Fate Velaj zbulon projektin e Ramës për Kryeministrinë: Kati i parë po kthehet në bibliotekë dhe në sallë galerie për artin figurativ
Kati i parë i ndërtesës do të jetë një hapësirë që do t’i dedikohet tërësisht kulturës. Këshilltari i kryeministrit për Kulturën, Fate Velaj zbulon për ResPublica detaje të këtij projekti. Në katin e parë aktualisht po punohet për krijimin e një biblioteke dhe një galerie të vogël për artin figurative. “Nuk do të jetë një qendër permanente arti, por do të ketë një bibliotekë moderne dhe një galeri për formate të vogla ku mund të bëhen prezantime librash dhe punimesh figurative”.
Projekti për bibliotekën financohet pjesërisht nga qeveria shqiptare, ndërsa 50 për qind fondit të librave pritet të vijnë nga donacione te huaja. Sipas Velajt, biblioteka është në strukturimet e fundit dhe për aksesimin e saj do të ketë elementë të teknologjisë hi-tech. Në të do të shoqërohen delegacionet e ndryshme që do të vizitojnë kryeministrinë, por në orare të caktuara do të jetë e hapur edhe për kryeministrinë. “Biblioteka do të ketë një fond të madh me libra shqiptarë e të huaj, do të jetë një pasuri e madhe. Publiku do të ketë akses në ditë dhe orare të caktuara”-sqaron Velaj. Ky projekt që tashmë ka nisur të zbatohet pritet të jetë gati në vitin 2015.