Edi Rama: Mos u mërzit zoti Dule kur Athina fliste kryesisht shqip, dikur !
Nga Edi Rama
(Fjalimi dhe replikat me kreun e PDBNJ, Vangjel Dule)
Është hapur një debat ndërkombëtar për disa banorë të Himarës, të cilët janë shfaqur të revoltuar për shkak të planit të bashkisë së re për hapësirën publike, pra për një projekt me interes publik në vazhdën e programit të Rilindjes Urbane për Himarën.
Ai qytet sot ka hyrë në rrugën e një transformimi rrënjësor, të dukshëm dhe të prekshëm nga komuniteti dhe nga çdokush që e viziton Himarën pa shoqërinë e Vangjel Dules.
Himara është pa diskutim ndër qytetet më të dërrmuara, nga 20 e kusur vitet e barbarisë së ndërtimeve, qoftë pa leje, qoftë me lejen e ofiqarëve lokalë. Ngrehina, shëmti dëshpëruese që e rrokullisen Himarën, në tatëpjetën e zhvillimit rrënues që përfshiu faktikisht gjithë Shqipërinë, por që i ka cenuar rëndë bukurinë e saj magjepsëse dhe vlerat e paçmueshme të trashëgimisë saj kulturore.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154157092936523/
Por siç dihet botërisht Himara nuk është i vetmi qytet që ka hyrë në këtë rrugë dhe as i vetmi qytet ku realizimi i projekteve të Rilindjes Urbane ka kërkuar shpronësime për interes publik apo prishje ndërtimesh pa leje. Shpronësimet e ndërtimeve të paligjshme apo prishjet e ndërtimeve të ligjshme me shpronësim gjatë operacionit transformues të Rilindjes Urbane janë një procedurë rutinë dhe e unifikuar ligjërisht si në Tropojë, si në Himarë. Edhe në Tropojë ka banorë që nuk bien dakord, qoftë me shpronësimin e godinave, qoftë me prishjen e ndërtimeve pa leje që zotërojnë. Por, “çuditërisht” as për banorët e Tropojës dhe as për ata të Burrelit, apo të Bulqizës, as për ata të Beratit apo të Belshit, madje as për banorët e Vlorës nuk kemi dëgjuar të indinjohet ndonjë shtet tjetër dhe të fillojë në një kujë të “ububushme” në mediat e atij shteti, siç ndodh vetëm me Himarën.
Lejomëni t’ju informoj sa për të krijuar një ide se për arsye të realizimit të projekteve urbane vetëm në Vlorë janë prishur me shpronësim, kur kanë qënë të ligjshme ose pa shpronësim kur kanë qënë pa leje, 1657 objekte, gjithfarë soji. Në Tiranë 4828, në Durrës 1025, në Fier 460, në Elbasan 300 dhe kështu kudo, në çdo qytet të vendit tonë. Nga Tropoja ku janë prishur 71 objekte, deri në Konispol ku janë prishur 23 objekte, në zonën e Butrintit, për një total prej 9150 objektesh në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, projekti i ri në Himarë detyron prishjen e vetëm 18 objekteve, ndër të cilat një shtëpi e banuar, një bujtinë tre katëshe dhe pjesa tjetër lavazhe, kioska, magazina të vjetra apo rrënoja shtëpish të dikurshme. Nga këto vetëm për 6 objekte duhet iniciuar procedura ligjore e shpronësimit. Një shifër mikroskopike në krahasim me volumin e prishjeve në tërësi, 9150 objekte, por dhe të shpronësimeve në rang Shqipërie, që janë qindra, dhe një operacion që në Himarë si kudo mbështetet gjerësisht nga komuniteti. Atëherë ku është problemi? Dikush që nuk e di ku fle lepuri i kësaj ferre që na shfaqet herë pas here nepër këmbë si një ëndërr e keqe, as që mund ta konceptojë dot sesi ka mundësi që një praktikë rutinë të kësaj natyre në Shqipërinë e sotme për 12 ndërtime pa leje dhe vetëm për 6 ngrehina në proces shpronësimi ligjor, të angazhojë një shtet fqinjë me komunikata zyrtare që shprehin kundërshti ndaj Shqipërisë. Deklarata partiake që kërkojnë ndëshkim europian për Shqipërinë dhe pastaj lloj-lloj gazetash, portalesh, historianësh dhe historish që nxjerrin tym fabrikash të antikitetit nacional populist, për të nxirë qeverinë e Shqipërisë, por fatkeqësisht pa e fshehur dot një sëkëlldi të çuditshme ndaj nesh, shqiptarëve dhe këtij vendit tonë të vogël që quhet Shqipëri dhe që kaq shumë ka dhënë dhe ka marrë në historinë e vet në atë vend mahnitës që quhet Greqi.
Çfarë bëra apo thashë unë që të meritoja gjithë atë vëmendje në Greqi gjatë këtyre ditëve?! A ma thotë dot kush që ka dy fije mend në kokë, pse fqinjëve tanë të dashur nuk u erdhi mirë që në një postim shumë miqësor në rubrikën time kulturore, unë përmenda Gjergj Dushmanin, shqiptarin e famshëm dhe të cituar në plot libra historianësh seriozë, të cilin një nga ato rastësitë fatlume të historisë e bëri të gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për ta shpëtuar Akropolin nga bombardimi i flotës veneciane në vitin 1686. Apo mos vallë nuk u erdhi mirë që lexuan aty se në Athinën e asaj kohe flitej kryesisht shqip, çka në fakt nuk e them unë, por nuk ka një historian serioz që nuk e shkruan. Ndërkohë që sa për mua, ky është vetëm një mësim i bukur historie për të gjithë ne, shqiptarët dhe greket e sotëm, që duhet të ndihemi më mirë dhe kurrësesi më keq nën çdo dritë afruese të historisë së gjatë, të fqinjësisë sonë dhe të shembujve të panumërt të shqiptarëve dhe grekëve që kanë ndihmuar vëllazërisht njëri-tjetrin.
Nuk di ta them unë pse duhet të mërziten fqinjët tanë, kur i’u thuhet se në Athinën e një periudhe të caktuar flitej kryesisht shqip, por di të them se unë nuk mërzitem fare, kur më thonë se në Himarë flitet sot edhe greqisht. Kur them se as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinën sot një qytet shqiptar, as e folura greqisht në Himarë sot, nuk ka për ta bërë dot kurrë Himarën një qytet grek nesër.
Unë besoj se e kam mirëkuptimin e plotë të çdokujt në shtetin fqinj, i njohur apo i panjohur, që dashurinë për Greqinë, as e mat me sa shumë e sëkëlldisin shqiptarët dhe as e tregon, duke i quajtur inekzistente disa çështje të së kaluarës së largët apo të afërt mes nesh. Të cilat jo vetëm për ne, por për interesin e përbashkët të së ardhmes së përbashkët të vendeve dhe popujve tanë, janë çështje reale që duhet t’i zgjidhim, pikërisht, nën dritën e shembujve të panumërt të miqësisë, solidaritetit, vëllazërisë që historia e kësaj fqinjësie ka prodhuar mes shqiptarësh apo grekësh, qofshin të njohura apo të panjohura për historinë, por njësoj të udhëhequr nga e mira e përbashkët.
Kam dëgjuar se edhe këtu në këtë mexhlisin tonë ka pasur disa zëra që janë ngritur për t’i dhënë shikueshmëri figurës përkatëse të gjithologut mediatik, në këtë polemikë, përveç zërit të Vangjelit natyrisht që ngrihet vetiu, sikur qoftë dhe në ëndërr t’i dalë një tjegull që bie nga çatia e një shtëpie në Himarë.
Eh, mor miku im i dashur Vangjel, nuk të vë dot faj kur shoh se mjafton që ti ta tregosh ëndrrën tënde me tjegullën dhe gjen në Athinë dëgjues, të cilët janë gati që tjegullën e ëndrrës tënde ta bëjnë provën e krimit të një agresioni të ri antigrek të Edi Ramës, këtij armiku të ri që ti kërkon me çdo kusht t’ia sajosh Greqisë dhe minoritetit grek në Shqipëri për një llogari të vogël sa një kokërr gruri; llogarinë e partisë tënde që po tretet si kripa në ujë, pikërisht sepse ke marrë përsipër të bësh diçka që është në dëm të hapur të marrëdhënieve mes vendeve tona dhe mes shqiptarëve dhe grekëve.
E kujtoni të gjithë, besoj, ishim këtu para ca kohësh, m’u desh të këmbeja replika të nxehta me mikun tim Vangjel për një ngrehinë pa leje në Himarë, e cila në realitet ishte një garazh i ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ku është e vërtetë, kryheshin edhe shërbesa fetare. Ndërsa për Vangjelin në fillim dhe për dëgjuesit që gjeti në Athinë më pas, ishte një tempull vlerash historike dhe kulturore që u shkatërruan nga diktatura e re antifetare dhe antigreke e Shqipërisë. Kjo është e gjitha qesharake! Por në historinë e këtij rajoni që quhet Ballkan, gjërat qesharake janë ato që janë përdorur rëndom si casus belli, për të tjera shkaqe e për të tjera arsye, dhe janë manipuluar rëndom nga njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me interesat e popujve të tyre.
E vërteta sot është se shkaqet dhe arsyet e së shkuarës mes Shqipërisë dhe Greqisë, jo vetëm nuk duhet, por në fakt as nuk mund të përdoren si casus belli, përveçse nga dritëshkurtrit këtu dhe atje, që nuk kanë kurajë dhe as takat të përballen me çështjet e shkuarës, në funksion të ndërtimit të së ardhmes së përbashkët të vendeve tona, të popujve tanë; dy popuj fqinjë dhe miq në zemër të Europës, në një shekull të ri sfidash dhe mundësish të mëdha për rajonin tonë dhe për Familjen Europiane, së cilës bashkërisht i përkasim.
E njëjta tjegull e rënë, në një tjetër ëndërr të Vangjelit dhe e njëjta ferrë që na shfaqet nëpër këmbë si në një ëndërr të keqe, në formën e një kontestimi për Himarën, më ka risjellë këtu për të mbyllur në fakt të njëjtin debat absurd. E këtë herë na ka dalë që banorët e prekur nga projekti i ri i bashkisë së Himarës, në fakt na qenkan deklaruar grekë dhe mund të paraqesin në mbështetje të kësaj deklarate dokumente përkatëse.
Nuk e dëshiroj unë fare të thellohem në këtë temën e shqiptarëve që janë deklaruar grekë, në tërë vitet e vështira të këtij populli pas rënies së diktaturës dhe përgjatë lëvizjes së një pjese të madhe drejt Greqisë. Sepse, kjo është një plagë krejt më vete, të cilën të paktën unë nuk mendoj se duhet ta ekspozojmë në dritën e diellit të së vërtetës. Pasi tek e mbramja, historia e dhimbshme e greqizimit masiv të emrave të shqiptarëve në këtë periudhë të mundimshme të historisë tonë drejt demokracisë dhe Europës, nuk duhet sidoqoftë të lëndojë pa të drejtë, jo ata që e kanë imponuar atë politikë, por popullin vëlla grek, njerëzit e panumërt dhe të mirë të atij vendi, që pavarësisht sjelljes së politikës me shqiptarët e Greqisë, në vitet ‘90 posaçërisht, i mikëpritën dhe i ndihmuan shqiptarët me po atë dashuri dhe solidaritet njerëzor që shqiptarët kanë ndihmuar grekët e mbetur pa bukë gjatë dhe pas luftës sfilitëse italo-greke. Ndërkohë, unë s’mund të mos jem krenar si shqiptar dhe nëse më jepet mundësia të flas si kryeministër i këtij vendi dhe si kryeministër i këtij vendi që as dje, as sot, as kurrë nuk do i thoshte një greku që për të jetuar dhe për të punuar në këtë tokë, duhet të ndërrosh emrin tënd. Prandaj, le ta lëmë me kaq të kaluarën e kësaj historie dokumentesh me emra grekë dhe me mirënjohjen më të thellë, shumë të sinqertë për çdo grek të njohur, apo të panjohur, autoritet publik apo qytetar i thjeshtë i Greqisë që ka ndihmuar shqiptarët e dalë nga errësira e diktaturës komuniste, në një fazë të re fqinjësisë me kufij të rihapur dhe le të kthehemi pak te kjo historia e ditës, ku është thënë se banorët e prekur nga prishja e ndërtimeve na qenkan homogjenë, a thua se himariotët e tjerë janë të huaj, domethënë ardhacakë. Çfarë të thuash për këtë?!
Nuk kam qenë ndonjëherë i tunduar për të marrë rolin e historianit. Dijet modeste të historisë mundohem t’i përdor vetëm për të kuptuar më mirë të tashmen dhe për të projektuar më mirë të ardhmen.
Në fund të fundit historianët duhen për ta shkruar dhe politikanët duhen për ta bërë historinë. Kur i ngatërrojnë rolet, vetëm dëm kanë, qoftë historia, qoftë politika. Por nuk ka nevojë të jesh historian për t’ju referuar historisë në kontekstin e një vështrimi apo debatin politik. Në kontekstin e këtij debati dhe fatkeqësisht të çdo debati në 25 vjet rresht me fqinjët tanë për Himarën, nuk kam dëgjuar asnjëherë të respektohet një fakt; Fakti që personat e përfshirë në këtë çështje, ashtu si njerëzit apo objektet e përfshira në çdo çështje të hapur artificialisht janë gjithashtu shtetas shqiptarë dhe si të tillë i nënshtrohen ligjeve, rregullave dhe normave të këtij shteti, si çdo individ tjetër pa kurrfarë diskriminimi, po pa asnjë lloj privilegjimi.
Le të mos harrojmë se bëhet fjalë për nënshtetas parësisht shqiptarë që banojnë në truallin e tyre prej brezash, që kanë vendosur të jenë dhe pjesë e vendit fqinjë, sepse ashtu ua ka dashur halli apo ashtu ua ka thënë zemra varësisht.
Himariotët, – e këtë e nënvizojnë të gjithë autorët apo udhëtarët e shekullit 19 ose edhe 20, – janë patriotë, po aq sa janë pothuajse ishullarë të prirur drejt një lloj kryeneçësie, njerëz që udhëhiqen, pikë së pari, nga etja për një jetë të pavarur, e cila i ka bërë shpesh në historitë e tyre rebelë ndaj pushtetit dhe të aftë të përqafojnë edhe kauza që nuk janë, as afatgjata dhe as të natyrshme nganjëherë për trashëgiminë e tyre, por që ua sigurojnë, qoftë edhe përkohësisht në periudha të caktuara jetën e pavarur që dëshirojnë.
Pikërisht për këtë dhe për doke të tjera, që pa shumë ngurrim i luhasnin himarjotët mes Romës dhe Kostandinopojës, ata, – e këtë e shkruan i famshmi Pouqueville, që është larg së qeni një shqiptaromadh apo shqiptarofil, janë krejt të njehsueshëm me malësorin inatçor shqiptar. Duke u kthyer tek zgjedhja e zemrës të atyre që kanë zgjedhur, le të themi me zemër, edhe pse në të shumtën e herës nga halli, të jenë dhe shtetas grek, Thomas Jefferson kishte zakon ta thoshte, pasi qëndroi në Paris si ambasador i SHBA, se “çdo njeri ka 2 atdhe, atdheun e tij dhe Francën”.
Shkrimtari kubanez, Jose Marti ka thënë madje që për të ekzistonin dy mëmëdhe: Kuba dhe jeta e natës.
Kështu që asnjë himarjot, as mund të paragjykohet, as mund të gjykohet dhe aq më pak të klasifikohet si banor homogjen (nënkupto grek) pse zemra ia thotë që përveç atdheut të babës ka dhe një vend tjetër për një atdhe.
Ligji i zemrës nuk është megjithatë as ligjësia e shkencës së historisë dhe as ligji i shtetit dhe i shoqërisë, ku një njeri dhe një bashkësi, jetojnë dhe zhvillohen në harmoni.
Në të drejtën ndërkombëtare publike dihet se mes dy solidariteteve kombëtare mbisundon dhe njihet si i tillë ai më objektiv dhe më efektiv. Pra, ai solidaritet, i cili e përkthen nënshtetësinë dhe përkatësinë me përditshmërinë e jetës, në pasjen e një rezidence fikse, në pagimin e taksave mbi të ardhurat dhe ato lokale, në pjesëmarrjen në jetën e komunitetit, atë publike, etj.
Unë vetë jam gati me dy duar t’i përgjigjem çdo ftese nga fqinjët tanë të dashur për t’i lënë thashethemnajat historike edhe referimet në histori dhe për t’iu përmbajtur standardeve dhe acquis communautaire, duke e bërë mbrojtjen e komuniteteve një përparësi, si Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.
Besoj se nuk gaboj duke thënë se Shqipëria e ka vërtet përparësi. E ka një përparësi të konsoliduar jo nga kjo qeveri, po zinxhir, qeveri pas qeverie, mbrojtjen dhe promovimin e lirive publike dhe të të drejtave themelore të çdo minoriteti, përderisa nuk ka qenë kurrë objekt Shqipëria, tërheqje vëmendjeje, për mos thënë objekt dënimi gjyqësor nga institucionet ndërkombëtare, kompetente.
Republika e Shqipërisë ka një angazhim të përhershëm në kohë për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, pjesë përbërëse e të cilave janë edhe të drejtat e pakicave.
Vendi ynë Vangjel, është palë në një sërë konventash mbi të drejtat e njeriut në kuadër të OKB-së, të KE-së, përfshirë dhe një Konventë kuadër për mbrojtjen e pakicave kombëtare, ratifikuar prej vitit 1999, ndërkohë që ne mezi presim që edhe fqinji ynë ta ratifikojë këtë Konventë. Konventa përbën bazën, mbi të cilën mbështetet mbrojta e të drejtave të pakicave dhe zbatimi i politikave për pakicat në Shqipëri.
Nuk çuditem unë që ty të bën përshtypje, unë s’e kam vënë re fare, sepse që ta vija re duhet të mendoja si ti. Unë shoh Akropolin, aty ku ti sheh minaren. Është një problem Vangjel! Është një problem i madh. Nuk e ke vetëm ti.
Pikërisht fakti që minarja në një gravurë aq të vjetër është ajo që ty të tërheq para Akropolit, ka lidhje edhe me këtë që po të them, për mënyrën se si i koncepton ti dhe jo vetëm ti, por dhe shumë dëgjues të tu në Athinë, liritë e të drejtat e minoriteteve dhe të pakicave.
Kushtetuta dhe legjislacioni ynë i brendshëm garanton; mbrojtjen nga diskriminimi për shkak të përkatësisë etnike, ushtrimin e të drejtave dhe të lirive të pakicave me barazi të plotë para ligjit, të drejtën e tyre për të shprehur lirisht përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore, si dhe garanton kushtet për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre kombëtar, kulturor, fetar dhe të drejtat civile politike.
Personat që u përkasin pakicave në Shqipëri kanë të drejtë të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën e tyre amtare, të bashkohen në organizata e shoqata për mbrojtjen e interesave dhe të identitetit të tyre, si dhe të përfaqësohen në jetën publike dhe politike në të gjitha nivelet, nga pushteti qendror, deri në pushtetin vendor.
Reformën Administrativo-Territoriale që ti e mallkon do isha shumë i lumtur unë ta shikoja në ndonjë vend tjetër fqinj, përveç Kosovës. Do isha shumë i lumtur të shikoja një shtet tjetër fqinj që i jep të drejtën minoriteteve, jo vetëm për të gjithë ato që thashë, por dhe për të pasur bashkinë e tyre me kryetarin apo kryetaren e tyre të bashkisë. E kam kërkuar gjatë dhe nuk e kam parë askund. Nga çfarë dëgjoj, kam frikë se në të gjallë time nuk do e shoh.
Prandaj para se ta mallkosh Reformën që bëri ky parlament, ta kesh parasysh mirë që ky parlament i ka dhënë të drejtën 3 komuniteteve, dy në shumicë greke dhe një komuniteti shumë të vogël në numër, maqedonas, që të kenë bashkitë e tyre.
Më vjen keq që nuk erdhe me mua në Dropull, se të ftova për të parë edhe investimet që po bëjmë, edhe ndërtesën e re të Bashkisë së re të Dropullit.
Ne, jo vetëm qeveria, por të gjithë ne këtu, e konsiderojmë dhe jo thjesht si persona, por si forca politike të këtij vendi në të gjithë historinë që na bashkon në të njëjtën rrugë shprehjen e identitetit kombëtar, fetar dhe kulturor të pakicave, si një element të rëndësishëm, të patjetërsueshëm të shoqërisë shqiptare.
Në kuadër të 5 prioriteteve kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, qeveria jonë, – ti je i informuar për këtë, – ka kryer një rishikim tërësor të kuadrit ligjor dhe politikave tona mbi mbrojtjen e të drejtave të pakicave, të një kuadri ligjor shumë më të avancuar se në të gjitha vendet fqinje, që prapë e kemi riparë dhe ripërmisuar.
Jemi duke përfunduar përpilimin e një ligji të ri për pakicat, në përputhje të plotë jo me standardet europiane, – se me standardet europiane e kemi edhe këtë që kemi, – por me standardet më të larta europiane, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës, ku në fazën e konsultimit të tekstit janë ftuar që të gjithë, – edhe ti personalisht, – institucione kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertë, akademikë, shoqata të pakicave të shoqërisë civile, komunitete pakicash, përfaqësues pakicash që të gjithë.
Shqipëria sot po të them është një nga vendet më në progres në Europë, në raport me këtë çështje. Kur them sot, them Shqipëria e sotme, jo e tanishme, pra Shqipëria prej kohësh dhe jo vetëm sepse e thonë vlerësimet e organizatave ndërkombëtare, (Këshilli i Europës, BE, OSBE), por sepse në radhë të parë, vetë shqiptarët edhe këtu, edhe në Kosovë janë një popull i njëjtë, tolerant që e ka pasur të natyrshme, historikisht të jetojë dhe të bashkëjetojë me minoritetet, pavarësisht sesi kanë vajtur dhe kanë ardhur rrjedhat midis shteteve apo qeverive, apo midis politikave të Shqipërisë, shqiptarëve apo të tjerëve.
Ka një shprehje të bukur populli ynë dhe në mos gabohem e ka dhe populli grek që thotë: “Para se të marrësh fshesën dhe të nisesh për te shtëpia tjetrit, fshij një herë përpara pragut të shtëpisë tënde”. Por më mirë e thotë Ungjilli, ku besimtarët ortodoksë, – ortodoksë grekë apo ortodoksë shqiptarë – shohin udhërrëfimin e tyre, “para se të shikosh ashklën në syrin e tjetrit, hiq traun që pengon vështrimin tënd”.
Prandaj kur ne na kërkohet medoemos një ashkël në syrin tonë, kur flitet për Himarën, duke na akuzuar në hava se po planifikojmë shpërbërjen morale dhe materiale të të ashtuquajturit minoritet grek në Himarë, që në fakt as ka qenë edhe as është në Himarë ndonjë minoritet grek, por edhe sikur të ishte, nuk ka sesi të mos na buçasin veshët Vangjel, padashje, nga trokitje prej 10 vjeçarësh të tërë, në pragun e fqinjit që na jep leksione të jurisprudencave të panumërta të Gjykatës Europiane të të drejtave të njeriut, e cila kërkon që të respektohet në praktikë, të drejtat bazike të minoriteteve, (e drejta e gjuhës, e drejta e ndërgjegjes, e drejta e shprehjes, e drejta për të krijuar shoqata përfaqësuese), e kështu me radhë. Fakte këto, që nuk i them unë dhe as nuk do doja t’i rikujtoja për hir të së vërtetës sepse ne qortohemi se po i hykemi shpronësimit të minoritarëve greke në Himarë dhe qortohemi sepse medemek fuqia publike po e bën këtë shpronësim, jo për të vazhduar projektin e rindërtimit në Himarë, por për të shpërbërë një minoritet, në Himarën, ku vete kryetari i bashkisë është një himarjot që në zemrën e tij ka bërë një vend edhe për Greqinë, si atdhe të dytë, përveç atdheut të babait që është Shqipëria.
Këtu është mirë që ta shikojmë që të gjithë dhe të jemi të kthjellët bashkërisht, që në kundërshtim me një traditë tek disa fqinj, Shqipëria nuk qënë kurrë e prirur dhe s’e ka bërë asnjëherë në fakt, të zbatojë reciprocitetin e zakonshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare për çështjet e të drejtave të njeriut, ku përfshihet dhe trajtimi i minoriteteve apo i njerëzve të vetë këtu apo atje. Kjo është një arsye me siguri që ne jemi si vend një hap përpara, por jemi dhe si popull në fakt në këto dy shtete një hap përpara fqinjëve, jo vetëm në jug, por edhe në veri, për njohjen dhe mbrojtjen e minoriteteve.
Megjithatë është e rëndësishme që të jemi reciprokë në çështje parimore dhe në qëndrimin tonë në përputhje me interesat e popullit që na ka zgjedhur.
Nëse Tirana qortohet për disa terrene në pronësi, – nënshtetasit shqiptarë që faktikisht do të shpronësohen sipas ligjit në fuqi për interes publik – dhe marrim një furi akuzash si të ishim varrmihës të një mikroetnikumi të konsideruar si grek, çfarë duhet të themi ne Vangjel për mbajtjen si një dordolec, në kufi mes nesh dhe Greqisë, të ligjit të luftës që është matrica në fakt, e të gjitha çështjeve apo e shumicës së çështjeve të pazgjidhura me Greqinë dhe është strumbullari i një mase të madhe çështjesh së të drejtave të njeriut që kanë në sfond diskriminimin e shqiptarëve.
Çfarë duhet të themi ne për atë etnikum shqiptar, do ta quajmë homogjen, në Greqi, që historia e njeh me emrin popullsia çame, në bazë të një preteksti komplet të sajuar, që nuk qëndron as në qiell e as në tokë, nuk ka histori dhe nuk ka të drejtë ndërkombëtare që e pranon, madje nuk ka të drejtë kanonike që mund ta përfshijë; kjo popullsi na paska bashkëpunuar me pushtuesit nazistë në Greqi dhe për këtë çdo njeri, çdokush prej paraardhësve të atyre që na paskan bashkëpunuar, jo vetëm që duhet të jetë përgjigjës përjetësisht, por duhet t’i mohohet edhe ekzistenca, edhe pronësia, edhe identiteti, edhe jeta.
E thashë dhe me parë që historinë e bëjnë historianët, por e bëjnë që ta lexojnë të gjithë dhe deri më sot. Unë sot nuk di, – nëse dikush tjetër ka lexuar, mbase mund të më ndihmojë, – por nuk di të kemi lexuar gjëkundi as që dhjetëra e mijëra çamë të kenë bërë ujdi me pushtuesit dhe aq më tepër pastaj për këtë brez pas brezi duhet të jenë të zhveshur nga e drejta e tyre themelore në mes të Europës, në shekullin 21, por as që në asnjë rast tjetër në vendet që kanë pasur histori të ngjashme, brez pas brezi t’i ketë ndjekur popujt, mallkimi i një vendimmarrje të njëanshme që targeton njerëz, në breza, si fajtorë.
Shqipëria as ka pasur, as ka, as nuk mund të ketë kurrë ndonjë pretendim territorial ndaj Greqisë, por kërkon pikërisht në emër të miqësisë tradicionale mes popujve dhe mes njerëzve, të ndërtojë dhe mes shteteve një marrëdhënie sa më të fortë miqësie, sepse në nivelin e marrëdhënies mes popujve, sado të gërmosh gjithmonë gjen më shumë histori që na bashkojnë, sesa histori që na ndajnë. Një marrëdhënie e vërtetë dhe e dobishme nuk mund të mos bazohet në respektin reciprok, ku trashëgimia e të kaluarës duhet të trajtohet me gjithë kujdesin që meriton. E shkuara nuk mund të jetë një pengesë për të ardhmen e përbashkët të popujve dhe të vendeve tona. Përkundrazi, zgjidhjet e bazuara në rregulla natyrisht, të së drejtës kombëtare dhe në kulturën politike europiane janë në interes jetik për të dyja shtetet. Ne, së pari, dëshirojmë që lufta të mbarojë, Vangjel! Pra, ne do ta mirëpresim shumë një akt të barasvlefshëm të pushtetit legjislativ në Greqi që ta shfuqizojë dekretin mbretëror që është ende në fuqi sot, i cili e konsideron gjendje lufte marrëdhënien midis Greqisë dhe Shqipërisë, por nuk është thjeshtë një mbetje arkaike aty, e riciklueshme, – meqë fole për mbetjet, – nga çdo qeveri si një kujtim, por është një akt që prodhon efekte konkrete, pasoja konkrete për qytetarët shqiptarë.
Nëse s’do, s’ke qejf t’i quajmë çamë, s’ka problem, janë qytetarë shqiptarë. Nëse s’të pëlqen fjala “çështja çame”, është çështja e Shqipërisë për shqiptarët dhe të drejtat e njeriut, liria e lëvizjes, e drejta për të kërkuar pronën dhe dëmshpërblimet në rrugë të rregullt ligjore dhe procedurale, kjo është e gjithë ajo që quhet çështja çame. Asnjë gjë tjetër. E thënë kjo, thuhet ne kërkojmë këtë dhe vetëm këtë dhe ndërkohë që mali i vërejtjeve për mosrespektime, për shkelje nuk është mbi ne, s’ka qënë ndonjëherë mbi Shqipërinë, nuk ekziston jo prej tre vjetësh, por ju siguroj as prej 30 vjetësh, madje as prej 100 vjetësh komision, komitet, organizëm, institucion, asamble, trojkë, konventë, Gjykatë Ndërkombëtare që të ketë njohur për shembull shprehimisht ekzistencën e një minoriteti grek midis Kurveleshit dhe maleve Akrokeraune, që siç e di Vangjeli është emri antik i Himarës, prej të cilëve sipas mitologjisë po aq antike një perëndi sherrxheshkë Demogorgoni pasi u godit nga rrufetë, polli 2 hyjni, “kaosin” dhe “përçarjen”.
Pa u zgjatur më tutje, dua vetëm të nënvizoj se nuk do mbaronin orë e ditë nëse ne do merreshim me rivendikime ndaj përkatësisë gjyqësore dhe komunitare shqiptare të himarjotëve, si edhe shumë kohë do na merrte trajtimi i lidhjeve shumë të forta të këtyre viseve dhe popullsive greke. Në Himarë janë bërë, bëhen dhe do bëhen shkëmbime ekonomike, mbase do vazhdojnë të thuhen dhe u thënçin gjithmonë liturgji në gjuhën e Shën Joan gojartit, por siç thoshte i paharruari Petro Marko: “Veç në shqip do të këndohen gëzimet dhe do të thuhen vajtimet e nënove, sepse kështu ka qënë dhe është shkruar të jetë gjithmonë”.
REPLIKAT
Rama: As prej 30 vitesh, as prej 10 vitesh nuk ka komision, asamble, trojkë, konventë, gjykatë ndërkombëtare që të ketë njohur shprehimisht ekzistencën e ndonjë terrtitori grek mes Kurveleshit dhe Himarës”.
Dule: Në këtë pozicionim kaotik u përpoqa t’i përmbahem çështjes. Rama po shkon nga dështimi në dështim. Zoti kryeministër rastis të jem edhe qytetar i BE, aty kushdo që ndjehet si individ i cenuar i ka dyert ligjore të hapura për të gjetur të drejtën e vetë, iu shmangët thelbit. Unë përpiqem t’i bëj miq këtij vendi aq sa mundem por është e vështirë me një kryeministri si ty. Më thua se e nxi imazhin, po a ka qeverisje më të nxirsë se e jotja në 25 vite?
Rama: Nëse merr përsipër të informosh në mënyrë të qëllimshme pasi nxit situata të krijuara artificialisht nuk mund të kesh qëllim tjetër përveëëse të krijosh armikun në anën tjetër. Për çfarë arsye gënjen në Athinë, ju thua se godinat janë të ligjshme pse ju thua do prishen pa u shpronësuar? Për çfarë arsye i nxit dhe gënjen edhe një pjesë të atyre që janë në të drejtën e tyre të jenë të revoltuar. E dëgjove qartësisht shpjegimin tim për çështjen, nëse gjen një element të gjithë këtij procesi, që është ndryshe dhe i paunifikuar se në gjithë Shqipërinë janë prishur mbi 9 mijë ndërtime. Mirë që gënjen, po e përdor këtë gënjeshtër për t’i hedhur benzinë zjarrit. Je ti që më detyron mua të hyj në këtë debat. Zanafillën e saj historia e ka tek ti personalisht. Cdo popull ka kokëboshët e vetë, t’i ke gjetur të gjithë kokëboshët e Greqisë dhe ju fut marrëzira në kokë, ata janë gati të marrin për të vërtetë çdo shpifje, gënjeshtër që bën ti. Nëse në procedurën e bërë për ta ka ndryshim për gjithë shtetasit shqiptar unë mbaj përgjegjësi publike. Mbaj edhe para fqinjëve. Patjetër, edhe para kujt të duash..Atë jam qytetar i Europës, ti je se ke pasaportë greke. Ne jemi qytetarë të Europës po nuk kemi ende pasaportë, por mos mendo se na bën ne të ndjehemi të kompleksuar se ti do influencosh që të pengohet procesi i integrimit për qejfet e tua.
Dule: Kryeministri im nuk di çfarë është dialogu, di vetëm monolog dhe të llojit delirant. U ngrit në mes të debatit dhe iku.