Energjia, Mima: Kërcënimet e Ramës arbitrare, thellojnë paligjshmërinë
Deputeti demokrat Florion Mima në një konferencë për mediat ndërsa u shpreh në mbështetje të ligjit, akuzoi Kreun e Qeverisë se i ka shkaktuar sistemit dhe penalizimin e 2 milionë e 100 mijë qytetarëve me rritjen e faturës financiare.
Referuar deklaratave të Kryeministrit Rama në lancimin e nisjes së operacionit, Mima tha se kërcënimi thellon krizën e paligjshmërisë, rrit arbitraritetin dhe shton premisat për shkelje të të drejtave të njeriut, për rritjen e pushtetit autoritarist, pra për rritjen e korrupsionit.
“Partia Demokratike dënon fushatën e shantazhit të Edi Ramës dhe kërkon transparencë dhe llogaridhënie për abuzimet që ai vetë ka bërë e po bën me enenergjinë elektrike.
Partia Demokratike është në favor të ligjshmërisë dhe që ligji të funksionojë në mënyrë të barabartë për këdo që vjedh energjinë.
Por asgjë nuk shkon mirë me energjinë në vend, kur shkelësi i parë i ligjit është Kryeministri i vendit. Faktet e krizës së energjisë elektrike në vend janë këto;
-2 milionë e 100 mijë shqiptarë, që janë pjesa më e madhe e popullsisë, në këtë kohëra krize, varfërie e papunësie, do të paguajnë më shumë cdo muaj pas vendimit që ka marrë Edi Rama.
-Abuzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike janë menaxherët e qeverisë, shpesh me të kaluar kriminale, dhe që marrin para në dorë për favoret që bëjnë me pasurinë publike.
-Dëmin më të madh sistemit ia shkaktoi Edi Rama, duke i falur CEZ-it 95 milionë euro, para që ai do ti nxjerrë nga xhepat e varfër të qytetarëve shqiptarë.
-Aksioni Policor që ka nisur sot, me siguri do të krijojë terror tek qytetarët, por nuk do të zgjidhë problemin, pasi paligjshmëria nis dhe mbaron me qeverinë”, tha Mima.