Edi Rama fillon arrestimet politike ndaj LSI

-Filluan arrestimet politike nga treshja Edi Rama-Taulant Balla- Qazim Sejdini në drejtim të LSI. Arrestimi i Dashamir Xhikës për një kontratë të vitit 2009, ndërkohë që ai është emëruar drejtor në vitin 2013!

Një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrit të Brendshëm, Famir Xhafaj dhe Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku ka ngritur një stuhi reagimesh dhe akuzash nga ana e opozitës. Dy drejtuesit e institucioneve firmosën dje një pakt për të luftuar krimin e organizuar, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Ky operacion nënkupton goditjen e krimit të organizuar dhe hetimin e korrupsionit. Por sipas opozitës, akti i firmosur dje mes dy institucioneve, përveçse ishte teatral kishte dhe shkelje të rënda ligjore. Luan Rama, zëvendëskryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një deklaratë për mediat e cilësoi një marrëveshje të tillë si skandaloze dhe antikushtetuese. Sipas tij, marrëveshja është skandaloze sepse dy institucione që kanë detyrë luftën ndaj krimit nuk mund të bëjnë marrëveshje për të zbatuar ligjin, pasi e kanë detyrë të bëjnë këtë gjë.  Nga ana tjetër, Luan Rama e cilëson antikushtetuese, pasi marrëveshja mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme merr përsipër të kryejë rolin dhe detyrën që e kanë institucionet e reja të reformës në drejtësisë, si Prokuroria e Posaçme e cila ka detyrë të hetojë korrupsionin në nivelet e larta.

Po dje, tre përfaqësuesit e PD-së, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi akuzuan Prokuroren e Përkohshme dhe Ministrin e Brendshëm se po shkatërrojnë në mënyrë përfundimtare reformën në drejtësi. Sipas tyre, dje është lidhur një marrëveshje mes Edi Ramës si përfaqësues i qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, që si rregull është institucion i pavarur kushtetues që nuk varet nga qeveria. “Sot është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi mes Prokurorisë dhe policisë. Sot është lidhur një marrëveshje mes Edi Ramës dhe Prokurorisë. Nga një kryeprokuror të përkohshëm tashmë kemi një prokuror privat të përhershëm të Edi Ramës”,- u shpreh Enkelejd Alibeaj.

Por ku qëndron shqetësimi konkret i opozitës. Në marrëveshjen Xhafaj-Marku ka një pikë ku Qeveria (Ministria e Brendshme) dhe Prokuroria bien dakord për hetimin e veprat penale të përcaktuara nga neni 135/2 i Kushtetutës. Në këtë nen përfshihen veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si edhe akuzat penale kundër drejtuesve të institucioneve kushtetuese si deputetë, ministra, Kryeministër dhe Presidentë. Sipas përfaqësuesve të opozitës, hetimi i këtyre veprave penale është objekti i strukturës së posaçme anti-korrupsion SPAK, i cili nuk është ngritur ende. Dyshimet janë se me bazën ligjore aktuale, Prokurorja e Përkohshme dhe Ministria e Brendshme mund të bëjnë goditje politike dhe në radhët e opozitës. Sipas ligjit, prokurorët që do hetojnë politikanët duhet të kenë kaluar Vetingun, ndërkohë që sot edhe prokurorja e përgjithshme është në detyrë pa Vetting. E gjitha kjo lëvizje ligjore është parë dje nga opozita si një tentativë që pas marrjes së Prokurorisë së Përgjithshme të kapen dhe institucionet e tjera, pa u bërë reforma në drejtësi dhe të nisin goditjet politike. Ndërkohë, denoncimi tjetër i PD-së ishte se me caktimin e prokurorëve pa Vetting për politikanët, do të mbyllen dhe dosjet e rëndësishme siç është dosja e ish-ministrit Saimir Tahiri. Për PD dhe LSI kjo skemë vendos nën kontrollin direkt të Edi Ramës krejt prokurorinë e përgjithshme, që tashmë e ka të tijën, por edhe prokurorët e tjerë që do bëjnë hetimet për politikanët.

Pas akuzave të forta të PD dhe LSI, Ministria e Brendshme ka reaguar dje për të sqaruar situatën. Sipas Ministrit Fatmir Xhafaj, opozita ka keqkuptuar disa detaje të marrëveshjes dhe po akuzon me pa të drejtë institucionet. Xhafaj fton opozitën që të monitorojë nga afër këtë operacion dhe të mbështesë institucionet.

Por pavarësisht këtij reagimi, për opozitën marrëveshja e djeshme mes dy institucioneve është vetëm një konfirmim se “Edi Rama ka marrë tashmë dhe rolin e kryeprokurorit”.

Në të vertetë po fillon gjuetia politike dhe gjithçka po orkestrohet nga Edi Rama. Këtë e tregon fakti se prokurori i dërguar nga Arta Marku në Elbasan me mbështetjen e kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballad he kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini bëri pardje një arrestim krejtësisht politik nga radhët e LSI. Arrestuan kryetarin e LSI për qarkun e Elbasanit Dashamir Xhikën, për një akuzë absurde, pasi ështe emëruar drejtor i përgjithshëm i rrugëve në vitin 2013 dhe akuza është për një kontratë të vitit 2009, kur ai nuk ka qenë drejtor dhe as punonjës në këtë ndërmarrje.

Sipas avokatit të tij dhe LSI ky është arrestim politik si hakmarrje ndaj LSI dhe qëndrimëve të saj.

Me sa duket gjuetia politika vetëm sa ka filluar, por PD dhe LSI kanë një fajë që nuk organizojnë protestën e dytë ku ajo të jetë finale, siç thotë edhe analisti Armand Shkullaku; me përplasje dhe dhunë ndaj një qeverie të krimit dhe drogës.

LSI është gati, por pse hesht PD-ja apo kur ti vijë në oborrin e saj sirenat e arrestimeve politike atëhere do të bërtasin për protestë-përplasje?!

Qamil Xhani

SHKARKO APP