Firmoset marrëveshja me UBT, Mazniku: Ndihmë me kërkimet shkencore për nevojat e qeverisë
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku dhe Rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku, firmosën këtë të hënë një marrëveshje bashkëpunimi me të cilën, Universiteti do të ndihmojë qeverinë në fushat e konsulencës dhe ekspertizës për kërkime shkencore për nevoja të qeverisë në fusha të ndryshme. Mazniku tha se ky bashkëpunim është i rëndësishëm në kuadër të aksesimit të fondeve të Bashkimit Europian ku do të duhen stafe të trajnuara dhe të afta për të thithur fonde.
”Unë mendoj që kjo është një farë, një element i parë, një embrion i një bashkëpunimi që mund të bëhet tejmase i madh nëse secili prej nesh e sheh të plotë potencialin se ku ky bashkëpunim mund të shkojë. Ne sot kemi hapur 1/3 të kapitujve të integrimit europian. Gjatë vitit 2025 do të happen të gjithë kapitujt”, tha Mazniku.
Me marrëveshjen e firmosur me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Universiteti Bujqësor do të ndihmojë qeverinë në fushat e konsulencës dhe ekspertizës për kërkime shkencore për nevoja në fusha të ndryshme. Marrëveshja e firmosur ka një kohëzgjatje një vjeçare me mundësinë për t’u rinovuar në varësi të rezultateve. Një ndër synimet kryesore të saj është të thithë sa më shumë fonde për bashkitë, me qëllim frenimin e largimeve veçanërisht në zonat rurale.
Rektori i UBT-së, Fatbardh Sollaku tha se tashmë është mundësia e të gjithë profesorëve të tregojnë veten për projekte që më parë kryheshin vetëm nga kompani konsulence të huaja. “Ne duhet të demonstrojmë çfarë jemi dhe çfarë jemi të gatshëm të bëjmë. Topi është në fushën tonë. Unë e di shumë mirë që kjo marrëveshje mund t’i ofrohej kujtdo kompanie konsulence private në Shqipëri, që ne si staf jemi ankuar dhe ankohemi nëpër kafenetë tona, që pse ia dha atij apo asaj. E vlerësojmë shumë dhe jam shumë i sigurt që në harkun kohor të 4-5 muajve ne do të kemi produktet e para”, tha në fjalën e tij rektori Sallaku.