Europa po digjet. Disa shtete shpallin alarmin e kuq
Për shkak të temperaturave ekstreme të larta, shtete në Evropë kanë vendosur alarmin e kuq, ndërsa në Shqipëri ende nuk është marrë një masë e tillë. Meteorologia e Metoalb, Lajda Porja ka shpjeguar se përse në vendin tonë ende nuk është vendosur alarm i kuq.
“Ndodh kur numri i ditëve me temperature të larta është i lartë dhe kalojnë pesë deri në gjashtë ditë në valën e të nxehtit afrikan. Kjo valë është 21 ditë me temperatura mbi 40 gradë. Shqipëria ka vetëm tre ditë, sot, nesër dhe pasnesër pritet. Evropa, Italia, Greqia, Spanja kanë shumë ditë”- tha meteorologia Lajda Porja.
Qendra e koordinimit të reagimit ndaj emergjencave të BE-së lëshoi alarmin e kuq për temperatura të larta për pjesën më të madhe të Italisë, Spanjën verilindore, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën jugore dhe Malin e Zi. Në Greqi parashikohet një valë të nxehti deri në 44 gradë Celsius në disa pjesë të vendit. Ambulancat janë në gatishmëri në Akropol për shkak të turistëve.
Turqia ka temperaturat maksimale prej 44°C ditët e fundit, në Qipro ato mund të shkojnë deri në 42°C, ndërsa në Malin e Zi do shkojë në 40°C. Serbia mund të përballet me 38°C të martën e ardhshme, ndërsa Rumania deri të shtunën mund të arrijë 39°C. Pjesë të Kroacisë presin temperatura që do shkojnë në 34°C. Në Itali, temperaturat në ishullin e Sardenjës arritën në 45 gradë Celsius dhe në Romë arritën në 40 gradë Celsius të martën.