmarrje te PD-ja. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e demokracisë dhe si e tillë, është e vetmja forcë që do shpëtojë Shqipërinë nga e keqja e madhe, krimi e kanabisi. Grupi Parlamentar është në ballë të betejës që bën opozita kundër keqqeverisjes nga banda e mafia në pushtet, kundër krimit e kanabisit që ka mbuluar vendin, është mbështetja kryesore dhe më e fortë e Kryetarit Basha, i cili edhe në deklarimet, qëndrimet dhe vendimet e tij e ka konsideruar si të tillë. Debate do të ketë, mosdakordësime, gjithashtu ne kemi lindur si e tillë, e s’mund të jemi ndryshe. Por për mua, ‘flirtimet’ me pushtetin janë të papranueshme, janë imoralitet politik. Sepse opozita ka nevojë, aq më tepër sot, kur vendin e drejton krimi e kanabisi, për burra e gra të vendosur, të përkushtuar në betejën e tyre, për të mposhtur këtë të keqe kombëtare: qeverinë “Rama”. Opozitar i mirë bëhesh, jo kur ke aderuar në një parti në kohën, kur ajo ka qenë në pushtet dhe ke shijuar pse jo, përfitimet e pushtetit. Opozitar i mirë bëhesh, kur të ka kalitur opozita, aty duket qëndresa, vendosmëria dhe përkushtimi ndaj kauzës tënde, ndaj demokratëve dhe unë dhe shumë kolegë të mi, kësaj kategorie politikani i përkasim. Është dhe çështje integriteti.

Si e shihni zgjidhen e kësaj situate?

Nuk e përcaktoj unë se kush duhet të rri apo të largohet nga PD. Kjo është zgjedhja e secilit. Unë e kam bërë zgjedhjen time, jam themeluese e PD-së që në dhjetorin  ‘90, e do të punoj deri në frymën e fundit për PD-në e demokratët edhe duke kritikuar, pse jo ato gjëra që në mendimin e bindjen time nuk janë si duhet. Kështu rritet e forcohet PD-ja, sepse të besojnë demokratët e thjeshtë, të riafrohen e ribesojnë te ty edhe të pakënaqurit, që natyrisht, s’kanë flirtuar me parti të tjera, por ndoshta qëndruan mënjanë. Të afrohen dhe bashkohen ata që s’kanë aderuar në asnjë parti, por sot besojnë te ty, pse jo dhe socialistët e ndershëm, të zhgënjyer, që nuk i lidh asgjë me këtë Rilindje të krimit e kanabisit. Dhe kjo po ndodh me PD-në sot, e do të duket më shumë, nesër. Kështu e dua unë, e shumë kolegë deputetë, por dhe demokratë të thjeshtë. PD-ja të jetë e fortë, por dhe shpresa e shqiptarëve. Të jemi shpresa e ringjallur edhe për ata që kanë lënë vendin, e duan të kthehen, ta ndërtojnë jetën këtu, në vendin e tyre. Dhe pikërisht, për këtë, shqiptarët në shumicë, në 2017 do besojnë te PD dhe te Kryetari Basha, si Kryeministri i ardhshëm.

Pse nuk i keni shprehur më para këto shqetësime? 

Është një shqetësim, për t’u bërë më të mirë, më të fortë, më të besueshëm, për të ngjallur shpresën te shqiptarët. Shqetësim, të cilin e kam ngritur edhe më parë, edhe me kolegë, edhe me kryetarin.

Pas kritikave të vazhdueshme të deputetit Eduard Selami, Majlinda Bregut, por dhe të tjerë, edhe pse jo publikisht, edhe të shqetësimit juaj, me të drejtë lind pyetja, pse po ndodhin këto kritika, çfarë po fshihet në korridoret e selisë blu? 

Nuk ka asnjë bazë krahasimi, në fakt. Unë kam mbështetur e do të mbështes gjithmonë Kryetarin Basha, si lider i PD dhe opozitës, në betejën pakompromis me të keqen Rama. Kjo nuk është kritike ndaj askujt, pra as ndaj Kryetarit. Kjo është një thirrje për vëmendje, pse jo, edhe për reflektim, të çdo demokrati, që nga më i thjeshti deri në nivelet më të larta për një PD më të fortë, më të mirë, për një PD si e vetmja shpresë për shqiptarët.

Shqetësimit tuaj, a mund t’i shtojmë dhe konfuzionin që krijohet shpesh mes Bashës dhe Berishës, si një kosto te strukturat dhe mesazhi i dyzuar që përcjell një forcë opozitare?

S’ka asnjë konfuzion në PD mes Berishës dhe Bashës. Kjo është thjesht një sajesë e Rilindjes dhe natyrisht e medieve proqeveritare, që janë kthyer në një makineri propagandistike. Historia 23- vjeçare e PD-së, që në lindjen e saj është e lidhur pashmangësisht me Berishën. Për ne, demokratët, Berisha është vetë historia e PD-së, është themeluesi i saj, lideri që drejtoi luftën për shembjen e diktaturës, që drejtoi PD-në për 23 vjet, në ditë të vështira për vete edhe vendin. Kam kënaqësinë e nderin, si shqiptare, e si demokrate që edhe sot, ti shpreh falënderimet dhe mirënjohjen time për atë që ka bërë për PD dhe vendin. Këtë e ka bërë edhe vetë Kryetari Basha. Ne nuk jemi si të majtët që liderët e tyre i “ nxjerrin në pension” të parakohshëm. Ne i vlerësojmë dhe u jemi mirënjohës përjetë. Basha është Kryetari i zgjedhur në mënyrë plebishitare me mbi 80 % të votave të shqiptarëve në 2013-ën, e që jam e bindur që sot gëzon mbështetjen e pothuajse të gjithë demokratëve. Basha është një lider i kalibrit europian, jo vetëm për nga shkollimi i tij, por dhe mënyra si bën opozitë. Është lider vizionar, që historia i ka ngarkuar misionin e rëndësishëm, të shpëtojë vendin dhe shqiptarët nga e keqja, nga qeverisja e fatkeqësisë kombëtare.

Nuk i druheni reagimeve të kësaj që thatë? Se, pseudo-demokratët brenda PD, shkelin besimin e demokratëve të vërtetë, duke i shërbyer pushtetit të Ramës?

Si mendoni ju, që kur nuk i druhem Ramës me gjithë tabore, krimit e mafies, që e denoncoj dhe përditë luftoj për ta mposhtur, do t’u druhem ca shërbëtorëve me vetëdije apo jo të Ramës? Ata duhet të druhen nga demokratët e vërtetë, sepse demokratët nuk do t’i lejojnë të dëmtojnë Partinë, që e kemi krijuar e mbajtur gjallë, me sakrifica, duke u përballur me diktatorë të vjetër e të rinj, komunistë apo neokomunistë apo shërbëtorë të tyre. E për këta më kujtohet shprehja e një filmi të vjetër: “Gëlltit diku një luge çorbë, dhe e vjell tërë jetën”….

A ka opozita strategji për të ardhur në pushtet?

Partia Demokratike e ka të qartë aksionin e saj opozitar, protesta popullore deri në bojkot përfundimtar të Parlamentit. Kjo sepse qeveria po krijon të gjitha instrument për manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ndaj largimi i kryeministrit Edi Rama, me çdo mjet demokratik është domosdoshmëri. Qeveria i ka braktisur qytetarët ndërsa ka shkatërruar vendin, a krimi dhe kanabisi. Megjithatë, ende nuk kemi marrë një vendim zyrtar, por pritet që protesta e parë të jetë në 8 dhjetor, Ditën e Rinisë.

SHKARKO APP