Euro në nivelin më të ulët historik! Në fund të dhjetorit monedha evropiane zbriti në 112 lekë
Euro e ka mbyllur vitin 2022 në nivelet më të ulëta historike.
Festat e fundvitit duket se i kanë dhënë një tjetër goditje monedhës europiane kur për herë të parë më 28 dhjetor zbriti në 112.8 lekë, niveli më i ulët historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë euro këmbehet aktualisht për 114.2 kundrejt lekut.
Tendenca rënëse e monedhës europiane është e njohur tashmë në këtë periudhë ndikuar nga faktorët sezonalë pasi prurjet në valutë nga turistët dhe ardhja e emigrantëve janë rritur ndjeshëm duke sjellë zhvlerësimin e mëtejshëm të euros.
Por, nënçmimi i monedhës europiane lidhet edhe me faktorë të tjerë si paratë informale që qarkullojnë në vend, duke bërë që leku, monedha vendase të forcohet kundrejt euros.
Prej fillimit të vitit, sipas kursit të bankës qendrore euro ka humbur rreth 8 lekë në raport me lekun. Nivelin më të lartë për vitin 2022 euro e shënoi në fillim të marsit kur arriti në 127 lekë dhe që prej asaj kohë monedha e huaj ka parë luhatje të vazhdueshme.
Nga dobësimi i euros ka fitues e humbës. Përfitues në këtë situatë janë individët apo bizneset që kanë marrë kredi në euro, pasi këstet janë më të lira.
Po ashtu, e favorshme kjo periudhë është edhe për ata importuesit si dhe për ata që blejnë euro apo zgjedhin të bëjnë pushime jashtë vendit.
Ndërsa nga zhvlerësimi i monedhës europiane goditen ndjeshëm eksportuesit apo individët që marrin pagat e tyre në euro.