Falenderim për emigrantët shqiptarë

Nga Dr. Vangjel Tavo

Gjatë ditëve të fundit, me rastin e pushimeve verore, kam patur kënaqësinë të takoj shumë miq e shokë, të njohur dhe njerëz të zakonshëm, të cilët janë emigrantë jashtë vendit, kryesisht në Greqi. Shfrytëzoj edhe një herë rastin ti falenderoj, ashtu siç bëra edhe personalisht me ata, për kontributin e madh që kanë dhënë për këtë vend, dhe për krenarinë që i japin emrit shqiptar. Kur flitet për atdheun çdokush mundohet të tregojë se sa shumë ka bërë për të. Por, askush nuk ka kontribuar më shumë për vendin tonë sesa shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë kufijve. Emigrantët prej dekadash kanë qenë kontribuuesit e jashtëm më të mëdhenj financiar dhe ekonomikë në Shqipëri. Me frytin e punës së tyre ka marrë zhvillim ekonomia e vendit.

Gjithashtu, impakti social dhe kulturor që ata kanë pasur në vend ka qenë i jashtëzakonshëm duke e bërë Shqipërinë e pas viteve ‘90-të më moderne dhe më të emancipuar. Emigrantët shqiptarë kanë shërbyer si ura lidhëse midis Shqipërisë dhe mbarë Europës dhe botës. Me punën e duarve të tyre ata i kanë dëshmuar botës virtytin e punës dhe me mundin e tyre kanë treguar se jemi një komb me vlera. Fëmijët shqiptarë shkëlqejnë në shkollat greke, italiane dhe vende të tjera europiane duke u bërë kështu krenaria kombëtare si për sot ashtu edhe për të ardhmen. Flitet shumë për patriotizëm, por e vërteta është se emigrantët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit janë simboli më i mirë i patriotizmit. Ata u mësojnë fëmijëve gjuhën shqipe, hapin shkolla të gjuhës shqipe, mendojnë dhe punojnë për Shqipërinë.

Emigranti është kategoria më e çmuar e shoqërisë, pasi jo vetëm i duhet të largohet nga ngrohtësia e familjes dhe atdheut, por edhe të kontribuojë pa pushim të nderojë emrin e vendin nga vjen, të mbështesë financiarisht familjen, të investojë në ekonominë e vendit, dhe të emancipojë shoqërinë e vendit të tij. Emigrantët kanë dhënë një kontribut të pashoqë dhe kanë pasur një impakt të papërshkrueshëm tek të gjithë shqiptarët kudo që gjenden. Me talentin e duarve të tyre i kanë dëshmuar botës dashurinë për punën, dhe me përballjet me të cilat janë hasur kanë treguar se jemi një komb me vlera. Lëvizja Socialiste për Integrim, familja ime politike, i ka respektuar emigrantët si një forcë aktive në zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ne besojmë që emigrantët, me duart e tyre ndërtuan Shqipërinë dhe i kanë dhënë nder emrit shqiptar kudo që kanë punuar e jetuar. për këtë arsye ata meritojnë një mirënjohje të thellë dhe të pafund.

SHKARKO APP