“Erozioni i Shqipërisë – si po zvogëlohet vendi ynë nga deti dhe abuzimet mjedisore”
Spiro Boçi*
Artikuj të shumtë janë botuar në gazeta dhe të shumta janë lajmet e dhëna nga televizione vazhdimisht për erozionin. Vëmendja për këtë problem ishte më se e domosdoshme, por trasmetimi u dha në kohën e gabuar dhe me titull të gabuar: në kohën e gabuar se vëmendja e organeve kompetente ishte e përqëndruar më shumë te votimet dhe me titullin e gabuar se sipërfaqja e Shqipërisë nuk është zvogëluar. Në këto 30 vjetët e fundit si rezultat i abuzimeve mjedisore dhe njerëzore është zvogëluar vetëm shtesa e tokës dhe asgjë më shumë.
Është fakt i njohur se shkenca e studimeve për menaxhimin e zonave bregdetare është shkencë e re rreth 100 – vjecare, që ka filluar pas dëmtimit të një porti detar në Angli në vitin 1922, i ndërtuar disa vite më parë në një zonë erozive për të cilin u deshën shumë investime për ta stabilizuar. Pas kësaj në Angli dhe në shumë vende të tjera bregdetare u ngritën institucione studimore të mirëfillta dhe të pavarura për të analizuar me përgjegjësi se çfarë po ndodhte në bregdetet e tyre.
Studimi i parë në Shqipëri për të evidentuar se çfarë po ndodh në bregdetin tonë të Adriatikut, u bë nga Katedra e Gjeodezisë, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, nga Prof. Ndoc Luli dhe nga autori i këtij shkrimi. Ky studim filloi në vitin 1963 dhe mbaroi në vitin 1966. Pas vlerësimit të mirëfilltë nga specialistët, studimi u botua në vitin 1966 në Buletinin e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Një studim më të plotë për bregdetin e kam dhënë në vitin 1981 në mbrojtjen e doktoraturës me titull: “Studimi topografik i dinamikës së vijës bregdetare nga Vjosa në Bunë“.
Nga rezultatet e përftuara nga këto studime ka dalë përfundimi i patjetërsuar, se bregdeti ynë i Adriatikut është bregdet akumulativ. Elementet gjeomorfologjike të bregdetit akumulativ nuk janë të qëndrueshëm. Ato ndryshojnë vazhdimisht, por më në thellësi të detit nga prurjet e ngurta që sjellin lumenjtë dhe përrenjtë dhe nga zhvendosjet e grykëderdhjeve të tyre nga veriu në jug dhe nga jugu në veri, në një periudhë kohore afërsisht rreth 300 vjecare. Nën ndkimin e këtyre faktorëve që përsëriten në kohë është fomuar tërësia e fushës së bregdetit të Adriatikut tonë me lagunat ekzistuese dhe me tërësinë e atyre të bonifikuara.
Në formimin e fushës çdo lum ka zonën e tij të ndikimit, brenda së cilës dallohen edhe nënzona me proces erozioni. Në varësi të pozicionit të grykëderdhjes, mund të jenë një ose dy të tilla, por me intesitet më të vogël. Grykëderdhjet e lumenjve janë struktura dinamike, mbushin detin me inertet që sjellin, avancojnë si pykë për herë e më shumë më në thellësi të tij, por janë edhe në kundërvepërim me valët e detit. Kur grykëderdhjeve u ndërptiten inertet qoftë edhe për një kohë të shkurtër, valët kundërveprojnë, fillojnë t’i gërryejnë ato.
Pa njohjen e mirëfilltë të këtyre dukurive, kurrsesi nuk mund të shpjegohet dinamika e vijës bregdetare. Për të gjykuar në se erozioni i bregdetit ndikon në zvogëlimin e sipërfaqes së vendit, në fillim duhet të studiohet e gjithë zona e bregdetit, për shtesat dhe erozionet e tokës të bëhet shumatorja tërësore e tyre dhe pastaj të dilet në përfundimin e duhur. Ndërkohë ndarja në periudha kohore para apo pas vitit 1990 mendoj se është e pabazë. Këto dy periudha kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe ndryshimi midis tyre në periudhën e dytë lidhet vetëm me shfrytëzimit e tejskajshëm të marrjes së rërave në bregdet dhe në shtretrit e lumenjëve për ndërtime.
Në plazhin e Semanit p.sh., marrja e rërave ka filluar që në vitin 1987. Në këtë plazh në datat 11 tetor 1988, 25 tetor 1989 dhe 20 qeshor 1990, konstatuam se shfryrëzimi i rërave për ndërtime ishte i jashtëzakonshëm. Në qershor 1990 në bregdetin e plazhit pothuajse nuk kishte më rërë. dhe më 2 korrik 1993 arriti deri atje që për të marrë rërë atë e gërryenin me mjete të rënda dhe zona e plazhit ra nën nivelin e ujit të detit.
Të dhënat e mësipërme i rikujtuam se duhet të mirëkuptohemi për disa mendime që do të japim për emisionin, “Erozioni i Shqipërisë“ nga Top Story në dt. 16/3/2021.
Respekt për të gjithë studiuesit dhe pjesëmarësit e emisionit për punën e madhe të bërë në tërësi për erozionin e Shqipërisë dhe në vecanti për parashtrimin dhe ritheksimin edhe një herë të problemit të erozionit në bregdetin e Adriatikut për të marë masat për një menaxhim të mirë të zonës bregdetare me rëndësi të madhe ekonomike.
Thjesht, si një studiues i hershëm i bregdetit kohët e fundit kam mbaruar një studim të detajuar për “Evolucionin e bregdetit ku ndikojnë lumenjtë Seman dhe Vjosë, nga viti 1870 – 2016. Këtë periudhë kohore rreth 146 vjecare e kam ndarë në tre etapa kohore për vitet 1870 – 1990 për vitet 1990 – 2006 dhe për vitet 2006 – 2016. Kjo e fundit, e studiuar në mënyrë të pa varur, përkon me të dhënat kohore 2006 -2016 ku mbështetet emisioni juaj “Erozioni i Shqipërisë “.
Me shumë vonesë, por me shumë rëndësi, pavarësisht kërkesave të shumëhershme, në vitin 2014 u krijua e shumëpritura “Agjensia e menaxhimit të zonave bregdetare“, sot me emrin “Agjensia kombëtare e bregdetit“ pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me objektiva të qarta, por jo me të drejta të plota, se menaxhimi i bregdetit u la për t’u administruar për zonat përkatëse nga bashkitë dhe, si rezultat i kësaj ndarjeje të pakontrolluar pasojat negative u thelluan edhe më shumë nga lejet e dhëna pa kriter për ndërtime dhe që sot rrezikohen të shkatërrohen.
Në gusht të vitit 2019 shteti, duke parë këtë keqmenaxhim kërkoi që menaxhimi të bëhej vetëm nga një intitucion shtetëror dhe i pavarur. Për këtë pati diskutime, kundërshtime dhe mendime shpesh jodashamirëse, duke thënë se kjo e drejtë nuk duhet t’u hiqet bashkive. Por ky institucion më se i domosdoshëm dhe me përgjegjësi para ligjit, duhet të jetë i vetmi që të administrojë zonën bregdetare, që të japë lejet për investime që duhet të bëhen në zonë, që të përcaktojë largësinë e ndërtimeve nga bregdeti, por edhe të kërkojë nga investitorët për ndërtimet me interes kombëtar, që indirekt dëmtojnë zonën bregdetare, të investojë pranë këtij institucioni një vlerë monetare të nevojshme për mbajtjen nën kontroll të këtyre dëmtimeve.
Në tërësinë e pretendimeve që parashtroni në emisionin e dhënë “Erozioni i Shqipërisë”, me nëntitull “Si po zvogëlohet vendi ynë nga deti dhe nga abuzimet mjedisore“, më shumë vëmendje i keni kushtuar erozionit në plazhin e Semanit, duke e konsideruar si një ndër plazhet me erozion të lartë. Kjo është e vërtetë. Por më duket pa vend thënia, se plazhi i Semanit është zvogëluar disa herë që nga vitet 60. Disa herë? Erozioni është proces i vazhdushem dhe nuk mund të zvogëlohet disa herë dhe, për më tepër që nga vitet 60?!. Theksoni gjithashtu se, sipas banorëve deti ka përparuar në thellësi të tokës 1 km. Dhe ju e pranuat këtë?. Edhe po të nisemi që nga viti 1960 deri në vitin 2020, deti në këtë periudhë kohore 60 – vjecare në plazhin e Semanit nuk ka përparuar në thellësi të tokës më shumë se 420 metra. Për të shpeguar erozionin në këtë plazh duhet patjetër të dimë në fillim shkakun e erozionit.
Në zonën bregdetare të një bregdeti akumulativ në përgjithësi dallohen tre lloje erozionesh: 1- Erozioni i përhershëm; 2- Erozioni i proceseve tokëformuese; 3- Erozioni nga ndërhyrjet e njeriut .
Në rastin konkret kemi të bëjmë me erozionin e proceve tokëformuese. Gjatësia e zonës që gërryhet në plazhin e Semanit sot është rreth 4660 m. Fillon nga gjurma e lumit të vjetër të Semanit e më në jug, deri te kanali kullues i Hoxharës. Në veri të grykederdhjes ku ndikon lumi i Semanit kemi edhe një zonë tjetër që erodohet, që fillon nga kanali i hidrovorit të Karavastasë deri në mesin e godullës së re në liqenin e Karavastasë, me gjatësi rreth 10000 m (10 km).
Erozioni në plazhin e Semanit ka filluar para vitit 1870 dhe në vazhdim për një periudhë kohore më se 150 – vjecare kjo zonë është në poces erozioni, por raporti i mbushjes (shtesës) nga akumulimi i lumit me erozionin (gërryerjen) që deri në vitin 1990 ka qënë rreth 2.8 / 1, në vitin 2016 si pasojë e marrjes së rërave nga lumi për ndërtimet dhe H/C të Banjës ky raport është shumë më i vogël, rreth 1.2/1.
Procesi i erozionit në këtë zonë është bërë i ditur që në vitin 1966. Është e vërtetë që deti aty, për periudhën nga viti 2005-2016, ka përpirë 130 ha. tokë, rreth 12 ha në vit, po sa ka shtuar lumi?. Nga llogaritjet raporti mbushje/gërryerje në zonën ku ndikon lumi i Semanit me gjatësi të vijës bregdetare 28 km. gjatë viteve 2006-2016 na ka dalë 1.2/1.
Ndërtimi i bunkerave në Shqipëri ka filluar në viti 1965 dhe ka vazhduar deri 1985. Bunkeri i parë (transhe) me një konstuksion të vecantë dhe me gjatësi të konsiderueshme, në plazhin e Semanit është ndërtuar në vitit 1966 dhe larg nga bregu i detit 100 m. Në datën 10 maj 1985 bunkeri ndodhej në buzë të detit dhe një pjesë e tij deri 3 m në brendësi.
Bunkerat që ju tregoni në video janë krejtësisht në ujë, janë seria e dytë e bunkerëve të ndërtuar 100 m më larg nga bunkeri transhe. Pa u futur në hollësi të mëtejshmë është fakt se ky erozion po të mos merren masa, do të rrezikojë për një kohë jo shumë të largët edhe vetë argjinaturën që ndan fushën e bonifikuar. Po cila është zgjidhja? Diku ju thoni se erozioni në bregdetin tonë është rreth 11% më i madh se ai i vendeve të Europës. Por bregdeti i asnjë vendi europian nuk ka karakteristikat e një bregdeti akumulativ dhe as që mund të krahasohet me bregdetin tonë. Në një farë mase mund të krahasohet vetëm me deltën e lumit “Po” të Italisë, por duhet të kemi parasysh se tek ne lumenjtë që kanë zonat e tyre të akumulimit veprojnë në mënyrë të pavarur por edhe në bashkëveprim me njeri – tjetrin.
Gjatë trasmetimit televiziv duke parë pamjet e dhëna për të vërtetuar erozionin e madh në plazhin e Semanit vihet re që gjithcka ishte bazuar në atë të vërtetë që shihej me sy atje. Treguat se shkarërimet në këtë plazh janë të dukshme duke dhënë edhe fakte konkrete, si trungjet në tokë që dikur i takonin pyllit që ishte shkatëruar tërësisht nga deti (parashikim i thënë në të njëjtin televizion në fund të shtatorit të vitit 2011), treguat fundin e rrugës që të conte në plazh dhe që tani është rreth 0.7 metra më lart nga niveli i detit etj. Por, po të shkonit disa km më në veri deri ne lumi i vjetër i Semanit, do të vërenit që disnivelet det – tokë atje janë me përmasa shumë më të mëdha, pothuajse normal me detin dhe arrijnë edhe më shumë se 1.10 m. Sot, pas 35 viteve nga maji i vitit 1985, për shkak të erozionit, deti jo vetëm që ka avancuar në drejtim të tokës me rreth 300-350 m. dhe ka shtuar diznivelin det-tokë, por ka gërryer dhe po gërryen një tokë të vërtetë buqësore.
Uji që mbulon sot brendësinë e plazhit është aty si rezultat i gërryerjes së plazhit për marrjen e rërave për ndërtime, me mjete të rënda nën nivelin e ujit të detit.
A duhet mbrojtur kjo tokë që të mos shkatërohet më?. Pa tjetër. Por para masave që duhet të merren për këtë duhet të bëhet një studim i mirëfilltë laboratorik, studim që duhet të bëhet edhe për të gjitha zonat e tjera që janë në të njëjtat kushte.
Po ku është laboratori i hidraulikës dhe specialistët që me shumë mund e ndërtuan dhe që dhanë një kontibut të jashtëzakonshëm dhe shumë të sukseshëm në modelimet e domosdoshme për ndërtimin e H/C ve dhe të shumë modelimeve të tjera të nevojshme? U shkatërua.
Plazhet e Durrësit dhe të Golemit deri në vitin 1990 kanë qënë krenaria e bregdetit tonë të Adriatikut të stabilizuara dhe me prespektivë kurse sot janë zona me erozion të përhershëm dhe me probleme të shumta nga marrja pa plan dhe pa krontoll e rërave dhe me sasi shumë të mëdha për ndërtime që para vitit 1990 e në vazhdim. Të sigurt se këto zona do të ktheheshin në zona me erozion në fillim të vitin 1990 paralajmëruam organet kompetente që të parandalonin marrjen e rërave, por në realitet sasia e marrjes u shtua më shumë.
Për ta vërtetuar se në plazh do të rritej erozioni kryem direkt matje në terren gjatë viteve 1990, 1991, 1993 si dhe në qershor dhe në gusht të vitit 2002. Nga matjet e para, intesiteti i erozionit na rezultoi 0,3-05 m. ndërsa në vitin 2002 me vlerë nga 1 deri 3 m. në vit. Prapë nuk besuan. Ndërtuesit i shtuan ndërtimet ku mundën pa plan dhe, në vend që të ndërtonin asamble të bukura për plazhe nuk bënë atë që duhej.
Konstatimet e dhëna në emision se plazhet e Golemit po gërryhen dhe gjëndja është kritike, se pritat normale me detin kanë prishur më shumë punë se kanë regulluar, pasi në disa zona erozioni është rritur shumë dhe tani ka shumë objektet në tokë që nga bregdeti janë vetëm 6 – 10 m. larg etj., është problem që duhet patur parasysh që plazhi i Golemit të mos ketë fatin e plazhit të Semanit.
Nuk e di kur kanë filluar të ndërtohen pritat dhe kush i ka dhënë lejet për ndërtimin e tyre, por fakt është se vetëm në një largësi rreth 3300 m ( 3,3 km), janë ndërtuar 15 prita (ka edhe 14 të tilla më në jug) me gjatësi nga 35 m deri 140 m me një gjatësi rreth 1100 m. Po të marrim parasysh mesataren e gjatësisë së tyre rreth 70 m gjerësinë rreth 5 m dhe thellësinë rreth 2 m del një volum gurësh e barabartë me: 70 x 15 x 5 x 2 = 10500 metër kub që po ta pjesëtojmë këtë me gjatësinë e bregdetit del 10500 : 3300 = 3.2 metro kub gurë për një metër linear bregdet.
Monitorimi dhe zgjidhja e mbrojtjes nga erozioni i plazhit të Golemit të Durrësit dhe plazheve të tjera i takon vetëm Institucionit Kombëtar të Pavarur të Bregdetit.
Probleme të shumta me erozionin ka edhe zona bregdetare e Lezhës nga porti i Shëngjinit deri në rrjedhën e sotme të lumit të Matit. Me shumë të drejtë këto probleme për vite të tëra i ka trajtuar i mirë informuari eksperti i mjedisit i Bashkisë së Lezhës.
Është mbresëlënëse që Laguna e Kume-Vainit është zona e parë e mbrojtur në vëndin tonë. Fillesën e ka që në vitin 1940. Erozioni në këtë zonë nuk ka filluar në vitin 1990, por shumë më parë. Hektarët e humbur nga erozioni janë dukuri që do të vazhdojë. Problemi këtu qëndron që të dimë shkakun e erozionit që po rrezikon tërë zonën nga Shëngjini deri në afërsi të rrjedhës së sotme të lumit të Matit dhe pastaj të mendohet për marrjen e masave për kufizimin e tij.
Eshtë studiuar dhe bërë e ditur tashmë se fusha e zonës të Lezhës është krijuar nga depozitimet e prurjeve të ngurta nga lumi i Drinit dhe i Matit. Zona ku ka ndikuar lumi i Drinit fillon nga plazhi i Shëngjinit deri në fund të lagunës të Kume-Vainit dhe më në veri deri në rrjedhën e sotme të Drinit në Bunë, ndërsa lumi i Matit zonën nga fundi i Lagunës së Kume-Vainit e më në jug deri edhe rreth 2 km. në jugë të grykëderdhjes të sotme të lumit të Matit.
Nga studimet tona na ka rezultuar se kjo zonë është e vetmja zonë me bilanc negativ në të gjithë zonën akumulative të bregdetit të Adriatikut e konstatuar dhe e vënë në dukje që në vitin 1966 dhe e ritheksuar edhe në vitin1981.
Erozioni këtu është shumë i hershëm më se 120 vjecar. Ka filluar që në kohën kur lumi i Drinit filloi të derdhej në veri në lumin e Bunës dhe që nuk u kthye më në shtratin mëmë. Në të njëjtën kohë edhe lumi i Matit filloi të ndërronte rrjedhën në drejtim të jugut.
Nga matjet që kemi kryer na ka rezultuat se erozioni këtu deri në vitin 1981 ka qënë rreth 2-3 m. në vit. Në ditët e sotme thuhet se është nga 2 deri në 4 m. në vit po nga ka dalë, si është matur?
Është folur shumë se erozioni i bregdetit në këtë zone ka ardhur si rezultat i ndërtimit të H/C-ve në lumin e Drinit. Kjo lë vënd për diskutim, por nuk është ky shkaku. Erozioni këtu është shumë më i hershëm dhe ai ka një ngjashmëri të madhe me erozionin në zonën e plazhit e Semanit.
Tashmë del pyetja: ku janë bazuar projektuesit dhe ndërtuesit për ndërtimet në plazhin e Shëngjinit afër bregdetit kur dihej dhe dihet se me përjashtim të 1.3 km në jugë të portit të Shëngjinit që është në mbushje falë inerteve që kanë ardhur nga erozioni i pjesës jugore të bregdetit, ndërsa pjesa tjetër tërësisht në proces erozioni. Kush ua ka dhënë lejet për ndërtime? Pavarësisht nga kjo projetuesit dhe ndërtuesit edhe vetëm me një shikim në terren mund ta verifikonin erozionin nga bunkerat që bëjnë not tutje në brendësi të detit gjë që do mjaftonte se aty nuk duhet të ndërtonin.
Tashmë gjendja e mjaft ndërtimeve në këtë zonë dihet. Ato janë në prag të shkatërimit dhe duhet të merren masat e duhura për të shtuar kohën e mbijetesës të tyre. Mundësitë janë. Mos flisni për fonde maramëndse se është e pamundur të sigurohen. Ndërhyni në fillim me studimin e skalierës, se në këto kushte është e vetmja mundësi për ta mbrojtur nga kolapsi erozionin në Lagunën e Kunes.
Është folur shumë edhe për erozionin në plazhin e Tales. Zona e Tales ka qënë dhe mbetet nën ndikimin e lumit të Matit dhe nuk ka lidhje me lumin e Drinit. Kjo vërtetohet edhe nga gjurmët e hershme të lumit të Matit që duken qartë edhe sot. Erozioni në zonën e plazhit të Tales megjithëse është i hershëm ka mundësi të ndalohet tërësisht edhe pa pritur që lumi të ndërrojë drejtimin nga jugu në veri por të ndërhyet për këtë. Kushtet janë dhe me kosto modeste. Kërkohet vetëm vullneti dhe një diskutim efektiv për marrjen e vendimit.
Emisionit Top Story thekson se synon të vërë në dukje: trasparencën, gabimet e qeverisë (këtu hyjnë të gjitha qeveritë), inkompetencën, indiferencën etj. Këto janë të vërteta për problemet e erozionin në tërësi dhe duhen patur parasysh nga organet kopetente. Pyetja që shtrohet ka për bazë, se në cilat nga këto kushte është bazuar stafi për t’i vënë emisionit titullin ”Sipërfaqja e vëndit tonë po zvogëlohet nga erozioni i detit”, që nuk është e vërtetë?. Këtu në radhë të parë mungon “Trasparenca” që vërtetohet edhe nga fakti se edhe vetë ju hartës që paraqisni në emision i kini vënë një “?” të madhe.
*Autori jeton në Broadlans VA, SHBA