Ethet Presidenciale, emri ende sekret

Të gjithë po flasim, por askush nuk ka dhënë një emër që mund të jetë Presidenti i ri i Shqipërisë. PS nuk flet me Berishën, por me të tjetër po. Ditën e nesërme do të nisin negociatat për zgjedhjen e kreut të shtetit. Ka qenë mazhoranca e cila ka ftuar publikisht për të negociuar me tre grupet parlamentare para se të zhvillohet raundi i parë më 16 maj.

Takimet do të zhvillohen të ndara, ku fillimisht pritet të diskutohet mes kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla dhe Mesila Dodës, në orën 09:00. Takimi do të pasohet Fatmir Mediun, ndërsa ende nuk ka një konfirmim nga ana e kreut të grupit demokrat Enkelejd Alibeaj.

“Sali Berisha, deputet i pavarur i cili me vendimin që kemi marrë, është i papranueshëm për asnjë lloj propozimi që mund të vijë me firmën e tij në Kuvend dhe kemi marrë vendimin që të rrëzojmë çdo gjë që vjen me firmën e tij”, tha sot Taulant Balla.

Nga Komisioni i Rithemelimit, dy negociatorët e mandatuar për çështjen e Presdentit të ri, Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi, janë takuar me kreun e republikanëve Fatmir Mediu, Monika Kryemadhin e LSI-së, Vangjel Dulen e PBDNJ dhe Agron Dukën e Partisë Agrare.

Fatmir Mediu i cili është më i përfshiri nga opozita, thotë se propozimi i tyre është që opozita të dalë vetëm me një kandidaturë të vetme, e cila të jetë mbi palët politike dhe me kriteret që përcakton kushtetuta.

Po ashtu Mediu tha se nesër nuk kanë si propozim asnjë emër konkret. ”Nesër nuk do të shkojmë me asnjë emër konkret sepse asnjë emër nuk duhet të dalë në një mënyrë të njëanshme dhe ky emër duhet të jetë i konsultuar me të gjithë deputetët e opozitës”.

SHKARKO APP