Erion Veliaj shpërndan dhurata për fëmijët në nevojë: Krenar për shërbimet që ofrojmë

Në këto ditë festash, veçanërisht për festën e Krishtlindjes, Bashkia e Tiranës ka menduar që t’u gjendet pranë familjeve dhe fëmijëve me vështirësi ekonomike, për t’u krijuar edhe atyre mundësinë që të festojnë si gjithë të tjerët. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në Qendrën e re Komunitare Kombinat, ku shpërndau dhurata për fëmijët e familjeve në vështirësi ekonomike. Veliaj apeloi për më shumë solidaritet në këto ditë festash.

“Jam shumë krenar për ju dhe jam shumë i lumtur që jemi këtu sot, në një hapësirë më të madhe, më të bukur. Është një ambient ku fëmijët vijnë të bëjnë detyrat, ku ne ndihmojmë edhe disa fëmijë specialë, që kanë pak më shumë nevojë për ndihmë, dhe të sigurohemi që të gjithë shkëlqejnë. Por, sigurisht, ky është edhe një ambient për gjyshërit e gjyshet, që edhe ata të kenë një vend ku të takojnë njëri-tjetrin, të hanë një vakt të ngrohtë. Shpresoj shumë që kur të rriteni, do e vazhdoni ju këtë punë. Nëse në këtë qytet rritemi me dashuri, qyteti bëhet edhe më i mirë se ç’është. Nëse dikush ka nevojë për një fjalë të mirë, që t’i trokasim në derë dhe t’i themi gëzuar festat, kjo do t’ia ngrohte zemrën shumë”, tha ai.

Kryebashkiaku u shpreh se qendra ofron jo vetëm një strehë dhe vakte të ngrohta për të moshuarit e njerëzit në nevojë, por edhe shërbime për fëmijët me aftësi ndryshe, si fizioterapi, terapi arti dhe logopedi pa pagesë.

SHKARKO APP