Fjalimi i plotë i Ben Blushit që trazoi Kuvendin: Ngrihuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini…

Placeholder Image

Kreu i LIBRA, Ben Blushi ka mbajtur dje një nga fjalimet më të veçanta në Kuvend. Në kohë në kur PS dhe PD kanë rënë konsensus për çdo që ka lidhje me zgjedhjet, që nga shtyrja e datës e deri te paratë e fushatës, Blushi ka thënë disa të vërteta të hidhura. Fjalimi i tij shkaktoi jo pak zemërim te Rama dhe drejtuesit e PD-së , por si asnjëherë tjetër më parë, fjalimi është dëgjuar me vëmendje nga deputetët e majtë dhe të djathtë. Blushi tha ato që nuk guxoi askush t’i deklaronte me zë nga deputetë t e tjerë të PS dhe të PD.

Më poshtë fjalimi i plotë:

https://www.facebook.com/benblushi.al/videos/523564744433839/

Nga Ben Blushi

Në fakt do të ishte e papërshtatshme t’jua prishja sonte dasmën, sepse ju të dyja palët keni ardhur në një dasmë: sapo votuat një qeveri të përbashkët. Thuajani këtu shqiptarëve se cila është arsyeja që ju çoi në bashkëqeverisje. Si ka mundësi? Kush e beson këtë? Është për të qeshur, por edhe për të qarë. Pas 27 vjetësh, pas shumë kacafytjesh, sharjesh, shtyrjesh e vjedhjesh, Sali Berishën dhe Edi Ramën i kemi sot në një qeveri.

Jeni bashkë, apo jo? Saliu qesh. E di se i pëlqen kjo gjë. Ka kohë që lufton për të qenë në një qeveri me Rilindjen. Më në fund e realizoi këtë. U fut në çadër tre muaj si heroi i republikës së re. E si dolët që andej, nga çadra? Ca si elektricistë te OSHE-ja, ca si drejtorë burgjesh, ca si njerëz që shpërndajnë tapi hipotekash, se këto morët: OSHEE-në, burgjet, hipotekat. Me çfarë i ndatë këto? Me rilindjen! Kjo, në fakt  është çadra  e Rilindjes. Ju që nuk latë bandit, kriminel edhe vrasës  pa futur në Rilindje, ju kishte mbetur vetëm një pa futur: Sali Berisha. E futët  edhe  Saliun  në çadër. Komplimentet e mia! Por duhet t’ua thoni shqiptarëve pse erdhët  deri këtu. Erdhët  për interesa kombëtare? A keni bërë sot ndonjë pakt për interes  kombëtar? A ka Shqipëria  sot më shumë punë për shkak të kësaj marrëveshjeje? A  ka më pak të varfër  për shkak të kësaj marrëveshjeje? A ka drita me çmim më të lirë? A funksionon më mirë  OSHEE-ja? A ka  më pak njerëz  nëpër burgje? A ka më pak   kanabis? Asgjë! Ka një pakt  mes  çadrës  dhe rilindjes për të bërë çfarë? Për  ta ndarë  pushtetin në mes. Deri dje, deri sot, para këtij votimi Shqipëria kishte një qeveri me dy  palë: PS dhe LSI, u shtua edhe çadra, u bënë tri  palë. Si u ndanë këto? 6 ministra i ka rilindja, 5 i mori çadra dhe 4 LSI-ja.

Si i bie? 6 i ka Edi Rama, 5 Saliu dhe 4 Presidenti. Kjo është republika që doni? Kjo është republika e re? Ju që  u futët për republikën e re nuk  mbrojtët  asnjë kauzë. Do t’jua shpjegoj pse. Na  sollët një Kod Zgjedhor, i cili nuk garanton zgjedhje për të cilat ndenjët në çadër tre muaj.  Shqiptarët duhet ta dinë se çfarë opozite  paskan pasur  deri dje: e futur  për vende pune. U futët  për vende  pune, dolët me vende pune. Në fakt, nuk keni qenë asnjë ditë opozitë, sepse  tradhtuat  çdo kauzë. Shikoni se  çfarë kodi keni sjellë këtu?! A e ka ky kod numërimin elektronik, sepse kjo është arsyeja pse u ngrita  të flas? Besoj se nuk ka shqiptar që nuk kupton  se ky ishte një pazar për  bashkëqeverisje. Mua personalisht  bashkëqeverisja juaj më pëlqen, se e bën më të lehtë, por kjo nuk do të thotë se ju u futët  në çadrën e Rilindjes  dhe  Shqipëria mbeti pa opozitë. Absolutisht, është më kollaj  për t’ju mundur bashkë, siç e bënë rumunët, ashtu e bënë rumunët, u ngritën kundër të gjithëve.

Ju nuk i latë shqiptarët të ishin si rumunët, sepse për  tre muaj ju zutë bulevardin dhe   në fund fare  shkuat u bëtë me këtë, që e  akuzonit për kanabis. Në fakt, tani jeni bashkë. Do ta korrni kanabisin  bashkë, se edhe  Ministrinë e Brendshme e   morët ju, Ministrinë e Arsimit e morët ju, OSHEE-në, burgjet. Çfarë është kjo?!  Kjo është bashkëqeverisje në tavolinë, pa zgjedhje. Ky është ndryshimi im i  madh me ju. Unë kam  dalë në opozitë. Isha me këta  në vitin  2013, ku premtuam një Shqipëri më të mirë, më të drejtë dhe me më shumë dinjitet, por ika,  sepse  nuk bënë asnjërën nga këto. Ju shkuat me vrap. Ku e keni Lulin sot? Ka një shprehje Viktor Hygo: “Të gjithë njerëzit  janë njëlloj, ankohen, qajnë, bërtasin ulërijnë, pushojnë vetëm kur i fusin biberonin në gojë”. Luli e  mori biberonin në gojë! Po, e  mori! Luli  e mori  biberonin, pushoi, nuk qan më!

Po iki nga ju, se nuk ia vlen më.

Po ju more zotërinj, ju që keni 20 vjet që thoni: ” E ka fajin Saliu”. (para  1 viti kam dalë këtu dhe kam thënë: po qeverisni  si Saliu, pa Saliun), ku jeni sot?! Sot jeni si Saliu me Saliun apo jo? Jeni si Saliu me Saliun, jeni në bashkëqeverisje me Saliun. Shqipëria nuk e meritonte këtë gjë. Nuk e di se kush  do t’ju votojë ju në datën 25 qershor. Kush  do t’ju votojë? Kush do t’i votojë këta? A ka ndonjë demokrat    që voton çadrën e rilindjes? A ka ndonjë socialist që mund të votojë qeverisjen e  PS-së, apo të rilindjes, sepse në fakt nuk është PS-ja, me Sali Berishën? A ka ndodhur ndonjëherë kjo gjë në historinë e botës? Tre  parti në qeveri  shkojnë në zgjedhje për të kërkuar vota kundër njëra-tjetrës. Jeni të tria në qeveri deri më 25 qershor.  Çadra, Rilindja dhe partia e Presidentit. Tri parti shkojnë më 25 qershor. Kundër kujt  do të thoni ju? Kundër njëri-tjetrit. Do të jeni përsëri bashkë.

Ka ardhur  koha ta them  thelbin. Cili është thelbi? Pse u bëtë bashkë ju? Për OSHEE-në, për burgjet, për të burgosurit, për kanabisin? Jo, është më shumë se sa kaq. Ju u bëtë bashkë për t’i ikur  reformës në drejtësi, të dyja, të tria palët. Pse?  Çfarë kuptoi Lul Basha në këta  tre muaj? Kuptoi se çadra nuk është imunitet  absolut ndaj reformës në drejtësi. E dini se  cili është imuniteti  absolut sipas  jush? Të jesh në qeveri. Ju  mendoni se të jesh në qeveri je i garantuar  nga reforma në drejtësi. Kjo është edhe  arsyeja pse askush nuk del nga qeveria, secili do të jetë në qeveri. Pse? Për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi, e  cila është  dizenjuar si e  tillë  që nëse  je në qeveri nuk të ndëshkon dhe  këtë   bëtë sonte ju, e  sabotuat reformën në drejtësi. Kur të mbarojë ky votim  famëkeq me një bashkëqeverisje mizore  që nuk garanton asnjë standard, asnjë shpresë, asnjë vend pune, ju do të votoni komisionet e  vetingut, apo jo? Kush beson se tri palë në qeveri, do të bëjnë drejtësi kundër njëra-tjetrës? Askush! Por në fakt, mbyllje më të bukur  nuk  mund të kishte përveçse të bëheshit të tre   bashkë Saliu dhe Edi Rama  bashkë. Kush voton më 25 qershor për Partinë Demokratike, çadrën duhet ta dijë shumë mirë se ka votuar për Edi Ramën Kryeministër.

Kush voton për Rilindjen duhet ta dijë shumë mirë se  do ta  bashkëqeverisë Shqipërinë me Sali Berishën. Kjo është e vërtetë. Qofshi  socialistë, qofshi demokratë duhet të dini se do të  jeni bashkë pas  25 qershorit: votoni rilindjen me Saliun, votoni çadrën me Ramën. Kaq. A  ka njeri që nuk e kupton këtë gjë? Kam dy vjet që e them. Janë ngritur shumë, por nuk kanë ardhur sot, do t’i shikoj gjatë fushatës. Mbani vesh: a  do të ketë ndonjë socialist, ndonjë rilindës  që do të shajë  ndonjë ditë Saliun? Keni 25 vjet  që  jeni ngritur në fushatë kundër tij. E dini pse  nuk do ta bëni? Jua them unë. Jo, vetëm se ky nuk do t’jua  lejojë, por  edhe për një arsye tjetër: kam 4 vjet që ju shikoj sesi i lëpiheni Ilir Metës  për të qenë ministra në këtë qeveri. Tani ka ardhur koha t’i lëpiheni Saliut, sepse e dini që nuk mund të jeni më në qeveri nëse  shani Saliun, për shkak se ai  e ka në dorë se cili nga ju do të hyjë në qeveri. Ju që ishit heronjtë e antikorrupsionit, njerëzit që  flisnit kundër monopoleve, kundër korrupsioneve, ku përfunduat?! Ky është dështim, ky është një batak. Ky është një batak në të cilin jeni zhytur, pavarësisht  se vetë më pëlqen, nuk mund të kishit fund më të bukur.

Dy fjalë për kodin. Ky kod nuk garanton që paratë e zeza të mos hyjnë në  fushatë. Absolutisht, jo!

Ky kod  nuk e garanton arsyen për të cilën u futët në çadër. Për çfarë u futët atje? U futët për numërimin elektronik. A ka këtu numërim elektronik?

A e di ndonjë shqiptar, nëse më 25 qershor do të ketë mundësi të votojë në mënyrë elektronike dhe vota do të numërohet elektronikisht?

Pra, qenkeni futur kot në çadër, për disa  elektricistë dhe për disa drejtorë burgjesh më shumë. Ky kod nuk rregullon asnjë standard përveç një standardi: ky kod  ju jep  juve, gjoja më shumë fuqi mbi zgjedhjet.

Çfarë qeverisni ju? Sistemin e drejtësisë dhe sistemin e zgjedhjeve, që sapo i sabotuat. Ky kod nuk garanton asnjë standard të ri. Asnjë!

Ah, po, dikush këtu tha se keni bërë një nen në Kodin Penal, i cili  ndëshkon më shumë ata që e shesin dhe që e blejnë votën. Mirë bëtë!

Po çfarë  keni bërë në fakt? Keni krijuar  një standard, i cili nuk ndëshkon ata që bëjnë zgjedhjet, por ndëshkon votuesit. A ka këtu ndonjë nen që ndëshkon komisionerin edhe numëruesin tuaj? Asnjë. Pra, ka një nen, i cili gabimisht (sipas jush), ndëshkon një fshatar, të cilit ju do t’i  jepni  50 mijë lekë dhe ai e shet votën për  t’jua dhënë prapë juve.

Po ai numëruesi që e vjedh votën? Ai nuk  ndëshkohet, sepse është juaji. Çfarë keni përmirësuar? Asgjë. Kjo është republika e korrupsionit që ju përfaqësoni. Sabotuat zgjedhjet dhe po sabotoni edhe reformën në drejtësi. Bashkëqeverisje të mbarë!

Sonte kam vetëm një mundësi: t’ju përshëndes sonte me  vargjet fatale të  Fan Nolit, i cili tha: “Ngrihuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini! Katundarë e punëtorë që nga Shkodra deri në Vlorë”.

Kështu do t’i poshtëroni të gjithë  më 25 qershor.

SHKARKO APP