Flet deputeti i ri, Çelaj: Jam ende në detyrë shtetërore
Flamur Çelaj pritet të marrë nesër nga KQZ-ja mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë si përfaqësues i qarkut të Vlorës nga listat e LSI-së, duke zëvendësuar në Kuvend Shkëlqim Selamin.
Aktualisht ai po mban një detyrë të rëndësishme, si drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, i emëruar pak kohë më parë.
Mandati i tij do të jetë vetëm 6 muaj, deri në zgjedhjet e qershorit, ndaj e drejta e tij për të zgjedhur mes mandatit të deputetit dhe drejtorisë së fuqishme, ngelet për tu parë nesër se nga do të anojë.
I pyetur nga Shqiptarja.com për këtë çështje, Çelaj tha se është ende në detyrë.
“Unë nuk i di lajmet nga mediat, por konfirmoj që jam ende në zyrë duke bërë detyrën që më është besuar. Me këtë fakt po demonstroj se mbetem i angazhuar 100% në detyrën që kam pa u ndikuar nga ngjarje që ende nuk kanë ndodhur por që mbeten vetëm në nivel hipotetik. Pyetja juaj merr përgjigje pasi të hipotezat të bëhen realitete”,-tha Çelaj pa sqaruar nëse do të pranojë apo jo mandatin.
KOHA JONË SONDAZH

