Etika e kodifikuar në PS, Rama u ndalon deputetëve komunikimin me mediat
Mes 10 vendimeve që do të miratojë ditën e shtunë Asambleja e Partisë Socialiste, është edhe Kodi i Etikës. Shqiptarja.com siguron projektin e këtij Kodi, i cili ndër shumë kritere, i kushton një kapitull të veçantë marrëdhënies së deputetëve socialistë dhe funksionarëve të saj në raport me median.
Në këtë kapitull, është e ndaluar që deputetët të flasin me persona të jashtëm ose me median për atë çfarë diskutohet në mbledhjet e grupit apo në mbledhjet e kryesisë kur ato janë të mbyllura.
E vërteta është se këto mbledhje historikisht bëhen të mbyllura në Partinë Socialiste, sikundërse të gjitha mbledhjet e organeve kolegjiale, duke përjashtuar këtu mbledhjen e Kongresit të fundit Kombëtar të PS-së. Neni 13 i Kodit të Etikës me titull “Rregulla për respektimin e kodit të etikës” thotë:
“1. Komunikimet me median për çështje që implikojnë qëndrimet politike të PS bëhen përmes Zyrës së Marrëdhënieve me Median ose në konsultim me të.
- Anëtari i PS i zgjedhur në organe drejtuese të Partisë dhe të forumeve të Rinisë e të Gruas nuk mund të shprehet në emër të PS për çështje që kërkojnë një vendimmarrje politike pa u konsultuar më parë me strukturat përkatëse vendimmarrëse.
- Sekretarët e PS shprehen për çështje politike sipas sektorëve që mbulojnë përveçse për çështje të tjera për të cilat janë ngarkuar nga Kryetari i Partisë, Asambleja dhe Kryesia. Deklarimi i tyre bëhet konform qëndrimeve politike të miratuara nga strukturat vendimmarrëse.
- Anëtarët e Kryesisë dhe Asamblesë shprehen në media për çështje politike që kanë të bëjnë me qëndrimin e partisë konform vendimeve të marra nga strukturat vendimmarrëse (Kryesi, Asamble, Kongres). Në çdo rast deklarimi koordinohet me Zyrën e Marrëdhënieve me Median në Parti.
- Për vendimet e Kryesisë shprehet Kryetari i Partisë, zëdhënësi i Partisë ose një nga anëtarët e forumit i ngarkuar nga Kryetari.
- Për vendimet që merr Asambleja Kombëtare e Partisë shprehet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë si drejtues i saj ose i ngarkuari prej tij.
- Asnjë anëtar i Kryesisë, Asamblesë nuk mund të deklarohet në publik ose me forma të tjera, për çështjet e diskutuara në mbledhjen e Kryesisë apo Asamblesë kur për to vendoset të jenë të mbyllura.
- Për vendime që merren në Grupin Parlamentar, në emër të Grupit dhe në përputhje me vendimin politik të tij, shprehet Kryetari, nënkryetari ose Sekretari i Grupit dhe në raste të veçanta një person i caktuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar.
- Asnjë deputet i Grupit Parlamentar Socialist nuk mund të shprehet në media për çështjet e diskutuara në Grup kur është vendosur që mbledhja e Grupit të jetë e mbyllur.
- Pjesëmarrësit në debatet publike si përfaqësues të PS konsultohen paraprakisht me sektorin përkatës të PS, lidhur me qëndrimet e Partisë për çështjet në diskutim.
- Përfaqësuesit e PS në këshillin e bashkisë apo të qarkut këshillohen me Kryetarin e Grupit të Këshilltarëve përkatës të PS përpara deklarimeve në publik për çështje që implikojnë qëndrimin politik të PS si forcë përfaqësuese”-thuhet në projekt-Kodin e Etikës.
Përgjegjësia
Rregullat etike të këtij Kodi janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë anëtarët e partisë dhe përfaqësuesit e zgjedhur e të emëruar të saj në nivel qendror e vendor.
Mosdiskriminimi
Anëtari i partisë nuk duhet të favorizojnë apo të diskriminojnë askënd, për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjes politike, fetare, etj.
Shmangia e konfliktit në lidhje me ushtrimin e mandatit
Anëtari i forumit drejtues ndalohet të përdorë influencën që lidhet me mandatin mbi strukturat shtetërore për përfitime financiare ose fitime të tjera materiale për veten, familjen e të afërm të tij.
Anëtari i forumit drejtues nuk duhet ta përdorë informacionin konfidencial, të marrë gjatë kryerjes së detyrës, për interes personal.
Anëtari i forumit drejtues nuk duhet të kërkojë ose të pranojë dhurata, favore, pritje ose çfarëdo përfitim tjetër, shmangie të humbjeve të mundshme si dhe premtime për to për veten, familjen, të afërmit, personat ose organizatat me të cilat ka marrëdhënie, që ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në paanësinë e kryerjes së mandatit, apo janë ose duket sikur janë shpërblim për mënyrën e kryerjes së mandatit përfaqësues.
Integriteti dhe standardet në përzgjedhjen e kandidatëve
- Përfaqësuesit e partisë në funksione politike, në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv qendror dhe vendor, duhet të karakterizohen nga standardet më të larta të integritetit moral dhe ligjor.
- Çdo kandidat i propozuar për t’u zgjedhur apo emëruar në funksion politik nga Partia, detyrohet të nënshkruajë një deklaratë në të cilën deklaron se:
- nuk është shkarkuar ose larguar nga asnjë detyrë e mëparshme për korrupsion apo shkelje të ligjit;
- nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie;
- do të zbatojë me korrektësi standardet ligjore të funksioneve për të cilat kandidon apo emërohet.
ç. do të zbatojë me korrektesë rregullat dhe normat e përcaktuara në dokumentet kryesore të Partisë.
- Modeli i deklaratës që duhet të plotësojnë kandidatët për përfaqësim në drejtim dhe emërim në poste politike e ekzekutive përgatitet e miratohet nga Kryesia e Partisë.
- Personat që përjashtohen në bazë të Kodit të Etikës nuk mund të jenë kandidatë për funksione të ndryshme përfaqësimi ose të mund të emërohen në çdo lloj detyre që ka mbështetjen politike të partisë.
Shmangia e papajtueshmërisë së lidhjeve familjare
Nuk mund të jenë njëkohësisht në përbërje të së njëjtës strukturë drejtuese (Asamble Socialiste, Asamble Kombëtare) persona që lidhen nga marrëdhëniet: bashkëshortë, prind–bir/bijë, vëlla – motër, vjehërr – dhëndër/nuse.
Në rast se në përfundim të një procesi zgjedhor rezulton se përbërja e strukturës përkatëse drejtuese bie në kundërshtim me përcaktimin e mësipërm, çështja zgjidhet me dorëheqje ose me short.
Nuk mund të jenë në të njëjtën kohë kryetar i PS i bashkisë dhe kryetar bashkie/komune, drejtues kryesorë të PS dhe të zgjedhur ose të emëruar në funksione politike si deputet, zv.ministër, ministër, etj persona që lidhen nga marrëdhëniet familjare të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.
Anëtari i strukturës drejtuese të partisë në nivel vendor dhe qendror, jashtë detyrimeve që përcaktohen në pikën 1 dhe 3 të këtij neni, duhet të deklarojë dhe të mos marrë pjesë në diskutimin, shqyrtimin dhe miratimin e vendimeve përzgjedhëse kur ai vetë ose bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndri e nusja e tij, kanë interes politik ose përfaqësues. /shqiptarja.com/
KOHA JONË SONDAZH

