Erion Veliaj tregon investimet e rëndësishme që do bëhen në Tiranë përgjatë 2023
Kreu i Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj në fjalën e mbajtur në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ndër të tjera ai renditi edhe disa nga investimet që Bashkia e Tiranës do bëjë nga fillimi i vitit të ardhshëm. Përveç rehabilitimit masiv të rrugëve në çdo lagje të qytetit, Veliaj tha edhe se do të vijojë ndërtimi i shkollave të reja.
”Duam ndërtimin e rrugëve të lagjes së re në Shkozë; rehabilitimin e rrugëve të bllokut që kufizohet nga Fabrika e Qelqit, Besim Alla dhe Jorgo Panajoti. Rikualifikimin e bllokut që kufizohet nga rrugët Teodor Keko, Tom Lezha, Mikel Maruli dhe Loni Ligori te Njësia 7. Rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga Bulevardi Bajram Curri, Bulevardi Petro Nini Luarasi, rruga Taulantia, rruga Ali Demi, faza e dytë e zonës që njihet si Tregu Elektrik.
Kemi pasur një kërkesë për rikonstruksion të shkollës 9-vjeçare ”Avni Rustemi” te Njësia 10, të cilën do e miratojmë. Kërkesë për ndërtim të kopshteve dhe çerdheve të integruar n.50 te Njësia nr.1 dhe shtimi i asaj lagje. Duam të kalojmë një paketë vlerësimesh nga ana inxhinierike të të gjitha objekteve arsimore mbi 50 vjeçare, si shkolla ”Avni Rustemi”. Vërtet nuk i dëmtoi tërmeti, por kemi një ligj që e kaluam mbas tërmetit dhe duam t’i bëjmë një vlerësim çdo objekti që ka mbi 50 vjet.
Kjo do të thotë se shkolla si ”Petro Nini”, apo shkolla të tjera që vërtet mund të jenë në këmbë, por ndoshta ka ardhur koha që tani që mbaruam ”Samiun”, bëmë ”Çajupin” ‘Partizanin’, gjithashtu t’i rikthehemi edhe disa nga shkollave ikonë, që duhet të kalojnë këtë auditin e shkollave mbi 50 vjet për t’i rikonsideruar edhe për investim, ose ndoshta për t’i bërë nga e para. Tjetra ka të bëjë me një fond për rehabilitimin e objektit të kompleksit Dajti.
Kompleksi Dajti është te njësia 7, shumë pranë Universitetit të Sporteve, një hapësirë për të cilën u tha jo po do e bëjnë pallat, jo po do shkojë në Paskuqan. Janë muhabetet e tallagjarëve që nuk na i kursen asnjë prej këtyre projekteve. Ne vendosim rehabilitimin e atyre terreneve dhe i japim atij komuniteti një fushë të standardeve evropiane. Ne duam të rregullojmë tribunën dhe dhomat e zhveshjeve dhe kur doli histeria nga këto portalet “Jeta osh qejf, jeta është gallatë”, thanë ‘jo po do i marrin, jo i nxorrën bizneset’.
Ato biznese ishin futur nën shkallë si te stadiumi “Qemal Stafa”, duke shitur materiale ndërtimi, duke ndërruar vaj makinash. Duam t’ía kthejmë komunitetit. Sot nuk kemi më një bashki e vobektë, por një bashki që do të investojë ta kthejë në funksionin e saj primar, që është sporti, dhe na shkon për faktin se Tirana është Qyteti Europian i Sportit 2023”, tha Veliaj.