Fjalimi i plotë i Presidentit në manifestimin e 2 marsit: Është detyra ime të jem i pari në luftën me grushtin e shtetit!

Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë në rrjetin social Facebook fjalimin që mbajti dje në manifestimin madhështor për mbrojtjen e kushtetutës.

Është detyra ime si Kryetar i Shtetit të jem i pari në luftën me grushtin e shtetit! Është detyra ime si President i Republikës të mbroj i pari lirinë dhe demokracinë e vendit dhe të popullit tim! Jam i lumtur se zëri i popullit po dëgjohet në të gjithë Shqipërinë dhe kudo ku ka shqiptarë në të gjithë botën demokratike. Jam i lumtur se Kushtetuta e popullit ka sot në shesh popullin e Kushtetutës. FALENDERIM DHE MIRËNJOHJE TË GJITHËVE!”,- shkruan kreu i shtetit në mesazhin e publikuar në Facebook.

Fjalimi i plotë në manifestimin e 2 marsit

2 Mars 2020 Fjalimi i Presidentit Meta i mbajtur në Manifestimin madhështor Mbarëkombëtar të 2 marsit në mbrojtje të Kushtetutës
Zëri i Popullit, zëri i Zotit! Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunjë vetëm para flamurit kuqezi dhe popullit kuqezi, para popullit të shqiponjave.

Këtë ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizata ndërkombëtare mafioze, që kërkojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe Kushtetutën tuaj!

Neni 2 i Kushtetutës, që ju votuat me referendum në 22 nëntor 1998, thotë: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket vetëm popullit”.

Ndaj ju kam ftuar jo si Ilir Meta, por si Presidenti i juaj, si i vetmi institucion legjitim demokratik që ka mbetur në këtë shtet, për të dëgjuar zërin tuaj.

Sepse kur institucionet bien, ngrihet populli dhe populli nuk futet në xhep si paratë e oligarkëve.

Jemi këtu, sepse Shqipëria e sotme është ndarë në dy botë antagoniste, në botën e popullit kuqezi dhe në grupin që përfaqëson një botë të vogël, të errët, meskine, egoiste dhe tradhtare të puçistëve dhe të oligarkëve.

Që si shushunja pinë çdo ditë gjakun e popullit tonë me koncesionet e frikshme të PPP-ve.

A jemi për ndonjë gjë so vendi i parë në botë?

Po, jemi vendi i parë në botë për kostot e autostradave për kilometër katror, i kemi më të shtrenjta se vendet më të zhvilluara të botës.

Unë si President i Republikës i kam rrëzuar publikisht këto dekrete të arsyetuara mbi Kushtetutë dhe ligjërisht, pra dekretet për koncesionet, të cilat kanë vetëm një qëllim: grabitjen dhe jo zhvillimin e Shqipërisë.

Ata tani kërkojnë edhe rrëmbimin në mënyrë mafioze dhe antikushtetuese të Gjykatës Kushtetuese, që oligarkët dhe klanet e tyre të përfitojnë sa më shumë dhe krimet e tyre kushtetuese të mbeten të pagjykuara dhe të pandëshkuara!

Jemi sot këtu, sepse asnjë nga ne nuk mund t’i qëndrojë anash grushtit të shtetit.

Jemi këtu për t’u vendosur përballë, sot, me nisjen e Pranverës Kuqezi, unë si President i Republikës dhe ushtar i parë i Republikës dhe gjithë populli kuqezi, kundër grushtit të shtetit!

Pse Presidenti thirri popullin?

Sepse Presidenti i shteroi të gjitha përpjekjet institucionale dhe demokratike për të parandaluar kapjen e shtetit dhe sidomos grushtin e shtetit.

Presidenti ka thirrur popullin, sepse pasuria kombëtare që po vidhet çdo ditë është ajo çka Zoti iu ka dhënë gjithë shqiptarëve.

Sepse sistemi i drejtësisë është kapur prej fyti nga sekti anti-shtet.

Sepse kemi një drejtësi me regji, që godet të varfrit, të pambrojturit dhe të ndershmit dhe garanton paprekshmërinë e klaneve pranë sektit që ka zaptuar shtetin.

Sepse financat publike po shterojnë dhe borxhet po rriten në mënyrë katastrofike dhe ato i paguani të gjithë ju në mënyrë të padrejtë.

Sepse skandalet që denoncon KLSH-ja prej miliarda eurosh bien në vesh të shurdhër, dhe për qeverinë, edhe për Kuvendin, por dhe për drejtësinë që fle.

Sepse ekonomia juaj e shumicës dërmuese të shqiptarëve është në ditët më të errëta.

Sepse oligarkët kontrollojnë parlamentin një-partiak dhe bëjnë krime të rënda kushtetuese, si ai mbi dividendin, që unë denoncova dje.

Një krim i rëndë që ka përmbysur një nga parimet bazë të Kushtetutës, atë të barazisë, neni 18 i Kushtetutës thotë se: “Të gjithë në këtë Republikë janë të barabartë përpara ligjit!”

Ndërsa ata miratuan një ligj për të favorizuar në mënyrën më antikushtetuese, më korruptive, por edhe mafioze, oligarkët dhe klanet e tyre.

Ata shkelën Nenin 155 të Kushtetutës që thotë se: “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.

Por ata bën një ligj kriminal, një akt i paprecedent përmbysës në 30 vite të parimit kushtetues të barazisë dhe shtetit të së drejtës. Ky ligj u bë me efekt prapaveprues në kundërshtim me Kushtetutën, vetëm për oligarkët, të cilët vetë qeveria i kishte njoftuar vite më parë që të mos paguanin asnjë tatim për fitimet e tyre, deri sa ky sekt të miratonte këtë ligj anti-kushtetues, që i favorizonte ata në kurriz të gjithë bizneseve të ndershme, që respektuan ligjin dhe qytetarëve të ndershëm që jeni të gjithë ju.

Kjo mazhorancë në mënyrë mafioze rrëzoi brenda natës, në terr të plotë, pa prezencën e Institucionit të Presidentit, pa prezencën e opozitës, që atë ditë ishte në Parlament, Dekretin e Presidentit për këtë ligj anti-kushtetues.

A mund të jetë ky Parlamenti juaj?

A mundet një investitor i huaj e vendas të besojë te sundimi i Kushtetutës dhe i ligjit në këtë vend?

A mundet të mbijetojnë bizneset e vogla të ndershme, që po falimentojnë çdo ditë në këtë mënyrë, kur përmes ligjit me fuqi prapavepruese, oligarkët u bënë shumë herë më të fortë, pasi ata kanë blerë vet shtetin dhe qeverinë?

Ato qindra miliona euro që ata grabitën, që duhet të derdheshin në buxhetin e shtetit dhe në financat publike, shkuan për llogari off-shore jashtë vendit.

Ndërkohë, këto gropa të mëdha financiare në buxhetin e shtetit dhe financat publike i paguani ju, qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe bizneset e ndershme të këtij vendi, me taksat e papërmbajtshme, që po ju rriten çdo ditë, si nga qeveria ashtu edhe nga pushteti vendor.

Ky nuk është shteti i së drejtës dhe i qytetarëve, por është një instrument shtypës, diskriminues e poshtërues i disa puçistëve të pushtetit të oligarkëve dhe klientëve të tyre.

Ky gjysmë-Parlament është shndërruar në një kukull të këtij sekti pa shtet, pa fe, pa familje dhe pa atdhe.

Ky Kuvend ka 122 nga 140 deputetë, që përcakton Neni 64 i Kushtetutës.

Në muajin shkurt 2019 një vit më parë, ata e provokuan opozitën për ta larguar atë nga Parlamenti.

Ata vrapuan që të zëvendësonin 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë, në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor dhe me ligjin, edhe pse procedura për një deputet të vetëm kërkon 30 ditë.

Ata shkelën kështu dhunshëm Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe rregulloren e Kuvendit, vetëm që të eleminohej opozita në Kuvend.

Jemi kthyer në një shtet, që kujtohemi për shkencëtarët vetëm kur na bie tërmeti.

Jemi një vend ku nuk investohet as në kërkimin shkencor, as në bizneset e reja, dhe kemi zero investime në dije dhe në progres.

Sot jemi një shtet ku luftohet fjala e lirë.

Ndërsa Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, ata bënë një ligj kundër Kushtetutës që të mos e garantojë lirinë pas shprehjes, pra që të garantojnë ndëshkimin për t’i mbyllur gojën gazetarëve, qytetarëve. Ndaj dhe Këshilli i Europës u trondit dhe e çoi vetë në Komisionin e Venecias.

Grushti i shtetit në këtë vend ka avancuar paralelisht e me të njëjtin hap me shpopullimin e vendit.

Ideatorët e grushtit të shtetit dhe financuesit e tij janë edhe projektuesit e shpopullimit dhe shfarosjes së Shqipërisë që nuk do të ndodh kurrë.

400 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj, janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit. Nëse nga Kosova largohet 1 qytetar, nga Shqipëria largohen 5 qytetarë. Nëse nga Serbia largohet 1 serb, nga Shqipëria largohen 8 shqiptarë. Nëse nga Mali i Zi largohet 1 malazez, nga Shqipëria largohen 11 shqiptarë. Ku po shkojmë kështu!

Klima e biznesit në Shqipëri është më e rënda në kontinent. Sipas raportit të fundit të “Doing Bussiness” të Bankës Botërore brenda vitit Shqipëria ra pikiatë 19 vende duke vajtur e 82-ta.

Sepse kjo qeveri ka vrarë besimin te drejtësia dhe funksionimi i shtetit ligjor.

Qëllimisht Shqipëria është lënë pa Gjykatë Kushtetuese, sepse në kokën e puçistëve ka vetëm një synim: kapjen me çdo kusht të shtetit për interesa të pushtetit të tyre dhe për ta përdorur atë për interesa vetëm korruptive, kriminale dhe antikombëtare, siç e shikoni çdo ditë.

Unë i kam denoncuar në mënyrë institucionale dhe të vazhdueshme krimet e tyre por, drejtësia vazhdon të flejë.

Në rast se drejtësia do të kishte vepruar që prej 110 ditësh, kur unë kam shkuar atje, sot nuk do të ishte e nevojshme që unë t’ju ftoja juve këtu. Nuk ka asnjë përgjigje, asnjë veprim, asnjë reagim, ka vetëm heshtje se ka vetëm kapje!

Dhe kur kjo ndodh me autoritetin kushtetues të Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Shtetit, ju e dini vetë, se çfarë mund të ndodhë me të drejtat dhe liritë e qytetarëve të thjeshtë e të pambrojtur, që nuk kanë mundësi as të flasin diku.

Si mund të besojë një i ri në vendin tonë se mund të fitojë me meritë një vend pune në bazë të aftësive të tij apo një të drejtë, një konkurs në administratën shtetërore apo një gjyq në organet tona të drejtësisë, kur shikon se si grabiten e vidhen në mes të ditës kompetencat që Kushtetuta ia jep Presidentit të Republikës?!

Si mund të kenë besim te ky sistem, kur në mënyrë mafioze dhe kriminale synohet të vidhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese që duhet ta zgjedhë vetëm Presidenti i Republikës sipas Kushtetutës, dhe askush nuk mban përgjegjësi e askush nuk dënohet?

Si mund të ketë besim një investitor i huaj se sistemi ynë i drejtësisë kur sheh si bëhen ligje antikushtetuese, përmes praktikash okulte e mafioze dhe kur në krye te falsifikimeve qëndron vetë Ministria e Drejtësisë me celulën e saj?

Si mundet të ndjehet i sigurt qytetari në familjen dhe në punën e vet kur sheh se si arbitrariteti dhe dhuna e pushtetit vendoset mbi ligjin dhe kur shteti degradon në një shtet policor?!

Ky sekt po synon një grusht shteti të vërtetë, që nuk kryhet si në të kaluarën me tanke.

Por duke kapur pushtetet, institucionet, gjithë sistemin e drejtësisë, dhe duke falsifikuar dokumentet shtetërore dhe përmes ligjeve antikushtetuese.

Ky grusht shteti nisi me vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017. Dosjet që flenë edhe sot dhe nuk hetohen, edhe pse Bundestagu dhe pse gjithë institucionet me integritet në Europë dhe botë kanë 3 vjet që kërkojnë, dosja 184 e Dibrës dhe 339 e Shijakut, që janë vetëm maja e ajsbergut në atë që ndodhi në të gjithë Shqipërinë.

Sepse kjo nisi me përdorimin e Policisë së Shtetit për manipulimin e zgjedhjeve dhe me urdhrin publik të paprecedent në 30 vjet në Shqipëri të Kryeministrit, që çdo punonjës i policisë të hiqte kapelën dhe të mblidhte vota për Partinë Socialiste.

Grushti i shtetit u thellua me kapjen në mënyrë antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm, duke e zgjedhur me 69 vota nga 84 vota të sanksionuar qartë në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila u miratuan në unanimitet me 140 vota.

Kështu ata morën në kontroll hetimin dhe siguruan deri tani pandëshkueshmërinë totale të vjedhësve të votës dhe grupeve kriminale.

Kështu siguruan mbylljen e çdo çështjeje penale që rëndon mbi ta dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Dhe kështu siguruan mjetin për të shantazhuar çdo kritik dhe çdo kundërshtar politik.

Përmes Parlamentit monist ata miratuan një rezolutë kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për zgjedhjet e 30 qershorit. Organizata rilindase në KQZ arriti deri aty sa nuk zbatoi edhe dekretin e Presidentit, duke dhunuar hapur dhe në mënyrë flagrante Kushtetutën.

Nuk botuan dekretin e Presidentit as në Fletoren Zyrtare në kundërshtim me ligjin, siç e denoncoi zonja e nderuar dhe me integritet, shefja e misionit të OSBE/ODIHR, znj. Glover, e cila i tregoi gjithë botës të vërtetën e kësaj maskarade të zgjedhjeve lokale në Shqipëri.

Ata thonë se Presidenti nxjerr dekrete, por ato nuk i zbatohen. Ata nuk kanë kuptuar gjë akoma! Ata kujtojnë se institucionet e tyre janë supreme!
Jo, dekretin e Presidentit për anulimin e 30 qershorit e zbatoi mbarë populli shqiptar, duke i bojkotuar në mënyrën më masive.

As 5% e shqiptarëve nuk mori pjesë, edhe pse nën presionin e administratës, të tatimorëve, të të gjithëve, edhe pse me korrupsionin, si ato përgjimet e Zogut të Tiranës, që u jepnin lekë me pahir njerëzve për të rritur artificialisht pjesëmarrjen.

Për 27 ditë me radhë me administratën e tyre partiake, nuk arritën dot për të shpallur rezultatin final. Rrëmbyen 100% të pushtetit lokal në të 61 bashkitë dhe këshillat e tyre moniste.

Faleminderit Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore që i bojkotoi këto zgjedhje dhe anuloi delegacionin e vetë të monitorimit duke thënë “ne nuk kemi monitoruar ndonjëherë zgjedhje të tilla me një kandidat”.

Ata jo vetëm kaq, por dhe në krye të Bashkive, apo jo, ne e dimë shumë mirë, nuk rrinin dot edhe duke vajtur në zgjedhje një-partiake, pa i dhënë Shkodrës dhe shumë qytete të nderuar të Shqipërisë “çuna problematikë”. Ata miratuan së fundmi të ashtuquajturën “KÇK” vetëm për të asgjësuar totalisht edhe atë që quhet drejtësi e re për ta futur nën thundrën e qeverisë dhe të policisë. Për të mbyllur çdo mundësi për ndëshkimin e kriminalizimit dhe korrupsionit të këtij sekti. Për të përgjuar në mënyrë mafioze e të paligjshme këdo që i denoncon dhe thotë të vërtetat për ta.

Tentuan të kapin Gjykatën Kushtetuese nëpërmjet falsifikimeve, mashtrimeve dhe shkeljes së Kushtetutës e ligjit, duke bërë pjesë të grushtit të shtetit të gjitha institucionet e kapura totalisht nga qeveria.

Qeverinë, përmes Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendin e tyre një-partiak dhe atë kryetarin e KED-së.

Ky hap kishte dhe ka për qëllim asgjësimin përfundimtar, të Gjykatës Kushtetuese, por edhe të çdo mundësie për llogaridhënie në Republikën e Shqipërisë. Ky akt synon të vërë në pikëpyetje edhe sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Së fundmi, miratuan në pabesi ligjin antikushtetues për betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke e votuar pak orë përpara se të mbërrinte në Tiranë delegacioni i Komisionit i Venecias, të cilin e kërkuan vetë, jo për ta pyetur, por për të relativizuar përgjegjësinë penale të kryetarit të KED-së, pasi Presidenti shkoi dhe e kallëzoi për dy vepra shumë të rënda penale në Prokurori.

Ky ligj u votua me qëllimin e vetëm për të futur nga oxhaku në Gjykatën Kushtetuese kamikazët e Rilindjes, të cilët dinë të betohen te Lana dhe që s’mund të betohen te Kreu i Shtetit.

Ata si një organizatë mafioze falsifikuan edhe relacionin e Kuvendit, siç u provua edhe nga të gjitha institucionet, të cilat mohuan zyrtarisht se kishin dhënë mendim pro këtij ligji antikushtetues.

Nëse dikush është i shqetësuar se përse Presidenti i një vendi anëtar i NATO-s, thërret popullin për t’i kthyer sovranitetin, për të dëgjuar zërin e tij e për të rivendosur rendin kushtetues, demokratik, dhe sistemin e llogaridhënies, unë po i përgjigjem:

A ka ndonjë vend në NATO-s apo në Europë që ka qëndruar një orë të vetme pa Gjykatë Kushtetuese?! A mundet derbi i fundit Tirana-Partizani të luhet pa arbitër? A mundet që një skuadër të hyjë në lojë, duke marrë edhe arbitrin me vete dhe duke i veshur fanellën e vet?

A ka ndonjë vend në NATO apo në Europë që ka qëndruar një ditë të vetme pa Gjykatë të Lartë?! Janë 40 mijë dosje të qytetarëve të thjeshtë, të bizneseve e të pensionistëve të cilat duan edhe 30 vjet të shqyrtohen.

A ka një vend të NATO-s apo të Europës ku shpiken çdo ditë ligje antikushtetuese për të përmbysur dispozitat kushtetuese për drejtësinë e re, siç ndodhi jo vetëm me zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme me 69 vota, por njëkohësisht siç shohim që duan të bëjnë edhe me Gjykatën Kushtetuese.

Këta shpikën si të shenjtë afatin e Dvoranit, këta nuk e vranë mendjen, puçistët vendas dhe bashkëpunëtorët e tyre ndërkombëtarë, për asnjë afat të Kushtetutës që kurrë nuk u respektua për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Shqiptarët janë këtu, sepse ata duan një drejtësi të vërtetë, ata duan një drejtësi të barabartë për të gjithë, ata duan që të mos ketë më drejtësi me regji.

Ata nuk duan më të jetojnë me këtë model drejtësie, kur skandali i ri mbivendoset mbi të vjetrin që ai të mbetet në harresë dhe krimi i ri po kështu mbi krimin e vjetër.

Shqiptarët janë këtu se duan një drejtësi sipas Kushtetutës dhe vetëm Kushtetutës, dhe jo drejtësi me regji siç ofrojnë puçistët.
Sot vihen përpara drejtësisë qytetarët e thjeshtë për krime banale, por ata në krye të shtetit të kapur në flagrancë për krime të rënda kushtetuese drejtësia për fat të keq i mbron.

A mund të besojë dikush tek kjo drejtësi me standarde të trefishta?

Demokracia nuk rrezikohet kur populli ngrihet në mbrojtje të Kushtetutës, por kur pushteti, me anë të ligjeve antikushtetuese dhe antipopullore, kërkon të shtypë vullnetin e popullit, të drejtat e qytetarëve dhe të drejtat e tyre kushtetuese.

Historia na ka mësuar se edhe Hitleri me anë të ligjeve antikushtetuese e instaloi diktaturën e tij edhe në një vend me një traditë dhe kulturë ligjore mjaft të njohur.

“Kur populli ka frikë nga qeveria aty ka Tirani. Kur qeveria ka frikë nga populli, aty ka liri, aty ka drejtësi”. Këta na e ka mësuar Thomas Jefferson.
Diktaturat mund të ndërrojnë fytyrë, mund të ndërrojnë maskat, por ato në thelb mbeten të njëjta kudo e në çdo kohë armike të lirisë, armike të demokracisë, armike të të drejtave dhe lirive të njeriut!

Është detyra ime parë dhe e shenjtë, është përgjegjësia ime si Kryetar i Shtetit dhe si shprehës i unitetit të popullit, të cilën e garanton vetëm mbrojtja e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të mbroj Kushtetutën, të mbroj shtetin e të drejtës, të mbroj liritë qytetare, të garantoj shtetin laik, ku të gjithë të mund të ushtrojnë besimin e tyre në paqe me të tjerët, si në çdo vend me vlera perëndimore, ku edhe gruaja të jetë e barabartë me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe të mos i marrin gratë në qeveri për t’i përdorur për falsifikime.

Është detyra ime si President i Republikës të mbroj i pari demokracinë e vendit dhe të popullit tim.

Është detyra ime si Kryetar i Shtetit të jem i pari në luftën me grushtin e shtetit!

Jam i lumtur se zëri juaj po dëgjohet në të gjithë Shqipërinë, kudo ku ka shqiptarë në të gjithë botën demokratike.

Jam i lumtur se Kushtetuta e popullit ka sot në këtë shesh popullin e Kushtetutës.

Dhe tani përpara se të firmos Dekretin kundër Ligjit antikushtetues për betimin tek Lana të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese kërkoj shprehjen e vullnetit tuaj.

Kush është PRO, ju lutem të ngrejë dorën!
Vdekje grushtit të shtetit!
Rroftë Republika!
Rroftë shteti i së drejtës!
Këtu ka një kërkesë tjetër, nuk kënaqen me kaq, duan që sot shpërndarjen e Parlamentit puçist!
Liri demokraci! Liri demokraci!

Ju lutem më duhet të firmos këtë dekret dhe do të kthehem përsëri këtu për atë dekretin tjetër, që e brohoritët më shumë se ky.

Në Shqipëri ka shumë politikanë, prindërit e të cilëve kishin të parën Jugosllavinë pastaj kishin Bashkimin Sovjetik, pastaj kishin Kinën, sot thonë që kanë Amerikën, por duan të na kthejnë përsëri në Korenë e Veriut. Po na ndjekin të gjithë shqiptarët e Amerikës me Vatrën dhe të gjithë njerëzit tanë.
Janë pasardhësit e atyre, që kur në fund të viteve ‘80 populli trim i Rumanisë ekzekutoi diktatorin e tij dhe shushunjën e tij, ata varnin poetët në Kukës për fjalën e lirë!

Unë nuk e kam Amerikën të parën. Unë të parën kam dhe do të kem përgjithmonë Shqipërinë. Por Amerikën e kam të dytën dhe jam gati për hir të asaj, që Amerika ka bërë Amerika për ne, për shqiptarët kudo, të bëj çdo gjë për Amerikën, që nuk dëmton Shqipërinë dhe shqiptarët!

Këtë flamur e mora pa regji, pasi kanë ardhur me dhjetëra dhe me qindra shqiptarë nga Amerika. Kanë lënë punët e tyre.

Këtë flamur e ngrita në respekt të të gjithë miqve tanë të mëdhenj në Amerikë, për Kongresmenin Engell dhe për të gjithë miqtë e jashtëzakonshëm, që e kanë ndihmuar çështjen shqiptare dhe që do të jenë gjithmonë gati për të mbrojtur interesat tona.

Tani, kalojmë te betimi dhe për betimin duhet flamuri i Shqipërisë, flamuri kuqezi.

A kemi parlament ne apo nuk kemi?

Përpara se të bëj betimin tim si President i Republikës, si Kryetar i Shtetit, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura do ta puth këtë flamur!

Nëse grushti i shtetit dhe organizata mafioze ndërkombëtare, që ka vite që luan me sovranitetin e popullit tonë nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë ju jap fjalën në emër të këtij flamuri, për të cilin janë vrarë mijëra e mijëra dëshmorë dhe heronj, se pas datës 15 mars kur të përfundojë edhe reforma zgjedhore, që është një kusht, nëse ata nuk do ta marrin seriozisht populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por do ta firmos në mes të Parlamentit, atje në mes të krimit!

Dhe do t’i bëj thirrje të gjithë popullit shqiptar, unë i pari dhe gjithë populli kuqezi.
Jemi populli që vuajti me shumë se kushdo komunizmin.
Jemi populli dhe vendi ku u varën klerikët!
Jemi një popull që jetën e japim, demokracinë jo!
Liri demokraci!

Shumë prej jush mund të kenë pasur ndonjëherë vërejtje për tonin tim. E di, por duhet të dini një gjë, që unë në publik për hir të disa interesave shtetërore nuk kam treguar as 10% të krimeve që kanë ndodhur kundër sovranitetit tuaj dhe kundër reformës në drejtësi.
Prandaj dua t’ju siguroj se kjo Pranverë Kuqezi nuk ndalet më, deri në rivendosjen e plotë të sovranitetit tuaj, të rendit kushtetues, demokratik dhe llogaridhënës në Shqipëri.

Me qetësi dhe me drejtësi!

Tani kam një lutje për të gjithë ju. E gjithë bota demokratike, të gjithë partnerët me integritet, që kanë respekt për popullin tonë dhe nuk mund të ketë askush respekt për popullin tonë në rast se dhunon apo ndihmon këtë sekt të dhunojë Kushtetutën tonë.

Kjo Kushtetutë është votuar nga populli shqiptar dhe në ndryshimet e fundit kushtetuese u votua me 140 vota sikurse nuk është votuar asnjë ligj i thjeshtë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo është Kushtetuta e popullit të Shqipërisë, kjo është Kushtetutë që e bëmë Komisionin e Venecias, me Amerikën, me Europën dhe ne do ta mbrojmë edhe me jetën tonë!

Dhe lutja e fundi për ju!

Ju lutem mos i jepni alibi puçistëve! Ju lutem asnjë mimozë mos hidhni tek institucionet, se mimozat nuk hidhen, ato dhurohen. Dhurojani policëve tanë kudo që t’i takoni.

Mos harroni se nga sot në të vetmin institucion kuqezi që jemi këtu nis marshimi i popullit kuqezi për të rivendosur sovranitetin e tij dhe për t’i pasur shumë shpejt të gjitha institucionet në këtë bulevard dhe në të gjithë Shqipërinë kuqezi!

Zëri i popullit, zëri i Zotit!

Zoti e bekoftë Shqipërinë, jemi popull shqiponjash dhe shqiponjat fluturojnë vetëm lart. Falënderimet më të përzemërta për bashkatdhetarët tanë që erdhën nga Amerika, nga Anglia, nga Franca, nga gjithë Europa dhe nga gjithë bota.

Shqipëria si gjithë Europa!

Liri demokraci! Dhe tani paqësisht kudo drejt familjeve tuaja!

SHKARKO APP