Erion Veliaj: Do të asfaltohet çdo rrugë. Investimet rritën vlerën e pronave në Tiranë
Bashkia e Tiranes ka nisur një aksion për të transformuar infrastrukturën rrugore në çdo lagje të Tiranës.
Erion Veliaj inspektoi në orët e vona të natës, punimet qe po kryhen në rrugën Ndreko Rino në njësinë numër 5, kur intensiteti i punës është më i lartë për shkak të qarkullimit të kufizuar të makinave.
“Do të jetë operacioni më i madh në Tiranë që nga 2015-ta. Nuk do lëmë asnjë rrugë pa asfaltuar. Sigurisht, ndodhi një traumë e madhe me atë që shkaktuan bursat, me rritjen e çmimit të naftës, pastaj çelikut e betonit, prandaj kemi vendosur që buxhetin e parealizuar të bashkisë ta çojmë për ndërhyrje në nivel kapilar në Tiranë. Njerëzit nuk e kalojnë tërë kohën te sheshi “Skënderbej”; mund të shkojnë aty për një koncert apo aktivitet, por shumicën e kohës jetojnë në lagjen e tyre. Ndaj, po ndërhyjmë në të gjitha lagjet e Tiranës, me të njëjtën cilësi siç po punohet këtu, në rrugën paralele me “Rrugën e Kosovarëve”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se këto ndërhyrje pritet të rrisin vlerën e pronës në çdo lagje e komunitet në kryeqytet.