Fjala e plotë e Kryeministrit Rama për hajdutët e energjisë

Para pak ditësh pata mundësinë të takoj Drejtorin e Përgjithshëm të njërës prej kompanive më të rëndësishme në botë për energjinë “Stattkraft” i Norvegjisë, i cili më tregoi se si Norvegjia nga një vend ku vdisje urie dhe njerëzit detyroheshin ta braktisnin vendlindjen e tyre për të luftuar me urinë, në një vend që sot është një superfuqi reale energjetike dhe që për shkak të transformimit rrënjësor të qasjes dhe të administrimit të burimeve të veta energjetike, hyn sot në vendet më të mirëqena të botës.

E pra, nëse Norvegjia është sot vendi i parë në Europë për potenciale hidroenergjike, Shqipëria është vendi i dytë në Europë. Nëse Norvegjia është vendi i parë në Europë për pasuritë e veta ujore, Shqipëria është vendi i dytë në Europë. Por, nëse Norvegjia sot sektorin energjetik e ka burimin kryesor të mirëqenies dhe të rritjes së vet, Shqipëria sektorin energjetik e ka burimin kryesor të problemit të vet me të ardhmen.

Arsyeja pse ne jemi këtu është për të çelur një operacion masiv, një operacion të thellë që synon të kthejë përfundimisht faqen në këtë sektor, duke kthyer përfundimisht energjinë nga një pasuri që mund të vidhet lirisht, në një burim mirëqenieje dhe rritje ekonomike, një burim përfitimi për Shqipërinë dhe shqiptarët, me premisën që kushdo që e konsumon e paguan.

Sot jemi në kushtet kur kaq shumë është bërë e natyrshme që energjia të vidhet saqë nuk është aspak çudi, ç’ka do të ishte çudi në çdo vend normal, që ndaj këtij operacioni që ne e kemi lajmëruar 5 ditë më parë, jo pak njerëz të arsyeshëm, – madje shumë ndër ta, bashkëqytetarë, madje bashkëkombës tanë që jetojnë në vende që kjo as nuk mund të përfytyrohet vjedhja e energjisë eklektike, – komentojnë se kjo që po synojmë të bëjmë ne është e padrejtë për shkak se Shqipëria është e varfër dhe për shkak se njerëzit vjedhin nga varfëria.

E kam hasur këtë argument në më shumë se një rast. Nga ky argument dëshiroj të nisem për të forcuar mesazhin që u dha sot këtu dhe për të mbështetur me të gjitha forcat operacionin që sot fillon në të gjithë territorin për të mos u ndalur deri në frenimin e vjedhjes së energjisë elektrike;

Nëse varfëria apo pamundësia ekonomike, do të ishte me të vërtetë një arsye e pakapërcyeshme për të vjedhur energjinë elektrike, a di kush të më thotë pse nuk ekziston një pensionist që vjedh energjinë elektrike? Pse nuk i shkon mendja një pensionisti që meqë ka vështirësi dhe ka vështirësi më shumë se kushdo tjetër për ta paguar energjinë elektrike, atëherë ta vjedhë? E pra, nuk është varfëria, arsyeja pse vidhet energjia elektrike. Besoj se nuk është varfëria që edhe këtu në këtë sallë nga ata që kanë ardhur si punonjës të kompanisë të shpërndarjes, ka bashkëpunëtorë të hajdutëve të energjisë elektrike. S’besoj se e bëni nga varfëria! Ashtu sikundër nuk besoj se e bëjnë nga varfëria vjedhjen e energjisë elektrike, kompanitë e mëdha, lokalet në qendër të Tiranës që paguajnë energji elektrike sa një konsumator familjar.

Ashtu sikundër nuk janë të varfrit ata që lidhin energjinë për të ndezur poçin apo për të ndezur televizorin arsyeja pse ne zhytemi çdo vit 150 milionë euro në gropë dhe pse kemi trashëguar një sistem që në lidhjen e gjithë hallkave të borxhit ka një borxh të brendshëm prej 1,1 miliardë dollarë. Nuk është varfëria! Nuk është varfëria që për vite me radhë kush e qeverisi këtë vend, e trajtoi marrëdhënien me konsumatorin e energjisë elektrike si një marrëdhënie elektorale, duke i shkelur syrin konsumatorit të madh e të vogël e duke i lënë të kuptojë se po të vidhni kanë mbrojtjen e Lala Gjonit. Edhe pse Lala Gjoni jo vetëm që do të mbyllte sytë para vjedhjes, por nuk do të lejonte kurrë që çmimi i energjisë elektrike të ishte një çmim i drejtë për të gjithë dhe me të gjithë.

E kështu historia rrodhi se ata që paguajnë më shumë sot dhe që e vuajnë më shumë atë që paguajnë, janë ata që janë qytetarë të ndershëm dhe qytetarë që respektojnë ligjet e këtij vendit dhe që paguajnë edhe për ata që nuk paguajnë. Jo për të varfrit, por për ata të cilët energjinë elektrike e vjedhin sepse nuk ka pasur asnjëherë shtet, i cili t’i thotë STOP dhe që nuk kanë pasur asnjëherë gjykatë që t’i tregojë vendin.

Nuk është varfëria ajo që ka bërë që institucionet publike të këtij vendi të jenë në vite debitore të hatashme të sistemit të shpërndarjes. Nuk është varfëria ajo që ka bërë që ujësjellësat në këtë vend të jenë sot, një sistem plotësisht i falimentuar, që ka kapur prej fyti sistemin elektroenergjetik, me mospagesa pas mospagesash, pas mospagesash.

Padyshim uji, dritat janë jetike. Por edhe buka është jetike. Si ka mundësi që askujt nuk i shkon mendja të shkojë në dyqanin e bukës, ta marrë bukën e të iki, se i duhet dhe se pa bukë vdes dhe meqë s’duhet të vdesë, të mos e paguajë bukën? Si ka mundësi që askujt nuk i shikon mendja të hyjë në një dyqan, të marrë ujin e të iki, se pa ujë vdes dhe që mos të vdesë, atëherë mund ta marrë ujin pa paguar?

Atëherë ku ndryshon energjia elektrike nga këto? Si mundet ne të vazhdojmë të pranojmë në shekullin e 21-të, që energjinë elektrike ta konsiderojmë badihava dhe që vjedhjen e energjisë elektrike ta konsiderojmë një të drejtë të një shoqërie që nuk ka mundësi ta paguajë?

Nuk është e vërtetë që Shqipëria nuk ka mundësi të paguajë energjinë elektrike. E vërteta është që Shqipëria s’ka mundësi të kapërcejë këtë fazë zhvillimi ekonomik dhe social, pa e paguar energjinë elektrike.

Ne kemi sot jo vetëm institucione publike, por kemi plot njerëz që paguhen nga publiku si rrogëtarë të shtetit,- dhe këtu nuk kam parasysh ata ndër ju që bashkëpunojnë për ta vjedhur energjinë elektrike,- kam parasysh ata që nuk e paguajnë energjinë elektrike. Ashtu sikundër, ne kemi ende sot, një kulturë administrimi të institucioneve publike që nuk lidhet me kriteret e performancës dhe nuk lidhet edhe me kriterin për të shfrytëzuar në mënyrë eficente burimet financiare. Çka do të thotë që kemi institucione publike që vazhdojnë akumulojnë borxhe ndaj kompanisë së shpërndarjes, sepse lejojnë që rrjeti i tyre i furnizimit me energji të bëhet njëkohësisht dhe burim furnizimi i paligjshëm i lagjes rreth e rrotull institucionit.

Të gjitha këto janë konstatime që ne i kemi adresuar përmes ndryshimeve që kemi propozuar dhe kemi arritur të bëjmë qoftë në Kodin Penal, qoftë në legjislacion, qoftë në akte nënligjore dhe sot, ne jemi të gatshëm që të shkojmë më tutje, sepse kemi vendosur një bazë mbi të cilën ta bëjmë operacionin jo një fushatë që fillon sot dhe mbaron pas një muaji, por një proces që do të duhet të ndalet vetëm atëherë, kur gjithçka të jetë vendosur në binarët e ligjshmërisë dhe kur askujt të mos i shkojë ndërmend që duke vjedhur energjinë elektrike ka shpëtim.

Shifrat janë kokëforta dhe kokëfortë është arsyeja pse çdo shqiptar, çdo njeri i arsyeshëm, çdo njeri i zakonshëm dhe i ndershëm që zbaton ligjin në këtë vend dhe që do një të ardhme për vete dhe për fëmijët duhet të bashkohet me Qeverinë, në këtë përpjekje madhore që realisht ka një karakter historik.

Ka një karakter historik për të zgjedhur midis; Duam të shpëtojmë një herë e mirë nga kjo barrë e madhe që i merr frymën vendit tonë dhe nuk e lë të rritet lirshëm dhe shpejt ekonomikisht; Apo duam që të vazhdojmë të mbyllim sytë, të vazhdojmë të bëjmë sikur bëjmë dhe ndërkohë t’i shkelim syrin, majtas dhe djathtas, hajdutëve të energjisë elektrike, me idenë se po vijnë zgjedhjet dhe të gjendemi shumë shpejt, shumë më shpejt seç e imagjinojmë, në kushtet e një kolapsi energjetik dhe ekonomik, që do të detyrojë pastaj, shoqërinë e tërë që t’i nënshtrohet operacioneve shumë më të dhimbshme, të përballojë plagë shumë më të mëdha, të natyrës ekonomike dhe financiare, për të dalë nga një situatë që, nëse sot është në një situatë agonie, shumë shpejt mund të kthehet në një situatë vdekjeje klinike.

Jemi realisht në një moment jashtëzakonisht kritik dhe kemi një mundësi. Një mundësi reale që e provojnë të gjitha analizat shumë të kujdesshme dhe me ekspertizë të lartë ndërkombëtare që kemi bërë, që në 4 vjet, ne ta kthejmë këtë sektor në një sektor fitimprurës, nga ku të çelim një fazë të re rritjeje të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale, falë kontributit që ky sektor do të na japë dhe që ndryshe nga sektorë të tjerë është një kontribut që krijon premisa zhvillimi në shumë nivele, në shumë dimensione dhe në shumë drejtime.

Sigurisht që, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, me çdo çmim. Edhe me çmimin që dikush të na kthejë kurrizin. Edhe me çmimin që disa të na marrin mëri. Edhe me çmimin që disa të tjerë të mos na votojnë, sepse detyra jonë është të udhëheqim duke i treguar të vërtetën njerëzve. Nga ana tjetër, për të mbajtur zotimet tona na duhet të bëjmë të gjitha operacionet e nevojshme, sepse nuk besoj se ka njeri me dy fije mend që të mendojë se një i sëmurë me kancer në gjendje terminale siç është sektori elektroenergjetik mund të ngrihet në këmbë, vetëm e vetëm sepse ndryshon mjekun dhe sepse ndryshon spitalin dhe sepse shpëtoi nga një mjek i paaftë dhe doli nga një spital që më shumë prodhonte dëshpërim sesa shpresë. Është e pamundur që të kalosh nga ajo gjendje në gjendjen normale, pastaj të vraposh, pa pranuar gjithë ilaçet e hidhura, por të domosdoshme.

E, sigurisht që është një ilaç i hidhur, ky që ne kemi zgjedhur. Një ilaç i hidhur për t’i çelur sytë të gjithëve dhe për t’i treguar vendin, kujtdo që vazhdon të mendojë se mund të vjedhë energjinë elektrike dhe të mbetet i paprekur.

Ne nuk e kemi luksin që t’i heqim vetes 150 shkolla të reja çdo vit, për të vazhduar të bashkëjetojmë me hajdutërinë e energjisë elektrike. Ne nuk e kemi luksin që t’i heqim vetëm 100 kilometra rrugë kombëtare çdo vit, sepse duhet të pranojmë që këto rrugë nuk do të bëhen, ngaqë 150 milionë eurot, me të cilat mund të bëhen këto rrugë, duhet të vidhen, me njëmijë e një arsye që s’kanë asnjë arsye, në fakt, të lidhur me interesin kombëtar, por edhe me interesin e çdo familjeje. Ne nuk mund të pranojmë që aq sa marrim nga gjithë kompanitë si tatimfitimi në vit, ta humbim si vjedhje nga energjia elektrike. Ne nuk mund të pranojmë që fermerëve shqiptarë, sot, në kushtet kur shohim një tendencë të qartë ndryshimi aty ku është një nga burimet tona kryesore të rritjes ekonomike, që është bujqësia, të mos ua dhjetëfishojmë mbështetjen, – dhjetëfish mbështetjen, – sepse duhet që këto para t’i vjedhin hajdutët e energjisë elektrike. Ne s’mund të pranojmë që, ndërkohë që për një spital rajonal modern mezi po mbledhim financimet për të filluar ndërtimin në Fier, të mos ndërtojmë 6 spitale rajonale moderne në vit dhe për dy vjet të mos kemi gjithë spitalet rajonale që na duhen, sepse duhet që t’i vjedhin hajdutët e energjisë elektrike.

Ne e kemi krejt të pamundur dhe s’kemi sesi e pranojmë që gjithçka që ne gjithë sëbashku, përmes buxhetit të shtetit ia paguajmë invalidëve, paraplegjikëve, tetraplegjikëve, familjeve në nevojë, në formën e ndihmës për aftësinë e kufizuar apo të ndihmës ekonomike, të jetë e barabartë me atë që na e vjedhin hajdutët e energjisë elektrike.

Këto janë shifra që flasin vetë se çfarë humbasim ne çdo vit, duke bërë sikur nuk shikojmë, siç është bërë sikur nuk është parë për vite të tëra, apo duke bërë sikur bëjmë reforma. Ndërkohë që reforma nuk është bërë asnjëherë e thellë siç duhet dhe me dhimbjen e pashmangshme që ka, pikërisht se të gjithë e kanë shtyrë nga ideja se ka prapë zgjedhje, ka zgjedhje e ka zgjedhje.

Por ne nuk kemi ardhur në 23 qershor, në këtë detyrë, për t’u rizgjedhur me çdo kusht. Ne kemi ardhur për të bërë zgjedhjet e duhura, që Shqipëria me çdo kusht të ndryshojë faqe dhe që Shqipëria me çdo kusht të bëhet shtet dhe që në Shqipëri, me çdo kusht secili të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë dhe pjesën e vet të detyrimeve dhe që Shqipëria me çdo kusht të rritet ekonomikisht dhe të kapërcejë një fazë të gjatë tranzicioni, për t’u bërë vend normal, bazuar në pasuri të mëdha që ka; një vend i mirëqenë dhe i begatë. Kjo është e mundur, por kjo nuk mund të ndodhë kurrë, në qoftë se ne bashkëjetojmë me këtë humbje të vazhdueshme, për shkak të vjedhjes të një pasurie kaq të madhe, që duhet të jetë baza jonë e zhvillimit ekonomik dhe social në 100 vitet e ardhshme dhe jo në 4 vitet e ardhshme dhe që në 4 vitet e ardhshme mund të na japë fitim. Ky fitim mund të shkojë duke u rritur dhe Shqipëria e gjeneratës tjetër mund të vendoset në një pozicion krejt tjetër, falë sektorit elektroenergjetik.

Kam diçka për të thënë lidhur me një pretendim që e kemi dëgjuar, se ndërprerja e energjisë elektrike është në vetvete shkelje e të drejtave të njeriut. Dua thjesht të sjell në vëmendje se në vendet e Bashkimit Europian, ku sigurisht nuk ekziston problemi i vjedhjes në formën që ne e jetojmë, por ekziston problemi i abuzimit, sigurisht, flitet sot për zero mbrojtje. Zero mbrojtje do të thotë zero mbrojtje ligjore dhe zero mbrojtje në gjykatë, të atyre të cilëve, energjia elektrike ju ndërpritet për shkak të abuzimit.

Nga ana tjetër, sot është me shumë rëndësi, që Policia e Shtetit do të përfshihet tërësisht në këtë operacion, njësoj siç u përfshi dhe siç vazhdon të jetë e përfshirë në mënyrë organike, tanimë, për krimet në territor, siç ne i konsiderojmë ndërtimet pa leje dhe rezultatet flasin qartë. Flasin shumë qartë. Ka një ndryshim rrënjësor të situatës sa i përket tentativave për ndërtime të paligjshme, edhe pse ende ka të tilla, por rënia është e dukshme dhe e ndjeshme. Ashtu sikundër ka një rritje të vetëdijes së qytetarëve, që është një epokë që po mbyllet dhe se nuk mundet më të zgjatet, pasi nuk është më çështje fushate, por është pjesë e detyrës së Policisë së Shtetit.

E njëjta gjë edhe me energjinë elektrike. Unë kam dëgjuar gjithmonë me vëmendje, gjithçka që thotë opozita. Asnjëherë s’e kam kuptuar se me çfarë kuraje të veçantë opozita merr përsipër të marrë në mbrojtje hajdutërinë, për të cilën jemi mbledhur sot, këtu dhe e fillon që nga CEZ-i. A thua se CEZ-in në Shqipëri e sollëm ne. A thua se humbjet nga 34 % që ishin para se të vinte CEZ-i në 45 % që ishin kur iku CEZ-i i krijuam ne. A thua se atë privatizim komplet të dështuar e bëmë ne. Ndërkohë që, e kundërta është e vërtetë. Qysh kur u bë privatizimi, ne thamë se gjasat që ky privatizim të sillte sukses ishin Zero. E vërteta doli ashtu. E vërteta doli ashtu, siç doli plotësisht e vërtetë që ajo ç’ka ne bëmë duke hequr qafe një konflikt ligjor të trashëguar, që mund të na zhyste përfundimisht në gropë, hapi rrugën për të marrë sasinë më të madhe të financimi që është marrë ndonjëherë për sektorin. Një sasi të parë e firmosim në ditët e ardhshme dhe kusht për të  investimin, nga Banka Botërore ishte pikërisht heqja e këtij konflikti ligjor nga rruga. Siç ishte kusht për gjithë ecurinë e programit tonë të daljes nga kriza financiare dhe të rifillimit të rritjes, heqja e këtij konflikti ligjor nga rruga.

Por s’është vetëm kjo. Unë shikoj që opozita flet edhe për ndërtimet pa leje, edhe në Tiranë, për prishje selektive. Është shumë e çuditshme, sepse nga njëra anë Bashkia e Tiranës, ne e mbajmë mend, ndoshta ata e kanë harruar që, drejtohet nga ata. Është shumë e lehtë që për çdo objekt që konsiderohet i lënë aty për arsye selektive, të shkohet dhe të realizohet prishja. Madje të bëhet një prishje demonstrative, duke i thënë publikut, shikojeni, kjo ishte selektive. Por e vërteta është tjetër dhe shumë më e dhimbshme. Në shumë raste, ne jemi përballë faktit të kryer që përveçse kanë ndërtuar mbi trotuar, kanë marrë edhe legalizimin, kanë marrë edhe hipotekën. Janë bërë pronarë të trotuarit, siç ishin bërë pronare të anës së majtë të Universitetit të gjithë ata që e kishin zaptuar më parë hyrjen e parkut dhe pastaj ne u detyruam t’i shpronësojmë. Pse i lidh këto dy gjëra? I lidh këto dy gjëra, sepse janë të lidhura bashkë. Në të shumtën e herës, ajo që kemi konstatuar tek këto ndërtime ka qenë se janë njëkohësisht edhe burime abuzimi me energjinë elektrike. Në të shumtën e herës, ajo që kemi konstatuar tek këto ndërtime ka qenë se janë njësi shërbimesh që figurojnë si konsumatorë familjarë, kuptohet, në bashkëpunim edhe me shumë ndër ju këtu, që të mos ia lëmë të gjithën atyre.

Ne duhet me patjetër të shkojmë përpara! Unë dua ta përsëris edhe këtu, – i falënderoj të gjithë ata që sot janë të pranishëm si përfaqësues të sistemit të drejtësisë, të sistemit të prokurorisë dhe të gjyqësorit, – lidhur me domosdoshmërinë që tanimë norma e miratuar nga Kuvendi që nuk ka më gjobë, ka 3 vjet dënim me burg për kë kapet në flagrancën e vjedhjes së energjisë elektrike dhe ka 5 vjet dënim me burg për kë bashkëpunon për vjedhjen e energjisë elektrike, nënkupto nëpunës, zyrtarë apo faturistë i OSHE-së, se këta janë bashkëpunëtorët, kuptohet.

Këto dy dënime janë dy dënime që ne presim që gjykatat e vendit t’i zbatojnë siç janë të shkruara, me vullnet të plotë, nga shumica jonë parlamentare, pikërisht për të shmangur gjithë atë diskrecion që ka sjellë që me mijëra herë vjedhësit e energjisë elektrike të kalojnë përpara gjykatës sikur janë kalimtarë. Dhe, gjykata e gjykatësi rri aty përpara kalimtarit si ata që kërkojnë lëmoshë te stacioni i trenit dhe hajduti gjobitet me 2 mijë lekë, me 3 mijë lekë të vjetra dhe gjykatësi merr 2-3 mijë lekëshin, e fut në xhep dhe kalimtari ikën, vjen tjetri, e tjetri, e tjetri dhe janë pafund dënimet me 2 mijë e me 3 mijë lekë të vjetra. Një gjë e paimagjinueshme.

Sikundër, ka raste të paimagjinueshme që kompani që janë debitorë ndaj Kompanisë së Shpërndarjes, me miliona, që vazhdojnë ta konsumojnë energjinë pa e paguar, ju ndërpritet lidhja, shkojnë në gjykatë, bëjnë një sigurim padie dhe gjykata urdhëron të rilidhet energjia. Gjykata i thotë kompanisë, “Rilidhe energjinë, deri sa ta gjykoj unë nëse ai po të vjedh ose s’po të vjedh”. Domethënë në qoftë se dikush shkon e vjedh një bukë, gjykata e detyron furrën e bukës që të vazhdojë ta lërë atë që ta vjedhë deri sa gjykata të vendosë nëse ai po e vjedh bukën apo s’po e vjedh bukën.

Gjykatat shqiptare kanë arritur të krijojnë precedentë që vlejnë të studiohen botërisht se deri ku mund ta çojë degradimi moral dhe korrupsioni endemik një sistem gjyqësor. Sesi një gjykatës mund të vendosë rilidhjen e energjisë për konsumatorë të cilët kompania në bashkëpunim me Policinë e Shteti i konstatojnë në vjedhje dhe për të cilët kërkojnë dënim, dhe në vend se t’i çojnë në burg, gjykatësi zhyt më tej në borxhe Kompaninë e Shpërndarjes, duke i thënë rilidhja energjinë. Kjo është një gjë që mbetet për studiuesit. Ajo që mbetet për ne është që t’i kërkojmë prokurorisë dhe gjykatës që të mos kenë diskrecion në këtë proces. Dy dënimet e parashikuara thatë dhe qartë nga ligji të zbatohen; 3 vjet, për kë vjedh energjinë elektrike dhe 5 vjet për kë bashkëpunon për vjedhjen e energjisë elektrike.

Së fundi, jemi sot në kushtet kur mund të jemi besimplotë që ky operacion do të dalë me sukses dhe që nuk do të katandiset si shumë fushata që i kemi parë që dilnin me gërshërë dhe shkonin drejt e tek ata që janë me ndihmë ekonomike. Direkt! Tek familje të këputura që s’kanë asnjë lloj fuqie për t’u mbrojtur dhe dilnin në televizor.

Ky operacion është qartësisht një operacion i orientuar në radhë të parë nga hajdutët e mëdhenj, nga burimet e mëdha të humbjeve. Parafytyroni vetëm kaq, në autostradën Tiranë – Durrës dhe në pellgun Tiranë – Durrës është 60 % e problemit tonë. 60 % e problemit tonë, në zonën ku ka më shumë densitet aktiviteti ekonomik dhe ku, siç e dini mirë shumë të gjithë ju që e njihni atë zonë, edhe në bashkëpunim me ju, kompanitë paguajnë sa për një familje, ndërkohë që konsumojnë sa për një lagje.

E, sigurisht që paralelisht me këtë operacion, ne do të fillojmë të kryejmë investimin më masiv në këtë sistem, për të forcuar sistemin e shpërndarjes, që ka hallka të panumërta që nuk funksionojnë dhe padyshim do të vazhdojmë me procesin e menaxhimit të kompanisë, në kuptimin e marrjes së një strukture të huaj menaxhimi, jo privatizim. Të një strukture të huaj menaxhimi, gjë për të cilën ka filluar puna. Padyshim, do të shikojmë edhe në proces se si do të kalojmë në sistemin e matësve më të zgjuar, përmes inovacionit. Të gjitha këto procese do të ecin paralelisht, por jemi të gjithë të vetëdijshëm që pa ndalur vjedhjet dhe pa bërë që të gjithë së bashku të shkojmë në një drejtim, në këtë aspekt, të gjitha të tjerat zgjidhin pjesë të problemit, por nuk zgjidhin thelbin e problemit.

Siç u dëgjua edhe sot, dua ta nënvizoj, ne nuk nisemi siç janë nisur në vite, së prapthi, politikat në kushtet e alarmit dhe të diktuara edhe nga presioni i financuesve nga çmimi. E kemi thënë, stërthënë dhe do të vazhdojmë ta themi me insistim që; Nuk është rritja e çmimit të energjisë, për ne, zgjidhja e problemit! Sigurisht, që një pjesë e madhe e problemit qëndron tek fasha që më shumë sesa mbrojtje e familjeve në nevojë apo e më të dobëtëve është kthyer në mburojë dhe në maskë për më të fortët që vjedhin energji. Është tek fasha që ne do të synojmë të çelim rrugën e reformës, për sa i përket vendosjes së një përgjegjësie shumë më të drejtë për të gjithë, në raport me çfarë duhet të kontribuojmë.

Uroj shumë që në këtë rrugë, gjithë struktura e OSHE-së të jetë në këmbë. Uroj shumë që në këtë rrugë, të gjithë të jenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunëtorë të ngushtë në funksion të rendit ligjor. Uroj shumë që rrugës të humbasim sa më pak nga ju, por sigurisht që, rrugës, paralelisht me hajdutët e energjisë jashtë sistemit do të luftojmë ditë për ditë edhe me bashkëpunëtorët e tyre brenda sistemit. Duke luftuar me bashkëpunëtorët e hajdutëve të energjisë brenda sistemit, brenda OSHE-së, do të adresojmë problemin në themel. Sepse e dimë shumë mirë që të gjithë që pa bashkëpunimin e të brendshmëve, ata të jashtmit e kanë shumë më të vështirë, jo të pamundur, por shumë më të vështirë rrugën e vjedhjes së energjisë.

Le të fillojmë kudo dhe le të fillojmë aty ku janë burimet më të mëdha të humbjeve. Jo tek më të varfrit, jo tek ata që thjeshtë ndezin një llambë në darkë dhe që s’kanë kujt t’i shkruajnë dhe kujt t’i telefonojnë, por tek ata që kanë nga 3 celularë, nga 3 vetura dhe më shumë se 3 punëtorë dhe që paguajnë sa për një familje.

Faleminderit!

 

***

 

Qeveria lançoi sot planin operacional të masave dhe ndërhyrjeve kundrejt vjedhjeve dhe abuzimeve me energjinë elektrike. Takimi kombëtar i organizuar me temë “Mbrojtja e energjisë dhe lufta kundër krimit urban, sfida të përgjegjësisë publike” shënon edhe nisjen e aksionit kombëtar për evidentimin dhe vendosjen përpara ligjit të të gjithë vjedhësve dhe abuzuesve të energjisë elektrike.

 

Plani është produkt i bashkëpunimit dhe bashkëkoordinimit mes një sërë institucionesh, që do të udhëhiqet nga Kompania e Shpërndarjes dhe Policia e Shtetit.

 

Gjatë këtij takimi disa prej ministrave dhe përfaqësuesve të Institucioneve, aktorë kryesorë të zbatimit të këtij plani, paraqitën një panoramë të përgjithshme të situatës aktuale kritike në sektorin energjetik, duke theksuar domosdoshmërinë e ndërhyrjeve të shpejta dhe efikase për të ndryshuar sa më parë gjendjen.

 

Për Ministrin e Energjisë dhe industrisë Damian Gjiknuri e ardhmja e sektorit energjetik varet kryesisht nga veprimet jetike që do të ndërmerren në muajt në vijim. Në fjalën e tij ai theksoi rolin kyç të organeve të drejtësisë dhe të policisë në këtë drejtim.

 

Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj e vlerësoi nisjen e aksionit në fjalë, si fillimin e një epoke të re, jo thjesht për sistemin energjetik të vendit, por për të gjithë zhvillimin ekonomik.

 

Ministri i Brendshëm Tahiri, tha se “Shqipëria informale është armiku më i madh i qytetarëve të ndershëm dhe të çdo familje shqiptare. Është armiku më i madh i shtetit, i shoqërisë dhe i ligjit.  Energjinë elektrike nuk mundet ta trajtojmë më si mall pa zot.”

 

Ndërsa Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, duke  vlerësuar aksionin kombëtar  ndaj vjedhësve të energjisë si një domosdoshmëri, u shpreh se “Vjedhja e energjisë elektrike cenon edhe shërbimin e furnizimit të energjisë elektrike dhe se ky veprim duhet të ndëshkohet siç do vje

SHKARKO APP