Festa e gjen politikën të ndarë, Berisha: Vendi larg vizionit të firmëtarëve të Pavarësisë
112-vjetorin e Pavarësisë, politika shqiptare e festoi e ndarë. Demokratët organizuan takimin e tyre në qytetin simbol të Pavarësisë, ku mori pjesë online edhe kryetari i PD, Sali Berisha, i cili të mërkurën u lirua nga arresti në shtëpi. Berisha tha se Shqipëria është larg vizonit që patën firmëtarët e Pavarësisë për shkak të keqqeverisjes nga Edi Rama.
Duke kujtuar vështirësitë e PD-së gjatë periudhës disa vjeçare të përçarjes, kryedemokrati tha se është detyrë e saj që të rrëzojë qeverinë “Rama”, të cilën e cilëson një diktaturë moderne. Rruga për rrëzimin e qeverisë, sipas tij, është vetëm vijimi i mosbindjes civile.
Një porosi pati edhe për strukturat e PD. Në kuadër të festimeve të 28 Nëntorit, në Vlorë ishin të pranishëm edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka dhe kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi të cilët kryen nderime në varrin monumental të Ismail Qemalit në sheshin e Flamurit.