Fidel Ylli: “Të mos kollarisen e të japin mend”, deputeti socialist kërkon “impulse të reja” në qeverisje
Pas Metës dhe deputetëve të tij, një tjetër i majtë, kësaj radhe nga socialistët mendon se qeveria ka nevojë për ndryshime.
Duke projektuar veten e tij si një ministër i mundshëm i sportit, Fidel Ylli ka mbështetur kërkesat e Metës për impulse të reja në qeveri. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, Ylli thekson se qeveria ka për detyrë të ndërrojë cilësinë e jetës së shqiptarëve. Jo të bëhen ministra aty, të kollarisen dhe të japin mend.
“Debate me opozitën do të kemi për çdo reformë. Ka gjëra për të bërë më mirë? Sigurisht. Por duhet folur. Të mos vemi ne atje të ngremë dorën për t’i bërë qejfin kryetarit si “Yes man”, por për të folur: këtu është mirë, këtu duhet rregulluar. Qeveria ka për detyrë të ndërrojë cilësinë e jetës së shqiptarëve. Jo të bëhen ministra aty, të kollarisen dhe të japin mend, por secili të japë kontribute në punën e vetë. Nëse s’kanë performancë, të ikin. Të hapin krahun. Ka të tjerë djem e vajza të zotë që presin radhën, që kanë mbaruar jashtë dhe që kanë vizion. Nuk bëhet kjo me mediokritet. Prandaj, Ilir Meta ka të drejtë në ato që thotë”., – shprehet ai.
Ai mbështet edhe dekriminalizimin e politikës duke kërkuar largimin e të “fortëve” nga parlamenti.
“Sigurisht, duhen impulse të reja, ndryshime në qeveri, ndryshime në lista deputetësh, në përzgjedhjen e tyre. Kryetarët e kanë në dorë. Ta harrojë një njeri që ka një cen se mund t’i afrohet politikës. Të bëhet një herë e mirë pastrimi i të fortëve, gangsterëve, njerëzve me precedentë që synojnë të hyjnë në politikë. Të shohin punën e tyre e të mos hyjnë në politikë”, – përmbyll Ylli.
KOHA JONË SONDAZH

