Enver Hoxhaj nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa” në Tiranë, Veliaj: Urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës
Në një ceremoni të veçantë, të organizuar dje në Tiranë nga Kolegji Universitar “Qiriazi”, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa”. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi kontributin e Hoxhajt në forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe diplomacisë, duke e konsideruar një urë lidhëse mes politikës së dy vendeve dhe të dijes.
“Është një bekim i madh që, në javën kur ne festojmë Ditën e Flamurit dhe të Çlirimit, kur do të organizojmë edhe paradën e shqiptarëve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, i shprehim mirënjohjen edhe nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili ka arritur të na bashkojë si askush tjetër, pa dallim feje, krahine, ideje. Sot është e vështirë të gjesh në politikë njerëz që vijnë nga bota e dijes. Ju jeni ndër të paktët që vini nga bota e dijes dhe keni arritur që të na tregoni se njerëzit që dinë janë më të fortë se njerëzit që kanë. Besoj se është një shembull shumë i madh sot, për shumë njerëz të dijes, të cilët thonë nuk futem në politikë se politika të bën pis. Të falënderoj që ke kmbëngulur se prej dijes mund të prodhohet politikë e mirë, prej dijes mund të qëndrosh me dinjitet”, tha Veliaj.
Ai vlerësoi kontributin e Hoxhajt si ish ministër i Jashtëm dhe për bashkëpunimin me të në kohën kur kryebashkiaku ishte ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale.
Nga ana e tij, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj e cilësoi këtë një ditë të veçantë edhe për faktin se nderohet me një titull në prag të festave të nëntorit. “Kjo është një ditë e veçantë për mua dhe për familjen time, por edhe për të gjithë miqtë e mi, meqë marrja e këtij titulli ndodh në ditët kur ne kremtojmë krijimin e Shqipërisë së Pavarur, Festat e Nëntorit. Nuk ka ndonjë datë e cila i jep më shumë kuptim shqiptarëve sesa data e 28 nëntorit, nuk ka asnjë ngjarje tjetër që i jep më shumë kuptim kohës dhe hapësirës, ecjes në histori, por edhe të ardhmes tonë se sa 28 nëntori. Jam shumë i nderuar që kryetari Veliaj, Presidenti Topi, zv. kryeministri Hajredin Kuçi, znj. Valentina Leskaj, ambasadori Tarifa, ambasadori Minxhozi, të gjithë dhanë vlerësimin për mua para se të nderohem me një titull të tillë”, tha ai.
Enver Hoxhaj është një nga politikanët më aktivë të Kosovës në dhjetë vjetët e fundit. Ka ushtruar detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme fillimisht nga viti (2011-2014) dhe më pas nga Maj i vitit 2016 deri më Gusht, 2017, ka luajtur një rol qendror në konsolidimin dhe fuqizimin e diplomacisë bilaterale dhe multilaterale të Kosovës. Në qeverinë Haradinaj ka shërbyer si zëvendëskryeministër, njëherësh edhe pjesë e delegacionit të Kosovës për bisedimet Kosovë-Serbi.