Emigrantët shqiptarë në Britani, Rama kritikon Sunak: Shpiku dramën për përfitime politike

Kryeministri britanik Rishi Sunak këtë të hënë bëri me dije se në kuadër të marrëveshjes me Shqipërinë deri më tani janë kthyer në vendin e tyre 1800 shqiptarë. Sunak është shprehur edhe se marrëveshja ka sjellë efekt parandalues, kjo në numrin e njerëzve që mbërrinin ilegalisht nga Shqipëria me “pothuajse 90%”.

Kryeministri Edi Rama kritikon homologun e tij britanik, Rishi Sunak për taktikat me shije të keqe të këtij të fundit lidhur me goditjen ndaj migrantëve shqiptarë, që mbërrijnë ishullin me varka të vogla, shkruan Charles Hymas për ”The Telegraph”. Rama akuzoi qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar se ”ka shpikur dramën” mbi emigrantët shqiptarë, kur tani ata përbëjnë vetëm dy për qind të mbërritjeve të varkave në La Mansh.

”Qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerueshme dhe të lë shije të keqe të shpikësh një dramë për përfitime politike”.Më pak se dy për qind e totalit të mbërritjeve në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria. Të vazhdosh të flasësh për shqiptarët është gjest i ulët”,-thotë Rama.

Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat britanikë kur flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve. Ai sugjeroi që komentet e saj vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë La Manshin me varka të vogla, mund të konsiderohet krim.

SHKARKO APP