Elona Guri: 25 prilli i jep fund njëherë e përgjithmonë kontrollit të sektit korruptiv të “Rilindjes”
Drejtuesja e LSI në Qarkun e Durrësit, Elona Guri, shprehet se zgjedhjet e 25 prillit do t’i japin fund njëherë e përgjithmonë kontrollit të sektit korruptiv të “Rilindjes” në Durrës dhe në gjithë vendin.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Guri deklaron se rezultati i zgjedhjeve do të jetë spektakolar në qytetin e Durrësit. “Opozita e Bashkuar do e dërrmojë aq rëndë sektin e “Rilindjes” sa do jetë humbja më e madhe e një partie politike në 30 vitet e fundit”,- shprehet përfaqësuesja e LSI.
Guri ndalet dhe në projektet e LSI në Durrës dhe vlerëson se zbatimi i Zonave të Lira Ekonomike do të gjenerojë me mijëra vende pune, do frenojë shpopullimit e Durrësit, duke orientuar rininë, të sapo diplomuarit dhe profesionistët drejt tregut të punës.
Znj. Guri, prej disa muajsh jeni angazhuar në drejtimin e fushatës së LSI-së në Qarkun e Durrësit, i cili vlerësohet një nga qarqet më të vështirë elektorale. Kur ende nuk ka nisur fushata, sipas jush, cilat janë problemet kryesore me të cilët përballen banorët e Durrësi dhe cila është zgjidhja që LSI ka për to?
Durrësi gjendet sot në një situatë të mjeruar për shkak të varfërisë së madhe që ka prekur çdo familje, largimit të rinisë, papunësisë, dëmeve të mëdha nga tërmeti, falimentit të biznesit, kryesisht operatorëve turistik, hoteleria dhe bizneset familjare.
Para “Rilindjes” Durrësi ka qenë qyteti i dytë në vend për nga zhvillimi dhe ekonomia dhe ka rënë shumë vende poshtë pasi nuk mori asnjë mbështetje nga qeveria, por vetëm u përdor e u shtrydh me taksa të larta, pa asnjë vend të ri pune, dhe i gjithë qyteti u la në dorë të mafies së betonit dhe korrupsionit.
80% e bizneseve në Durrës janë në prag falimenti. Me mijëra familje janë të pastreha. 900 familje DS4 nuk kanë as edhe informacionin më të vogël se çfarë do ndodhe me banesat e tyre.
8,000 banorë jetojnë ende në çadra dhe kontejnerë. Banorët e Durrësit paguajnë faturat e ujit dhe energjisë elektrike më të lartat në vend. Rinia është e papunë dhe pa asnjë të ardhme ndaj edhe ka largime me shifra të larta.
Sa herë që bie shi Durrësi përmbytet dhe banorët e dinë fare mirë që nuk flas për stuhi të mëdha, thjesht një shi stinor mjafton ta përmbysë Durrësin, sepse qeveria dhe bashkia nuk kanë bërë asgjë për kanalet kulluese, përkundrazi çdo vit, e theksoj çdo vit firmosen tendera abuziv rrugësh që ngushtohen gjithmonë e më shumë e punimet kryhen jashtë standardeve teknike vetëm për të vjedhur më shumë nga fondet publike.
Durrësi administrohet abuzivisht me shpërdorime ekstreme të taksapaguesve durrsakë siç ishte rasti i 800 mijë eurove që bashkia shpenzoi vetëm për lule dekorative, 6 milionë dollarët për Velierën, 2.8 milionë euro për Shëtitoren “Taulantia” që nuk ndriçohet dhe përmbytet sa herë që bie shi, 1.8 milionë euro tek Sheshi “Pranvera” që është kthyer në makth për drejtuesit e automjeteve, apo tenderat qesharak për dhënie tek privati (një njeriu të “Rilindjes”) edhe varrezat e qytetit.
Sekti i betonit dhe korrupsionit vazhdon ta betonizojë Durrësin e ka planifikuar ngritje kullash shumëkatëshe tek Shëtitorja “Taulantia.” Të gjitha në shërbim të oligarkëve të “Rilindjes.”
Durrësi është sot më i varfër dhe më i dhunuar se kurrë. Ndaj edhe LSI ka një program të qartë dhe konkret jo vetëm në rang kombëtar por edhe për Durrësin në veçanti.
Që në ditët e para të qeverisë së re, do nisë zbatimi i Zonave të Lira Ekonomike, një projekt që do gjenerojë me mijëra vende pune, do frenojë shpopullimit e Durrësit, duke orientuar rininë, të sapo diplomuarit dhe profesionistët drejt tregut të punës.
Ky projekt, i cili u prezantua publikisht edhe pak ditë më parë nga ekspertët e ekonomisë të LSI Durrës, do bëjë që Durrësi shndërrohet në epiqendër të zhvillimit ekonomik në vend.
Dua të theksoj që 25 prilli i jep fund njëherë e përgjithmonë kontrollit të sektit korruptiv të “Rilindjes” autores së këtij shkatërrimi dhe mjerimi në Durrës, dhe ky qytet nuk do jetë më në duart e zuzarëve por të qytetarëve.
Më 25 prill, Durrësi do i kthehet banorëve të thjeshtë, të rinjve dhe të rejave të këtij qyteti, të gjithë atyre që “Rilindja” ua mohoi të drejtën të jetojnë me dinjitet në këtë qytet.
Cili është parashikimi i rezultatit të LSI për qarkun e Durrësit?
Rezultati i zgjedhjeve do jetë spektakolar. LSI Durrës do jetë surpriza e 25 prillit. Opozita e Bashkuar do e dërrmojë aq rëndë sektin e “Rilindjes” sa do jetë humbja më e madhe e një partie politike në 30 vitet e fundit.
Ky nuk është parashikim. Ky është fakt. Fakt që edhe vetë Edi Rama e di fare mirë. Ndaj edhe ikën e vjen në Durrës si i shushatur sepse e di që në Durrës tashmë ka nisur largimi i tij i sigurtë. Fitorja e madhe do vijë nga Durrësi e do festohet në të gjithë Shqipërinë.25 prilli është dita e ndryshimit të madh për Durrësin dhe mbarë vendin.
Përgjimet e Prokurorisë kanë treguar se në Durrës funksionon një bashkëpunim mes zyrtarëve të PS dhe strukturave të krimit të organizuara për vjedhjen e votave. Fakti që zyrtarët nuk u dënuan nga drejtësia për krimet që zbuluan përgjimet, lë të hapur mundësinë që e njëjta skemë mund të vihet në zbatim dhe më 25 prill. Cila është garancia e qytetarëve që votat nuk do të vidhen sërish?
Askush nuk do guxojë të prekë votat e banorëve të Durrësit e madje votat e të gjithë shqiptarëve. Zemërimi i madh që kanë banorët e Durrësit me trajtimin që “Rilindja” u bëri si me rindërtimin ashtu edhe gjatë pandemisë, me shkatërrimin që i ka bërë qytetit, do jetë shuplaka përfundimtare që e shporrë përgjithmonë “Rilindjen.”
Ne jemi duke parë dhe ndjekur çdo gjë, dhe kemi prova për çdo gjë. Cilido shkelës sado i vogël q ë do tentojë të ndërhyjë në procesin zgjedhor do mbajë përgjegjësi për paligjshmërinë e vet, dhe do përballet me drejtësinë.
Durrësi do jetë shumë shpejt i çliruar nga ata që e kanë mbajtur të shtypur prej kohësh. Më 25 prill Durrësi do jetë i banorëve. Askush nuk do mundet dot ta tjetërsojë këtë fakt dhe fitoren e madhe që do arrihet në këtë qytet.
Partia Socialiste synon që të marrë vota nga elektorati i LSI duke afruar pranë saj dhe disa ish-ministra të dalë nga LSI. Sa ndikon në rezultatin e Durrësit për LSI fakti që ish-ministrit Lefter Koka nuk është më pjesë e LSI?
“Rilindja” është sot më e braktisur se kurrë. Të parët që e kanë braktisur atë janë vetë socialistët e thjeshtë të cilët ndihen të zhgënjyer dhe të turpëruar që partia e tyre arriti në këtë pikë. Socialistët e thjeshtë janë njerëz me ideale dhe nuk pranojnë dot që ky sekt arrogant dhe kaq korruptiv të përfaqësojë ata. Ndaj vota e tyre do shkojë kundër “Rilindjes” e cila nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste.
Partia Socialiste kërkon të pastrohet nga “Rilindja” ashtu siç u pastruam edhe ne nga individë me projekte personale. Ne jemi një familje politike që ka qëllim t’i shërbejmë Durrësit dhe vendit dhe punojmë në një ekip me njerëz plot integritet që vlojnë nga dëshira për të ndryshuar jetën e njerëzve të thjeshtë. Sot LSI Durrës është partia më e hapur, më gjithëpërfshirëse me një frymë të re dhe dëshirë për t’ia kthyer Durrësin banorëve.
LSI Durrës u janë bashkuar njerëz me integritet, intelektualë me zë në qytet, ekonomistë, juristë, pedagogë, profesionistë të fushave të ndryshme, kampionë sporti, të rinj e të reja ekselent në studime, dhe qytetarë të shumtë që bashkohen me ne dita-ditës.
Kjo është garancia e fitores sonë të madhe. Ndaj edhe “Rilindja” lufton më shumë LSI-në se pandeminë sepse LSI është frika e saj më e madhe dhe LSI Durrës do i japë shuplakën më të rëndë në largimin e saj të sigurtë më 25 prill.
Intervistoi: Mili Xhani