Emrat për qeverinë ”Rama 4”? Klosi: Fokusin do ta kemi për Integrimin, kodi elektoral me konsensus
Sezoni i ri parlamentar nis në shtator, dhe për numrin dy të selisë rozë, Blendi Klosi mandati i katërt qeverisës do të jetë në shërbim të Integrimit Europian dhe jo një mekanizëm për të treguar arrogancë me pushtetin. Pavarësisht se është i vetëdijshëm që 83 mandate në sallën e Kuvendit do ta lehtësojnë projektin qeverisës të Edi Ramës. ”Objektivi ynë që brenda vitit 2027 të mbyllim negociatat me BE-në do të kërkojë një punë të madhe parlamentare, miratim ligjesh, miratim aktesh. Kjo padyshim do të ndihmohet nga një numër i lartë deputetësh, por sërish e theksoj se nuk ka të bëjë me forcën e kartonit, por me forcën e njerëzve”,-tha Klosi.
Deri më tani duket se socialistët nuk do t’i shfrytëzojnë votat e tyre për të bërë një kod të ri zgjedhor të njëanshëm. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, amendimi i dokumentit që vendos rregullat e lojës për zgjedhjet duhet të bëhet me konsensus me opozitën dhe jo me forcën e kartonit.
”Kodi zgjedhor është një kod i cili kërkon konsensus, më shumë sesa numrin e 84 votave, pasi nuk është një kod që ka të bëjë me ndërtimin e një institucioni të caktuar, por ka të bëjë me dakordësinë e forcave politike në garën elektorale, ku forcat politike të jenë të baraslarguara nga sistemi zgjedhor dhe të gatshme të pranojnë sistemin, garën dhe rezultatin”,-u shpreh Klosi.
Ai ka gjithashtu një kërkesë për kolegët e majtë dhe të djathtë: t’i japin fund praktikës së minutës së fundit për të ndryshuar këtë ligj të rëndësishëm. Përveç sfidave parlamentare, pas pushimeve të verës, socialistët po përgatiten edhe për procesin e ndryshimeve brenda partisë. ”Shtatori si gjithmonë ka qenë momenti ku, së bashku me grupin e ri parlamentar, qeverinë e re të dalë nga 11 maji, do të analizohen, gjykohen dhe do të vlerësohen të gjitha forumet e PS-së”. Pavarësisht emrave që do të shpërblehen nga Edi Rama pas fitores së katërt të 11 majit, Blendi Klosi thotë se PS ka nisur punën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
KOHA JONË SONDAZH

