Ferdinand Xhaferaj: Vangjush Dako fitoi në Durrës jo nga votat, por nga paratë e drogës

Kreu i PD-së në Durrës flet për një strategji që do të garantojë votat e shqiptarëve. Ja pse në 16 Shkurt do protestojnë durrsakët

Intervistoi: Herion Mesi

Ferdinand Xhaferaj ka fituar katër herë mandatin e deputetit në siglën e Partisë Demokratike në Durrës, por në zgjedhjet lokale të 2011-ës ai vendosi të ndërpresë mandatin e deputetit e të ministrit të Kulturës në qeverinë “Berisha 2”, për të kandiduar përballë kreut aktual të bashkisë së këtij qyteti, Vangjush Dako. Tetë vite më parë Xhaferaj e humbi garën me 3 mijë vota diferencë me Dakon, i cili mori mandatin e dytë në atë kohë. Në zgjedhjet e 2015-ës Vangjush Dako fitoi mandatin e tretë përballë Grida Dumës, me 15 mijë vota diferencë. Por përtej shifrave PD e Durrësit në zgjedhjet lokale të ardhshme pretendon që të avantazhohet në raport me votat për PS-në, dhe kjo falë denoncimit të fundit publik nga “Zëri i Amerikës”, i cili demaskoi shitblerjen e votave dhe përfshirjen e elementeve kriminalë në zgjedhjet e zhvilluara në Durrës nga socialistët e kryesuar nga Vangjush Dako në këtë qytet. Tashmë në cilësinë e kryetarit të degës së PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferaj në një intervistë për “Koha Jonë” shprehet se përgjimet e ekspozuara deri më tani dëshmojnë vetëm një pjesë të vogël të të vërtetave të mëdha se Dako në Durrës dhe Rama në Tiranë janë në ato zyra jo si pasojë e lirisë së votës, por si pasojë e parave të drogës. Dhe të parandaluar përsëritjen e këtij fenomeni, Xhaferraj shprehet se Partia Demokratike po përgatit një strategji kombëtare që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, por pa dhënë detaje nga kjo strategji.

“Duhet të mbajmë në konsideratë se bëhet fjalë për një media zyrtare të SHBA-së dhe jo për një portal anonim në Tiranë. Sulmi ndaj Zërit të Amerikës shënon fillimin e fundit të tyre. Përgjimet po dëshmojnë nga dita në ditë se në Shqipëri nuk kemi pasur zgjedhje, por thjesht votime. Të gjitha këto që po ndodhin, përfshi edhe sensibilizimin në rritje për mënyrën se si krimi i organizuar është shfrytëzuar nga Rama, Dako, Sejdini, e të tjerë, për të blerë zgjedhjet janë elemente të një strategjie që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri”- shprehet Ferdinand Xhaferraj.

Por përtej kësaj opozita ka thirrur shqiptarët në një protestë masive e cila nuk do të përfundojë deri në largimin e Edi Ramës, që do ti hapte rrugë një qeverie transitore, e cila do të mandatohet për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe në vazhdën e proteste, kryedemokrati i Durrësit jep disa arsye se pse bashkëqytetarët e tij duhet të jenë të gjithë në sheshin e Tiranës në 16 Shkurt.

Intervista

  1. Xhaferaj, u duk si një takim i thjeshtë ai i kryedemokratit Lulzim Basha këtë të premte në Durrës, por u kthye gati-gati në një miting elektoral, ku opozita shihet si alternativë. Në fakt si është situata e qytetarëve të Durrësit sot që flasim?

Në të vërtetë ishte planifikuar një takim me të rinjtë, por duket se sallat e mbyllura nuk e mbajnë dot pakënaqësinë dhe zemërimin që kanë me këtë qeveri të rinjtë, dhe jo vetëm. Pra, ishte jo gati-gati, por një miting i vërtetë si nga pjesëmarrja edhe nga entuziazmi. Situata e qytetarëve durrsakë është si e të gjithë qytetarëve shqiptarë, qe kjo qeveri i ka lenë vetëm me një alternativë, të ikin masivisht nga ky vend.

Pse durrsakët duhet të jenë në Tiranë më 16 shkurt, në protestën e thirrur nga opozita?

Sepse Durrësi si qendra më rëndësishme në vend për sa i takon potencialit për zhvillimin e tregtisë, transportit dhe turizmit është kthyer në një qytet që në vend që të ofrojë mundësi për qytetarët e tij, ofron vetëm dëshpërim, papunësi dhe biznese në falimentim. Mjafton të përmendim se vetëm në Shtator të 2018-ës në Durrës u mbyllën rreth 300 biznese. Kjo sepse çifti Dako-Çela i kanë vënë potencialet e Durrësit në shërbim dhe për grupet kriminale që operojnë në qytet. Pra, në 16 Shkurt jo vetëm qytetarët durrsakë, por të gjithë qytetarët e Shqipërisë kanë shkaqe madhore për të protestuar. I papuni që troket për të gjetur një vend pune dhe gjen sorollatjen, nëpërkëmbjen, denigrimin e atyre që edhe Rama i quan “halabakë”. I riu që ka vite që ka marrë një diplomë dhe mezi gjen një punë sezonale për kamerier. Biznesmeni që shteti e shikon si depozitë për ta vjelë në mënyrë formale dhe informale dhe nuk i ofron asnjë shërbim. Qindra familjet durrsake që kërbaçi i ka futur në skemat e marrëveshjeve me CEZ-in për të paguar për vite të tëra faturat e dritave kanë kuptuar se zgjidhja fillon nga protesta. Rama ka dëshmuar, si me Kukësin edhe me studentët, se njeh vetëm gjuhën e protestës. Aty në protestë, pensionisti, i papuni, studenti, fermeri nuk janë më qytetari i vetmuar që ky shtet e përçmon dhe denigron, por të gjithë së bashku janë kthyer në një forcë dhe nga aty fillon zgjidhja e problemeve.

Së fundmi, Zëri i Amerikës ka publikuar një sërë përgjimesh nga dosja e famshme “339”, ku trajtohet gjerësisht fenomeni i shitblerjes së votave dhe përfshirja e elementëve kriminalë në zgjedhjet e Durrësit, ku “i akuzuari” kryesor është kryetari aktual i Bashkisë Vangjush Dako, ç’ka ka shkaktuar reagime të forta në radhët e politikës, por edhe të vetë z. Dako. Sa të vërteta ka në ato përgjime të publikuara?

Përgjimet e ekspozuara deri më tani dëshmojnë vetëm një pjesë të vogël të të vërtetave të mëdha se Dako në Durrës dhe Rama në Tiranë janë ne ato zyra jo si pasojë e lirisë së votës, por si pasojë e parave të drogës.

Si e shihni sulmin ndaj Zërit të Amerikës, jo vetëm nga kryeministri Rama, por edhe Vangjush Dako?

Duhet të mbajmë në konsideratë se bëhet fjalë për një media zyrtare të SHBA-së dhe jo për një portal anonim në Tiranë. Sulmi ndaj Zërit të Amerikës shënon fillimin e fundit të tyre.

Si mendon PD-ja ta mundë PS-në pas këtyre përgjimeve, fushata e të cilës do të kryesohet po nga Vangjush Dako për garën e Durrësit? A keni nisur marrjen e masave që në zgjedhjet e 30 qershorit vota e durrsakëve të mos preket?

Përgjimet po dëshmojnë nga dita në ditë se në Shqipëri nuk kemi pasur zgjedhje, por thjesht votime. Të gjitha këto që po ndodhin, përfshi edhe sensibilizimin në rritje për mënyrën se si krimi i organizuar është shfrytëzuar nga Rama, Dako, Sejdini, e të tjerë, për të blerë zgjedhjet janë elemente të një strategjie që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Dhe një nga mënyrat për të mundur PS-në në zgjedhje është përfaqësimi i një opozite sa më solide në këto zgjedhje, por me shumë gjasë në Durrës nuk do jetë kështu. Pasi kreu i PAA-së, Agron Duka ka paralajmëruar të dalë me një kandidat të vetin, jashtë koalicionit opozitar. Si e shihni këtë situatë dhe sa do të ndikojë në rezultatin final një vendim i tillë?

Ajo që mund të thuhet me siguri aktualisht është fakti se të gjithë aktorët politikë opozitarë, në Durrës, i ndajnë interesat e vogla pragmatiste të partive që përfaqësojnë, por i bashkon interesi i madh i përbashkët që Durrësi duhet t’i merret krimit të organizuar dhe t’i kthehet qytetarëve.

SHKARKO APP