Euro në pikiatë, forcohet Dollari

Monedha e përbashkët Euro ka shënuar një tjetër rënie gjatë fundjavës në tregun vendas, duke zbritur ne kuotën e 122.73 lekë, nga 122.93 lekë të hënën sipas Bankës së Shqipërisë.

Ky është një tjetër nivel i ulët, që nga periudha e para pandemisë, në fillimin e Marsit të 2020. Më pas Euro u ngjit për disa ditë në 130 Lekë në fund të Marsit, si rrjedhojë e ndërprerjes së fluturimeve ajrore që krijuan vështirësi të përkohshme në furnizimin me valutë. Megjithatë monedha europiane që prej fillimit të këtij viti ka patur kryesisht tendenca nënçmuese, shpesh në linjë të kundërt edhe me bursat ndërkombëtare.

Sipas ekspertëve, rënia e javës së fundit të Euros lidhet me dy arsye kryesore: Së pari, monedha e përbashkët ka rënë ndjeshëm në bursa, në raportet e këmbimit me dollarin, ku 1 euro u këmbye me 1.19 dollarë, niveli më i ulët që nga fillimi i Prillit. Së dyti, sipas ekspertëve në tregun vendas ka shumë valutë dhe tregtuesit e monedhës europiane, tentuan të mbanin çmimin e dollarit të pandryshuar dhe si rrjedhojë ulën çmimin e euros, çka shkaktoi këtë situatë.

Po ashtu javët e fundit, me gjallërimin e turizmit dhe ardhjen e turistëve nga Europa, krahas shqiptarëve të Kosovës, ka hyrë më shumë valutë në Euro në vendin tonë.

Dollari po shkon drejt javës më të mirë që nga fillimi i Shtatorit, në tregun vendas, dollari po këmbehet në nivelet e 102.94 lekëve, duke fituar +0,27 pikë që shënojnë nivelin më të lartë që nga 14 Prilli i këtij viti.

SHKARKO APP