Erion Veliaj: Industria digjitale është e ardhmja

Digjitalizimi dhe fokusimi i të rinjve te teknologjia e informacionit ishin pikat në të cilat u ndal sot kryebashkiaku Erion Veliaj, në Forumin Ekonomik të Tiranës. Duke e cilësuar këtë forum si një platformë dialogu mes aktorëve e faktorëve të zhvillimit ekonomik, Veliaj shtoi se falë investimeve në kryeqytet, një rëndësi gjithnjë e më të madhe po merr teknologjia digjitale, e cila po dikton jo vetëm sfidat e së ardhmes, por edhe një revolucion që synon ndarjen njëherë e mirë nga epoka e shërbimeve, drejt industrisë digjitale.

Në vitet 2000 ne bëmë një tranzicion nga ajo që quhet industria fason, në atë të shërbimeve, kryesisht call-center. Ndërsa sot, ky është momenti për të bërë një tjetër kapërcim, nga call-center në data-center dhe në industrinë digjitale. Në Tiranë sot kemi rreth 4600 mijë kodues. Por, ambicia ime si kryetar i Bashkisë është që në fund të këtij mandati të kemi 10 mijë kodues. Kjo është arsyeja pse i kemi liberalizuar shkollat e inxhinierisë së softuerëve, duke nxitur të vijnë në Tiranë “Hoxton Academy”, “Holberton School”, “Micro Folie”, “TUMO Center”, “Ecole 42” dhe “Factory Berlin”. Ambicia është që 1% e popullsisë sonë të jenë kodues profesionistë sepse kjo është puna e së ardhmes, që mund t’i bësh edhe nga shtëpia, që nuk kërkojnë të largohesh jashtë vendit, por këto janë edhe punët që paguhen më mirë,” u shpreh Veliaj.

Nisur nga fakti se në Tiranë e gjithë kjo javë është e mbushur me aktivitete në kuadër të Javës së Europës, Veliaj solli në vëmendje se kryeqyteti vërtet e aspiron anëtarësimin në BE, por së pari është me rëndësi që Europën ta krijojmë këtu.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?