“Epidemia”, Shehu: Alarmi duhej dhënë dy javë më parë. Shkollat të qëndrojnë mbyllur deri më 16 janar
Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike Tritan Shehu shprehet se gjendja virale në vend vazhdon të jetë shumë shqetësuese.
Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Shehu deklaron se vaksinimi dhe trajtimi i personave të prekur që ka nisur sot, duhej të niste 4 javë më parë.
“Në këto kushte epidemiologjike, në realitetin e ambienteve të ketij lloji, arsimi publik pa ngrohje, pa kushtet e nevojshme higjieno-sanitare, pa një transport të përshtatshëm në shumë zona etj, kjo ndërprerje duhet të shtrihet deri me datë 16 janar”- thotë Shehu në reagimin e tij.
Reagimi i plotë i Tritan Shehut
Gjendja virale në vend vazhdon shumë shqetësuese.
Ekspertët e fushës përkatëse të Departamentit të Shëndetësisë së PD-së, mbasi analizuan gjendjen në vend dhe të dhënat përkatëse, që duhet theksuar se nuk janë të plota, gjykojnë se paraqitja aktuale virale ngelet shumë shqetësuese, veçanërisht kjo për fëmijët dhe personat e riskut.
Në këto kushte u konstatua se alarmi duhej dhënë rreth dy javë më parë, kur nivelet e “alertes” filluan të flisnin për një epidemi. Kjo duhej veçanërisht të reflektohej në gadishmërinë e sistemit parësor, këshillimin shëndetësor, vaksinimet etj.
Fakti i tej dyndjes këto ditë të urgjences së pediatrisë në QSUT, gjë e cila jo vetëm krijon shqetësime te qytetarët, por dhe shton mundësitë e infeksioneve të kryqëzuara, kryesisht kjo me raste që mund e duhej të zgjidheshin në nivelin parësor, flet për probleme të tij, e mos dhënie alarmi në kohë.
Vaksinimi i personelit shëndetësor dhe i personave të rriskut, që po fillon sot, duhej të kryhej rreth 4 javë më parë që të ishte i vlefshëm për këtë “valë” gripale.
Në këto kushte është e domosdoshme që veçanërisht të forcohet puna në nivelin e mjekut familjes, shërbimit pediatrik e atij të specializuar ambulator.
Organizimi i një propagande shëndetësore të shpejtë, të gjerë e efikase është i rëndësishëm.
Në kushtet ekzistuese, grupe të veçantë të sëmurësh sipas rekomandimit të mjekëve, duhet të furnizohen edhe ambulatorisht e gratis me antivirale (Tamiflu).
Ministria e Shëndetësisë duhet të publikojë periodikisht të dhënat e plota epidemiologjike, krahasimet me vitet e kaluara, nivelin e komplikacioneve, llojet e shtameve qarkulluese me masat përkatëse etj, gjë që deri më tashti nuk është bërë.
Mbyllja e çerdheve, e kopshteve, e shkollave për deri më datë 9 janar na duket një mase jo e mjaftueshme.
Në këto kushte epidemiologjike, në realitetin e ambienteve të ketij lloji, arsimi publik pa ngrohje, pa kushtet e nevojshme higjieno-sanitare, pa një transport të përshtatshëm në shumë zona etj, kjo ndërprerje duhet të shtrihet deri me datë 16 janar.
KOHA JONË SONDAZH

