Fatmir Xhafaj mposht Covid-19: Koha të çlirohemi të gjithë, ja ilaçi më i mirë i ditëve të vështira!
Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka fituar betejën me virusin e rëndë Covid-19. Lajmin e bën të ditur vetë ish-ministri, i cili thekson se ka qëndruar për disa javë i izoluar.
Mes të tjerash, Xhafaj tregon se ilaçi më i mirë në këto ditë të vështira ka qenë mbesa e tij Lori, ku shton se “betejat me Covid-in s’janë veç mjekimi, por edhe reflektimi për të kuptuar forcën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror”.
Më tej, ai iu drejtohet me një mesazh të fortë edhe politikanëve dhe shoqërisë civile, duke iu thënë se është koha për t’u çliruar të gjithë dhe “secili prej nesh të mendojë se si t’ua bëjmë këto ditë me më pak stres qytetarëve shqiptarëve, e veçanërisht atyre që kanë aq shumë nevojë për më shumë kujdes dhe mbështetje”.
Mesazhi i Xhafajt
Pas disa javë izolim për shkak të përballjes me Covid-19, dje ishte një pasdite e bukur familjare. Së bashku me bashkëshorten, ja kushtuam mbesës sonë të ëmbël Lora të cilës i patëm premtuar që do ta zbukuronim bashkërisht pemën festive të fundvitit.
Ato orë dritash e ngjyrash bëheshin akoma e më të shndërritshme mes buzëqeshjeve të Lorës të cilat janë ilaçi më i mirë i ditëve të vështira. Padyshim, betejat me Covid-in s’janë veç mjekimi por edhe reflektimi për të kuptuar forcën e dashurisë dhe solidaritetit shoqëror.
Njerëzit kanë nevojë për distancë sociale, maskë, mjekime e fatkeqësisht jo rrallë edhe për oksigjen, por mbi të gjitha kanë nevojë jetike për paqe, qetësi dhe veçanërisht për solidaritet njerëzor nga secili prej nesh. Më shumë se asnjëherë tjetër.
Gjithë bota po jeton ditë të vështira me shëndetin, e ne akoma edhe më të rënda për shkak të klimës politike, mllefit të skajshëm dhe urrejtjes që derdhet çdo ditë ekranesh. Lufta për pushtetin s’mund të shkelë mbi anën njerëzore në emër të shëndetit.
Koha të çlirohemi të gjithë: Politika, media dhe shoqëria civile ku secili prej nesh të mendojë se si t’ua bëjmë këto ditë me më pak stres qytetarëve shqiptarëve, e veçanërisht atyre që kanë aq shumë nevojë për më shumë kujdes dhe mbështetje.
Në vend të kalkulimeve çnjerëzore mbi dinjitetin e viktimave, duhet të vazhdojmë të ofrojmë ndihmë konomike, përkujdesje sociale, por sigurisht edhe sa më shumë atmosferë festive për dashurinë ndaj jetës. Shqiptarët e meritojnë plotësisht. Veçanërisht fëmijët.
Pas disa javë izolim për shkak të përballjes me Covid-19, dje ishte një pasdite e bukur familjare. Së bashku me bashkëshorten, ja kushtuam mbesës sonë të ëmbël Lora të cilës i patëm premtuar që do ta zbukuronim bashkërisht pemën festive të fundvitit. 1/6 pic.twitter.com/7jI4oCy5X9
— Fatmir Xhafaj (@FatmirXhafaj) November 24, 2020